Akuza të reja ndaj ish-zyrtarëve të lartë të fushatës Trump
Prokurori i Posaçëm Robert Mueller depozitoi të enjten akuza penale shtesë ndaj ish-shefit të fushatës së presidentit Donald Trump, Paul Manafort dhe këshilltarit të fushatës, Richard Gates.
Akt-padia shton akuza për shmangie taksash dhe mashtrime bankare, përveç atyre të mëparshme për pastrim parash dhe mosregjistrim si agjentë të huaj, në lidhje me punën e tyre për politikanë pro-rusë në Ukrainë.
Mes akuzave të reja është ajo se zoti Manafort me ndihmën e zotit Gates, pastroi mbi 30 milionë dollarë përmes llogarive të fshehta në parajsa fiskale dhe “e përdori pasurinë e tij jashtë vendit për mbështetur financiarisht një jetesë luksoze në Shtetet e Bashkuara, pa paguar taksa për ato të ardhura”.
Të dy ata akuzohen se i kishin paraqitur paratë e fituara nga puna në Ukrainë si “hua” për të shmangur taksat dhe falsifikuan dokumenta financiare për të ekzagjeruar të ardhurat e tyre, në mënyrë që të merrnin hua të tjera.
Në akt-padi thuhet se ata i përdorën paratë që të blinin pasuri të patundshme, për të bërë punime në shtëpitë e tyre dhe rastin e Richard Gates për të paguar për shkollat private të fëmijëve të tij.
Si Manafort, edhe Gates e pranuan fajësinë për akuzat e paraqitura në tetor 2017 për pastrim parash dhe lobizëm.
Akuzat kundër tyre nuk janë të lidhura direkt me akuzat se zyrtarët e fushatës së zotit Trump, kishin bashkëpunuar me Rusinë në ndërhyrjen në zgjedhjet e vitit 2016.