Albspirit

Media/News/Publishing

Aksidenti fatal me dy të vdekur zhduket autori, ja kush janë viktimat

Detaje të reja zbardhen pasi dy persona kanë humbur jetën në një aksident fatal në autostradën Tiranë-Durrës, rreth mesnatës së kaluar pasi taksia me të cilën udhëtonin është goditur nga pas nga një automjet tjetër tip “Benz”. Ndërkohë automjeti tjetër tip “Benz” nga përplasja është spostuar 150 metra larg vendit ku ka ndodhur aksidenti. Megjithëse policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, shoferi i “Benz”-it që shkaktoi aksidentin është zhdukur. Nga policia nuk ka ende një njoftim të dytë për aksidentin dhe identitetin e drejtuesit të “Benz”-it me targa AA 060 SP. Mësohet se Elena Abdillari, 23 vjeçe, banuese në Kombinat të Tiranës, kishte prenotuar një taksi nga Durrësi, me shofer Bujar Agalliu, 60 vjeç, banues në Durrës. Elena e kishte marrë taksinë nga Porti i Durrësit, ku asaj i ishte refuzuar udhëtimi, mbrëmë, drejt Italisë. Policia gjeti në portofolin e 23-vjeçares, edhe biletën e udhëtimit drejt Italisë.

Aksidenti

Bujar Agalliu, 60 vjeç, banues në Durrës dhe pasagjerja e tij, Elena Abdillari, 23 vjeçe, banuese në Tiranë gjetën vdekjen pasi taksia nga përplasja e fortë përfundoi në një karburant duke pësuar një goditje të dytë. Të pranishëm në vendin e ngjarjes kanë qenë shumë dëshmitarë por asnjë prej tyre nuk e ka parë drejtuesin e makinës së dytë, edhe policia pohon të njëjtën gjë. “Në mjetin tip ‘Benz’ nuk është gjetur asnjë shtetas. Në vendngjarje ndodhen Efektivet e Policisë, të cilët po punojnë për gjetjen e drejtuesit të mjetit tip ‘Benz’ dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë. Një dëshmitar i ngjarjes tha se taksia është përplasur me barrierat e jashtme të karburantit. “Aq e fortë ka qenë përplasja saqë taksia është futur brenda në karburant duke shkaktuar panik edhe te punonjësit e karburantit”, tha dëshmitari.

“Ka në makinë njerëz, gjak e viktima në tokë”

Gjak në tokë, copa xhamash e pjesë makinash, një njeri i dergjur në tokë. Këto janë pamjet e para nga aksidenti tragjik në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Maminasit, ku gjetën vdekjen 60-vjeçarit Bujar Agalliu, shofer taksie dhe pasagjerja e tij Elena Abdillari, 23 vjeçe. “BalkanWeb” ka siguruar pamjet e para pas aksidentit, ku taksia me targa DR 475 TX përfundoi duke u përplasur me rrethimin e një karburanti, pasi u godit nga një mjet tip “Benz” me targa AA 060 SP. Një prej dëshmitarëve dëgjohet teksa rrëfen në video se si i kanë ardhur pranë copat e xhamit të makinave në mënyrë të menjëhershme. Më pas një tjetër iu thërret punonjësve të karburantit të mbulojnë një prej viktimave që ndodhet në tokë. Por më pas zbulojnë se në makinë ishte dhe një person tjetër.

Udhëtimi fatal i 23-vjeçares nga Tirana, do nisej për në Itali por e kthyen në port

Do ishte një udhëtim drejt Italisë por u kthye në udhëtimin e fundit drejt vdekjes. Një fat tragjik për 23-vjeçaren Elena Avdillari që mbeti e vdekur në aksidentin fatal pas mesnatës së kaluar pranë Maminasit. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për “BalkanWeb” se vajza me origjinë nga Korça por banuese nga Kombinati, Tiranë duhej të nisej mbrëmjen e kaluar me traget drejt Italisë. Për shkak të dokumentacioneve të munguara, ajo është kthyer nga autoritetet portuale. Më pas 23-vjeçarja ka marrë një taksi në Portin e Durrësit që drejtohej nga 60-vjeçari Bujar Agalliu për t’u kthyer në Tiranë. Por në autostradë pranë Maminasit, taksia me të cilën udhëtonin është goditur nga një automjet “Benz”. Pas kësaj taksia ka përfunduar në karburant në një tjetër goditje, që i ka marrë jetën të dy personave që ndodheshin në taksi. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe pohon se në mjetin tip ‘Benz’ ishin 2 persona, që u larguan pas aksidentit. Policia ka identifikuar drejtuesin e ‘Benzit’, i cili është shpallur në kërkim.

Please follow and like us: