Parlamenti holandez njeh genocidin armen
Parlamenti holandez ka votuar për ta njohur si genocid masakrën e vitit 1915 të Perandorisë Osmane mbi 1.5 milionë armenë. Ky votim është pasuar me një “përplasje” diplomatike mes Holandës dhe Turqisë, e cila ka tërhequr ambasadorin e saj.
Mocioni gjeti mbështetjen e të gjitha partive të mëdha. Ai vjen pak ditë pasi qeveria turke foli për ndryshim të marrëdhënieve me Holandën. Ndërsa ministri i Jashtëm turk tha se mocioni i miratuar nuk do të njihet si i ligjshëm.
Prej kohësh, Armenia ka kërkuar që vrasjet e armenëve nga Perandoria Osmane të konsiderohen genocid. Autoritetet turke e kundërshtojnë fort këtë gjë, duke argumentuar se masakra janë kryer nga të dyja palët.
Të paktën 29 shtetet, mes të cilave Rusia, Kanadaja, shumica e vendeve të BE-së dhe vendet e Armeikës së Jugut e kanë njohur genocidin mbi armenët.
Vendimi i Parlamentit holandez vjen në një moment kur tensioned janë rritur mes Holandës dhe Turqisë. Në fillim të këtij muaji, Holanda tërhoqi ambasadorin e saj nga Ankaraja. Shkak u bë një debat i madh që erdhi pas bllokimit të vizave të disa zyrtarëve turq që u përpoqën të bënin fushatë për referendumin që i shton kompetencat Erdoganit.
Në atë kohë (mars 2017), presidenti turk deklaroi se “herët apo vonë, ata do ta paguajnë këtë”. Po ashtu, Erdogan u shfaq i ashpër pasi Holanda i ndaloi hyrjen në vend ministrit të Jashtëm turk. “Ata janë mbetje të fashizmit”, tha Erdogani, ndërsa kryeministri holandez, Mark Rutte, tha që Ankaraja duhet të kërkojë falje për gjuhën e papranueshme./TemaTv/