Albspirit

Media/News/Publishing

Vdes aktori Nazif Mujiq

Ironi e fatit është që Nazif Mujiq, i cili para pesë vjetësh mori “Ariun e argjendtë”, vdiq në kohën kur po mbahet festivali i filmit në Berlin, “Berlinale”, i cili për një kohë të shkurtër e katapultoi atë në botën e të famshmëve.

“Me hidhërim të thellë, Festivali i Filmit në Berlin mori lajmin për vdekjen e Nazif Mujiqit“, ka shkruar “Berlinalja” në uebfaqen e saj. Mujiq ishte 47 vjeç.

“Fitoi ‘Ariun e argjendtë’, por megjithëkëtë ka jetuar në varfëri“, ka shkruar “Der Spiegel”. Ky medium gjerman ka rikujtuar se Nazif Mujiq ishte aktor në filmin gjysmëdokumentar boshnjak, “Një episod nga jeta e mbledhësit të skrapit” nën regji të Danis Tanoviqit. Për rolin që pati në këtë film, ai u shpall aktori më i mirë në edicionin e atij viti në “Berlinale” dhe për këtë mori “Ariun e argjendtë”.
“Të dielën ai u gjet i vdekur në fshatin në veri të Bosnjës, Svatovac”, ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP, vëllai i tij Sulo Mujiq. Sipas tij, varrimi është planifikuar për sot (e mërkurë).
Mujiq, siç ka thënë vëllai i tij, vuante nga diabeti dhe i duhej të merrte insulinë. “Ishte shumë i shqetësuar për shkak të gjendjes së tij ekonomike”, ka thënë Sulo Mujiq. “Në janar tentoi të gjente zgjidhje në Gjermani, por u kthye”, ka shtuar Mujiq.
“Pas suksesit në Festivalin e Filmit në Berlin, familja luftoi të merrte azil në Gjermani. Drejtori i ‘Berlinales’, Dieter Koslik e ka përkrahur dëshirën e Mujqit që të zhvendosej në Gjermani. Festivali siguroi një avokate që t’i ndihmonte Mujiqit në përpjekjet për të marrë azil”, ka shkruar “Der Spiegel”, duke theksuar se autoritetet gjermane megjithatë e kanë refuzuar kërkesën e tij për azil.
“Pasi u kthye nga ‘Berlinalja’ në vitin 2013, Mujiq në fshatin e tij u prit si hero. Por fama u zbeh shpejt dhe aktori i shpërblyer ra sërish në varfëri. Duke mbledhur skrap tentonte ta ushqente familjen e tij, gruan e tre fëmijët. Kështu ka siguruar 3.5 euro në ditë “.
Ky medium po ashtu vë në pah se është e qartë që Mujiq ka planifikuar që të vijë në edicionin e sivjetmë të “Berlinales”, me qëllim që të njoftonte opinionin me fatin e tij pesë vjet pasi mori çmimin e madh. “Për këtë tashmë kishte blerë një biletë autobusi”, ka shkruar “Der Spiegel”.
“Para pesë vjetësh ishte aktori më i mirë në Berlinale. Tash Nazif Mujiq ka vdekur. Kot ka luftuar që të marrë azil në Gjermani”, ka shkruar “Tagesspiegel”
“Ariu i argjendtë nuk i solli lumturi”, ka shkruar “Stuttgarter Nachrichten”, duke theksuar se Nazif Mujiq vdiq në mjerim të thellë.
E transmetuesi publik SVR ka shkruar për “famën e shkurtër të romit të varfër” dhe për atë se si ai dhe gruaja e tij Senada, kishin shpresuar që pas suksesit në “Berlinale” do t’u ndryshonte jeta për të mirë./express/

 

Please follow and like us: