Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Fatos Tarifa: Gjeopolitika globale dhe partnerët strategjikë të Shqipërisë

Pjesa e parë

 

Asnjë shtet tjetër, asnjë grup shtetesh dhe asnjë organizatë ndërkombëtare nuk ka sot atë peshë, ato mundësi dhe atë vullnet politik që ka Amerika për t’u angazhuar në zgjidhjen e problemeve të mëdha të globit dhe nuk është në gjendje që të ofrojë të mirat globale që ofron Amerika. Askush, madje, nuk i afrohet Amerikës në këtë drejtim.

 

Një rend global i fragmentizuar

Kombet e Bashkuara nuk munden, pasi kjo organizatë ka konflikte në gjirin e saj, pra i mungon aftësia të flasë me një zë të vetëm për çështjet më të rëndësishme dhe të veprojë si një forcë e vetme kur merret vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me fatet e globit.

Bashkimi Europian ka të njëjtin problem. Rusia dhe Kina, për shkak të sistemeve të tyre politikë dhe të sjelljes së tyre në arenën ndërkombëtare, nuk munden – dhe as nuk duan.

Edhe pse Amerika nuk mundet t’i zgjidhë e vetme të gjitha problemet e mëdha të globit, asnjë problem i rëndësishëm në kohën tonë nuk mund të zgjidhet dot pa pjesëmarrjen dhe lidershipin e Amerikës. Por, edhe pse Amerika vërtet nuk ka nevojë t’u marrë leje për të vepruar as Europës, as fuqive të tjera të mëdha, që të ketë sukses, ajo ka nevojë për mbështetjen e tyre.

Këtë realitet objektiv e pranon edhe vetë Shtëpia e Bardhë, e cila, në Strategjinë e Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara, thekson se: “Shtetet e Bashkuara nuk mund të bëjnë shumë…në këtë botë pa bashkëpunimin e qëndrueshëm të aleatëve dhe të miqve të saj në…Europë”.

Nuk ka dyshim se disa shtete të tjerë janë gjithashtu mjaft të fuqishëm sa të ushtrojnë influencën e tyre në zhvillimet politike në rajone të caktuara, ose në shkallë globale, edhe pse, në krahasim me Amerikën, ato mbeten fuqi të rangut të dytë.

Japonia dhe Gjermania, për shembull, janë fuqitë më të mëdha ekonomike në botë (pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës), por angazhimi dhe ndikimi i tyre në çështjet e mëdha të globit mbetet i kufizuar, veç të tjerash edhe për shkak se asnjëra prej tyre nuk bën pjesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Franca dhe Britania e Madhe, nga ana e tyre, mund të projektojnë influencë diplomatike në rajone të veçanta të globit dhe, në njëfarë mase, edhe fuqinë e tyre politike e ushtarake, por angazhimi dhe ndikimi i tyre në shkallë globale, gjithashtu, janë të kufizuar e të kushtëzuar.

Rusia ka ruajtur disa elementë si fuqi e madhe ushtarake dhe, gjatë 15 viteve të fundit ka treguar (si në rastin e Iranit, të Sirisë dhe, së fundmi, me aneksimin e Krimesë), se është në gjendje të projektojë një influencë të madhe ekonomike, politike, diplomatike dhe ushtarake në një hapësirë gjeografike shumë të gjerë rreth kufijve të saj.

Kina dhe India po shndërrohen me ritme të shpejta në fuqi të mëdha dhe rivalizojnë për përparësi gjeopolitike në Azi. Sidoqoftë, përveç ndikimit të tyre (veçanërisht të Kinës) në ekonominë, në sistemin financiar dhe në tregun botëror, as njëra, as tjetra nga këto dy fuqi të mëdha nuk është në gjendje, sot për sot, të projektojë një influencë politike e diplomatike të konsiderueshme përtej rajonit të Azisë Juglindore dhe Pacifikut.

 

Dështimi i profecive mbi finis Americae

Ndër fuqitë e mëdha të kohës sonë, vetëm Amerika ka dhe vazhdon të ruajë të gjitha tiparet e një shteti hegjemon, i cili është në gjendje të projektojë fuqinë e vet ekonomike, ushtarake, politike, diplomatike e teknologjike në të katër anët e globit. Siç vë në dukje Francis Fukuyama, “Pesha de facto e Shteteve të Bashkuara në skenën globale ka krijuar një mungesë balance inherente. Shtetet e Bashkuara mund të ushtrojnë ndikimin e tyre në shumë vende të botës, ndërkohë që asnjë prej tyre nuk është në gjendje të influencojë në të njëjtën masë mbi Shtetet e Bashkuara”.

Mund të duket sikur ngjarjet e 11 shtatorit 2001 i dhanë fund “shekullit amerikan” dhe se me “rënien” e supermacisë amerikane, struktura politike e sistemit ndërkombëtar ka ndryshuar. Në fakt, qysh pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur Shtetet e Bashkuara u bënë fuqia dominuese e globit, duke prodhuar gjysmën e GDP-së së tij, kjo nuk është hera e parë që mendohet se hegjemonia amerikane po merr fund. Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, profecitë mbi finis Americae janë përsëritur thuajse çdo dhjetë vjet.

Për herë të parë, kjo ndodhi në fundin e viteve 1950, kur Bashkimi Sovjetik lëshoi ‘Sputnikun’ e tij në hapësirën kozmike dhe me këtë u besua se ky vend do t’ia kalonte Amerikës në çdo drejtim. Kjo ngjarje u pasua më vonë nga paniku, mjaft i përhapur, në fillim të viteve 1960, se Bashkimi Sovjetik e kishte lënë pas Amerikën në teknologjinë e armëve bërthamore dhe në numrin e tyre. Në fillim të viteve 1960, vetëm një dekadë pasi ekspertë dhe analistë të marrëdhënieve ndërkombëtare kishin zhvilluar konceptin e “dypolaritetit”, studiues të ndryshëm filluan, madje, të argumentonin se, me rimëkëmbjen ekonomike të Europës dhe të Japonisë, bota po bëhej “shumëpolare”.

Për herë të dytë, kjo ndodhi në vitet 1970, pas rënies së Saigonit dhe stagflacionit në Shtetet e Bashkuara. Në atë periudhë, Richard Nixon dhe Henry Kissinger besonin se sistemit dypolar i kishte ardhur fundi dhe predikuan krijimin e një bote “shumëpolare”, të drejtuar nga pesë fuqitë e mëdha të globit. Pas dështimit të Amerikës në Vietnam, ishin të shumtë ata, të cilët shpallën krijimin e një bote shumëpolare. Sidoqoftë, teksti më me influencë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në atë kohë, Teoria e Politikës Ndërkombëtare (Kenneth Waltz), argumentonte se, pavarësisht perceptimeve gjerësisht të përhapura mbi fundin e sistemit dypolar, një analizë e vëmendshme e strukturës materiale të botës tregonte se sistemi global vazhdontetë ishte, në thelb, dipolar.

Për herë të tretë, pikëpamja se Amerika po e humbiste rolin e saj dominues në botë u bë shumë e përhapur në vitet 1980, kryesisht si rezultat i sfidës ekonomike të Japonisë. Në atë kohë, historiani i njohur amerikan, Paul Kennedy, predikoi rënien e Shteteve të Bashkuara si pasojë e “tejshtrirjes imperiale” të saj. Në vitet 1980, shumëkush besonte se Japonia do të bëhej sunduesja ekonomike e globit. Disa blerje spektakolare që bënë kompanitë japoneze në Shtetet e Bashkuara – përfshirë edhe blerjen e qendrës së famshme “Rockefeller Plaza”, në zemër të Manhatanit, si edhe “Pebble Beach” në Kaliforni – krijuan paranojën dhe mitin se “Japonia po e blen Amerikën” dhe u bënë, për një kohë, simbol i të ardhmes së Japonisë. Më 1991, Chalmers Johnson formuloi shprehjen e tij të famshme: “The Cold War is over, and Japan won” (Lufta e Ftohtë ka mbaruar dhe Japonia fitoi), e cila u bë një ndër sloganet më popullore në Europë, në Azi dhe në Amerikën Latine. “Paniku” që u krijua në atë kohë, sidoqoftë, nuk zgjati shumë kur u provua se blerjet prej kompanive japoneze ishin bërë për një vlerë më të madhe sesa vlera reale e industrive të shitura. Që nga ajo kohë dhe për shumë vite me radhë, ekonomia japoneze ka qenë pothuajse në stanjacion, ndërsa ekonomia amerikane, e cila ndërkohë zhvilloi Internetin dhe teknologjinë e informacionit, është rritur më shumë se 50 për qind.

Në të gjitha këto raste, ndryshimet që ndodhën në arenën ndërkombëtare ishin reale dhe, pa dyshim, shumë të rëndësishme. Ato sugjeronin se, në një planet, i cili përveç Amerikës popullohet edhe nga fuqi të tjera të mëdha, fuqia politike, ekonomike dhe ushtarake mund tërishpërndahej. Sidoqoftë, asnjë nga episodet e sipërpërmendura, as në vitet 1950-1960, as në vitet 1970, as në vitet 1980, nuk e transformoi strukturën e sistemit global të marrëdhënieve ndërkombëtare në një sistem shumëpolar, në të cilin tri ose më shumë fuqi, pak a shumë të barabarta, të konkurronin dhe të balanconin mes njëra-tjetrës peshën politike të globit. Deri në dezintegrimin e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës, bota mbeti dypolare. Pas kësaj kohe, pesha e gravitetit të saj politik, ekonomik dhe ushtarak filloi të bjerë – dhe vazhdon të bjerë – mbi Amerikën, e cila vazhdon të mbetet e vetmja superfuqi.

 

Gjeopolitika dhe pllakat tektonike të globit

Perceptimet mbi ndryshimin e strukturës së sistemit global janë ushqyer nga besimi se, me fuqizimin ekonomik e ushtarak të shteteve të tjera dhe me daljen në skenën botërore të fuqive të reja të mëdha, Amerika do të humbiste supremacinë e saj dhe influenca e saj në skenën globale do të balancohej nga ajo e fuqive të tjera. Mite të tilla, shpeshherë, ushqehen nga iluzioni materialist se fuqia ekonomike krijon domosdo influencë gjeopolitike dhe statusin e një “aktori polar”. Japonia dhe Gjermania – dy fuqitë ekonomike më të mëdha, pas Shteteve të Bashkuara dhe Kinës – të cilat, gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, shfrytëzuan ndihmat financiare dhe ombrellën mbrojtëse të Amerikës për të rindërtuar ekonomitë e tyre moderne të industrializuara, janë shembuj të qartë që tregojnë se zhvillimi dhe fuqia ekonomike e një vendi nuk e transformojnë atë domosdoshmërisht edhe në një fuqi politike dhe ushtarake. Me fjalë të tjera, “gjeoekonomia” nuk përkthehet vetvetiu në “gjeopolitikë”.

