Bushati refuzon konferencën ballkanike në Bosnjë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka refuzuar ftesën për të marrë pjesë në Konferencën e Ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor. Ministri Bushati ka informuar me një letër homologun e tij boshnjak Igor Crnadak, në të cilën shpreh keqardhjen e tij për mosrespektimin e formatit të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ftesën e munguar për Kosovën, duke bërë me dije në këto kushte mospjesëmarrjen e tij në këtë takim.
Në argumentimin e vet, Ministri Bushati i ka komunikuar Ministrit Crnadak se nuk mund të ketë diskutim kuptimplotë dhe të dobishëm mbi rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së, pa qenë të pranishëm të gjithë anëtarët e Ballkanit Perëndimor, në frymën e mirëkuptimit, respektit dhe gjithëpërfshirjes.
Tematika e konferencës ishte “Ballkani Perëndimor dhe anëtarësimi në BE: bashkëpunim më i fuqishëm rajonal për një proces më të shpejtë të integrimit evropian”, organizuar me iniciativë Ministrisë së Punëve të jashtme të Bosnje-Hercegovinës, parashikuar për t’u mbajtur më datë 23 shkurt, në Banja Luka.