Albspirit

Media/News/Publishing

Milena Harito: Çfarë mund ta ndryshojë lojën në Ballkanin Perëndimor?

Më 6 shkurt 2018, në strategjinë e re të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, agjenda dixhitale u vu për herë të parë në qender të vemendjes për rrugëtimin e rajonit drejt BE-së.Dixhitalizimi me gjithë aspektet e tij është një nga gjashtë iniciativat kryesore që BE ka marrë përsipër të mbështesë në vitet e ardhshme, në kuadër të mbështetjes për të modernizuar të Ballkanin Perëndimor.

Pse kjo? Vetëm sepse jemi në vitin 2018 dhe nuk mund të ndodhte ndryshe?

Unë nuk mendoj kështu. Une besoj se një transformim i fuqishëm dixhital mund të ndryshojë faqen e këtyre gjashtë vendeve: Shqipëria, Serbia, Bosnja- Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia.

Gjashtë vendet janë të rrethuar nga të gjitha anët me vende të BE, Sllovenia, Kroacia, Bullgaria, Rumania, Hungaria, Greqia dhe nga ana tjetër e detit, Italia. Ballkani Perëndimor është një ishull me gjithsej 18 milionë banorë, një ishull i vogël në mes të Bashkimit Evropian me rreth 500 milionë banorë.

Popullsia është më e re ne moshe se sa në BE pavarësisht migrimit të vazhdueshëm prej një çerek shekulli. Të gjashtë vendet kanë probleme serioze me respektimin e ligjit dhe korrupsionin. Rryshfeti për shërbimet është gjerësisht një mentalitet i përbashkët i këtyre vendeve dhe krimi i organizuar ka rrjete të konsoliduara. Raporti i Forumit Ekonomik Botëror 2016/17 rendit Serbinë në vend të 137 nga 138 vende për “kapacitetin për të mbajtur talentet”.

Bosnja u rendit e 134-ta ndërsa Shqiperia dhe Maqedonia diçka më mirë. Por ama, njerëzit në këto vende janë dhe mbeten thellësisht evropianë në aspiratat e tyre. Çdo familje është e gatshme të bëjë cfaredo sakrifice për t’i dërguar fëmijët të studiojnë diku në Evropë. Kjo sepse Evropa e pare nga këtej është bota ideale e demokracisë, mirëqenies dhe shanseve të barabarta.

Pra, çfarë mund të bëjë transformimin dixhital në atë situatë? Së pari mund t’u japë këtyre të rinjve punë të qëndrueshme. Përgjithësisht janë të arsimuar dhe të aftë të absorbojnë programe afatshkurtra dixhitale ku të shpalosin aftësitë e tyre, duke u dhëne keshtu perspektiva të reja per vendeve pune direkt online. Serbia ka një program të tillë të suksesshëm. Vende pune këto që nuk janë më nën presion politik; punë që do t’u japë këtyre të rinjve më shumë liri për të menduar dhe për të vepruar. Investime më të mëdha në qendra rajonale për start-up në teknologji do t’u japë një kategorie tjetër studentësh të kualifikuar fuqinë për të krijuar vende të reja pune dhe të ardhura të mira me më pak investime sesa kërkohet në fusha të tjera. Kështu mund të krijohen modele të reja pozitive në këto vende, ku prej 2 dekadash këto modele mungojnë seriozisht.

Do të krijoheshin edhe stimuj për modernizimin e ekonomisë, në vend që të investohen paratë e disponueshme për të ndërtuar ndërtesa që mbeten gjysmë bosh pasi njerëzit vazhdojnë të emigrojnë jashtë rajonit. Dixhitalizimi masiv në arsim dhe shëndetësi mund të ulë kostot dhe të përmirësojë shërbimet për qytetarët. Teknologjia Blockchain mund të sjellë një zgjidhje për menaxhimin e pronësisë mbi token, duke i bërë më në fund transaksionet të sigurta dhe transparente.

Publikimi i të dhënave të qeverive do ta bëjë korrupsionin më të vështirë. Sundimi i ligjit mund të përmirësohet nëse të gjitha vendimet e gjyqësorit janë menjëherë publike dhe transparente. Prokurimi elektronik mund të rrisë transparencën dhe kontrollin mbi shpenzimet publike. Por dixhitalizimi i rajonit do të ishte vërtet transformues nëse do të plotesoheshin dy kushte.

Së pari nëse është i shpejtë dhe masiv. Nëse jo, ata që kanë interes të mbajnë gjërat ashtu siç janë, mund dhe do të gjejnë mënyrën për të transformuar çdo transformim dixhital në një rrëmujë arkaike të pakuptueshme dhe të pakontrollueshme.

Së dyti, nëse standardet e BE-së përdoren dhe monitorohen me rigorozitet. Nëse jo, dixhitalizimi mund të jetë edhe më i vështirë për t’u kontrolluar sesa bota fizike. BE mund t’u japë të rinjve të Ballkanit Perëndimor përmes agjendës dixhitale shpresë si edhe fuqinë për ta transformuar këtë rajon shumë të vogël por shpesh të zhurmshëm, sepse ‘një investim për Ballkanin Perëndimor është një investim për Evropën’, për mirëqënien dhe sigurinë e saj. Të gjitha këto pika janë të përmendura në strategjinë e zgjerimit të Komisionit Evropian. Uroj dhë deshiroj që t’i shohim të gjitha këto pika të vihen në zbatim sa më shpejt në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Please follow and like us: