Dorëhiqet drejtori i INSTAT, dy orë pasi e denoncoi PD
Pas më se 2 orë nga deklarata e zëdhëses së PD-së Ina Zhupa, ka dhënë dorëheqjen nga INSTAT, Erion Manohasa. PD denoncoi se Manohasa më parë i emëruar si drejtori i Fondit të Kujdesit Shëndetësor, u shkarkua nga gjykata për shpërdorim detyre. Sipas PD Manohasa u shkarkua për firmosjen e një kontrate korruptive, në kundërshtim me përcaktimin ligjor të kontratave, ndërsa sot u emëruar si drejtor i drejtorisë së Integrimin dhe projekteve në INSTAT. Po në një reagim të INSTAT thuhet se emërimi i Erion Manohasas është bërë sipas ligjit të Nëpunësit Civil, e megjithatë duke ditur rëndësinë e institucionit, drejtori i sapoemëruar ka dhënë dorëheqjen.
Njoftimi i INSTAT në lidhje me deklaratën e PD:
Nisur nga një reagim publik i një partie politike, lidhur me emërimin pranë Institutit të Statistikave (INSTAT) të Erion Manohasa, sqarojmë se emërimi është bërë konform Ligjit për Nënpunësin Civil, Nr.152/2013 (ndryshuar me ligjin nr. 178/2014 dhe ligjin 41/2017). Është e vërtetë se Erion Manohasa ka pasur një çështje gjyqësore, por çështja është pushuar dhe ai është punësuar sipas ligjit nga lista e pritjes së nëpunësve civilë. Duke u nisur, sidoqoftë nga domosdoshmëria për të mos lënë asnjë hije në integritetin absolut të INSTAT, si një institucion i një rëndësie të veçantë, Z. Erion Manohasa i është kërkuar menjëherë dorëheqja, dhe ai e ka dhënë atë. Për çdo sqarim lidhur në këtë çështje, ju lutemi kujtdo që është i interesuar të kërkojë zyrtarisht dosjen e Z. Manohasa. Nënvizojmë në fund, keqardhjen për një reagim të bazuar në të pavërteta ndaj INSTAT dhe i bëjmë thirrje partive politike që të mos e përfshijnë këtë institucion në politikën e ditës.