Shkarkohet nëpunësi i tregjeve, hiqej si nëndrejtor dhe merrte ryshfet
Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore sqaron më tej se ish-punonjësi Mete Cenollari i shfaqur gjatë videos së transmetuar, duke u vetëdeklaruar si Nëndrejtor i Drejtorisë Rajonale të Tregjeve dhe duke marrë përsipër dhënien e lejeve për shfrytëzimin e hapësirave publike, nuk rezulton të jetë i emëruar në një funksion të tillë për aq kohë sa edhe ky funksion nuk ekziston në organigramën e institucionit.
Përmes një deklarate për mediat, Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore thotë se janë marrë masat administrative edhe ndaj eprorëve të tij, deri në arritjen e një konkluzioni përfundimtar dhe rasti do të ndiqet sipas legjislacionit në fuqi. Kjo drejtori garanton për bashkëpunim kundrejt çdo lloj kontrolli, hetimi apo verifikimi i cili mund të kërkohet nga organet kompetente. Në deklaratë, kjo drejtori garanton se lejet e dhëna për shfrytëzimin e hapësirës publike dhe çdo leje e dhënë nga QLT ka qenë në proces të vazhdueshëm monitorimi dhe verifikimi. Me qëllim zbatimin me rigorozitet të legjislacionit dhe transparencës maksimale kundrejt taksapaguesve të Bashkisë Tiranë, si dhe për të eliminuar maksimalisht rastet e mundshme abuzive, është ngritur nga ana e këtij institucioni edhe një grup auditimi ndaj tregjeve./tvklan.al