Albspirit

Media/News/Publishing

Gjyqtari i ri shqiptar në Strasburg, hapet thirrja për kandidatët

Këshilli i Europës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të paraqesë listën me propozime për tri kandidaturat më të përshtatshme për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (në vijim, GJEDNJ), i cili votohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Përmes një njoftimi të publikuar në faqen e kryeministrisë, bëhen të ditura kriteret që duhet të plotësojë aplikanti dhe dokumentacioni që duhet të paraqesë.

Mandati i gjyqtarit është për një afat prej 9 vjetësh dhe mbaron pas përfundimit të këtij afati ose kur ai/ajo arrin moshën 70 vjeç. Kandidatët, nëse zgjidhen, duhet të jenë në gjendje të mbajnë këtë detyrë për të paktën sa gjysmën e mandatit 9-vjeçar, para se të arrijnë moshën 70 vjeç.

Duke marrë në konsideratë rëndësinë e integritetit profesional e moral, si dhe pastërtinë e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve në sistemin e drejtësisë shqiptare, por edhe të përfaqësuesve shqiptarë në trupat ndërkombëtarë gjyqësorë, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, aplikantët për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit kalimtar (Vetting-ut).

Konkretisht aplikantët për pozicionin e gjyqtarit në GJEDNJ, që mbajnë funksionet e parashikuara nga pikat 3 dhe 4, të nenit 179/b, të Kushtetutës, rivlerësohen ex officio, nga institucionet e rivlerësimit
“Aplikantët për pozicionin e gjyqtarit në GJEDNJ që vijnë nga radhët e ish-gjyqtarëve, ish-prokurorëve, ish-këshilltarëve ligjorë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët kanë punuar në këto pozicione të paktën tre vjet, rivlerësohen nga institucionet e rivlerësimit, në përputhje me pikën 4 (fjalia e dytë), të nenit 179/b, të Kushtetutës; Aplikantët e tjerë, profesionistë të së drejtës, që nuk përfshihen në kategoritë e përmendura në pikat 1 dhe 2, do t’u nënshtrohen parimeve që qëndrojnë në themel të procesit të rivlerësimit (Vetting-ut), të cilat lidhen me çështje të vlerësimit të pasurisë, kontrollit të figurës dhe vlerësimit profesional, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse”, thuhet në njoftim.

Pas vlerësimit të dosjeve të aplikimit dhe përfundimit të procesit të rivlerësimit kalimtar, aplikantët do t’i nënshtrohen intervistës, ku një pjesë e pyetjeve do të jenë në një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht).

Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 20 mars 2018, pranë Kryeministrisë.

Please follow and like us: