Andi Bushati: Pse u shthur dje live Erion Veliaj?
Po t’i shikoje sot shumë nga titujt e përballjes së Erion Veliajt me gazetarët të bënte përshtypje një emërues i përbashkët. Në të gjitha theksohej se kryebashkiaku i kishte intimiduar, kërcënuar madje dhe fyer bashkëbiseduesit e tij të së enjtes mbrëma në emision. Le ta themi që në fillim. Kjo qarje dhe ky ankim nuk ka bazë. As unë as kolegët e mi nuk jemi lule mos më prek. Nëse e bëjmë ashtu sikurse duhet profesionin tonë, i shkelim në kallo shumëkujt, i prishim punë atyre që kanë pushtet, u nxjerrin në pah të vërteta të frikshme, ne riskojmë, si pasojë e kësaj, kundërgoditje të forta që duhet të jemi të përgatitur t’i marrim.
Pra, thënë këtë, më duket sikur jehona e përballjes së mbrëmshme në “Opinion” po futet në rrjedhën dhe shtratin e gabuar. Sepse lajmi i së enjtes nuk ishte se u cënuan apo friksuan gazetarët. Shumë më evidente qe një tjetër gjë: Ata e nxorrën nga binarët kryebashkiakun. Si rrallë ndonjëherë ne pamë jo lali Erin e dashur dhe paqësor, jo bamirësin që shpërndan pako me ushqime, jo vullnetarin që mbjell pemë dhe as njeriun human që përqafon një gjyshe, apo ngre në krahë një fëmijë rom.
Në mbrëmë pamë një fytyrë tjetër. Atë të njeriut që nuk e ka për gjë t’i thotë bashkëbiseduesve racistë, depresivë apo mashtrues, vetëm sepse ata mëtonin të mbronin idetë e tyre.
Ajo që ne mësuam nga përballja e kësaj të enjte është se Erion Veliaj nuk është i njëjti personazh i qeshur, i paqtë dhe bamirës që na paraqesin kronikat fallco që shpërndan stafi i tij në bashki dhe që i transmetojnë me krahët (ose këmbët) hapur të gjitha televizonet tona.
Mjaftoi një ballafaqim i thjeshtë, jo me kritikët e tij më të fortë (duhet thënë se asnjë nga gazetarët në panel nuk ka firmën e tij mbi shkrime kundër Veliajt), që atij t’i dilte boja. Edhe me këtë oponencë të moderuar ai doli ashtu sikurse është. Një politikan që në vend të argumentave përdor fyerjet dhe kërcënimet. Një personazh i krijuar nga hiçi, që për t’a kthyer në origjinë dalin e teprojnë vetëm pak doza gazetarie të vërtetë./Lapsi.al/