Përveç kësaj, miti tashmë shumë i përhapur se “shekulli amerikan” ka mbaruar dhe se shekulli i 21-të do të jetë “shekulli kinez” mbështetet mbi një argument të rëndësishëm – por të njëanshëm – sipas të cilit, ngritja e Kinës si një fuqi e madhe po e transformon peizazhin ekonomik dhe politik të globit, pa i kushtuar vëmendjen e duhur një argumenti tjetër, po kaq të rëndësishëm. Ky argument ka të bëjë me faktin se vetë ngritja e Kinës është rezultat i ndryshimeve ekonomike, teknologjike dhe politike që po ndodhin në një botë gjithnjë e më të globalizuar, ndryshime këto, të cilat e shtyjnë Kinën jo drejt izolimit dhe autarkisë, si deri tri dekada më parë, por drejt një integrimi dhe bashkëpunimi më të madh me aktorë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, në radhë të parë, me fuqinë më të madhe politike, ekonomike, ushtarake e teknologjike të botës—Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ngritja ekonomike e vendeve në zhvillim, në radhë të parë e Kinës dhe e Indisë, dëshmon pikërisht një ndër arritjet më të mëdha të Amerikës në botën e sotme. Duke garantuar siguri, duke eksportuar kapitalin e saj, duke shitur mallra dhe shërbime dhe duke krijuar teknologji të reja, Amerika ka mundësuar realisht fuqizimin e tyre. Siç shkruan eksperti i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, Rajan Menon, suksesi i këtyre vendeve, dhe veçanërisht i Kinës, i detyrohet shumë “forcës së shembullit amerikan, depërtimit të kapitalit nga Shtetet e Bashkuara (dhe nga vende të tjera kapitaliste më të zhvilluara), si edhe arsimimit që legjione të tëra kinezësh kanë marrë në universitetet më të mira amerikane”.

Në ditët tona, “pllakat tektonike” të rendit global që sundoi shekullin e 20-të po zhvendosen. Drejtimi i lëvizjes së tyre nuk mund të dihet me siguri absolute. Kjo lëvizje nuk diktohet nga ligjet e gjeofizikës, por nga ligjësitë e gjeopolitikës dhe të gjeo-ekonomisë globale, të cilat sot determinohen gjithnjë e më shumë nga zgjerimi e thellimi i proceseve globalizuese. Analiza e të dhënave të këtyre të fundit nuk ka të bëjë me strukturën e brendshme të planetit tonë, por me strukturën dhe natyrën e marrëdhënieve mes Fuqive të Mëdha, të cilat, nga ana e tyre, përcaktojnë sigurinë dhe ardhmërinë e globit. Prognozat për zhvillimet e ardhshme globale i bëjnë të vështira jo vetëm sjelljet – shumë herë të paparashikueshme – të shteteve që janë aktorë të rëndësishëm në politikën ndërkombëtare, por edhe pamundësia për të parashikuar zhvillime të tilla në shkencë dhe në teknologji, të cilat mund të sillnin një përmbysje të realiteteve ekzistuese dhe një botë krejtësisht ndryshe nga ajo që mund të imagjinojmë sot.

Në një intervistë botuar në fillim të vitit 2008 në ‘The Wall Street Journal’, Henry Kissinger vinte në dukje se struktura ndërkombëtare që ne kemi njohur për 300 vjet—sistemi ëestfalian që lindi pas luftërave fetare në Europë dhe që bazohet në shtetin nacional—po shembet. Efektet transformuese të globalizimit dhe të teknologjisë së informacionit, ngritja e Azisë, rënia relative e influencës së Europës në marrëdhëniet ndërkombëtare, zgjerimi i islamizmit radikal dhe rëndësia më e madhe e aktorëve joshtetërorë, të gjithë këta faktorë së bashku, po prodhojnë një rend të ri botëror, ose [ndoshta] mungesën e një rendi të tillë. Sidoqoftë, pavarësisht tërheqjes së pjesshme e të përkohshme të Amerikës nga shumë zhvillime ndërkombëtare gjatë këtyre 10 viteve të fundit të administratës së Presidentit Obama dhe të Presidentit Trump dhe përqendrimit të Uashingtonit në problemet e brendshme të shoqërisë amerikane, Amerika nuk është kthyer në politikën izolacioniste të shekullit të 19-të dhe në atë të periudhës mes dy luftërave botërore, por vazhdon të mbetet e angazhuar në mënyrë aktive në zgjidhjen e problemeve të mëdha të globit. Edhe pse në ditët e sotme konstatojmë një rikthim të konkurrencës ndërkombëtare mes Fuqive të Mëdha, të cilat rivalizojnë për dominim rajonal, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë dhe do të vazhdojnë të mbeten edhe për një kohë të gjatë fuqia e vetme hegjemone e globit në një sistem, i cili do të akomodojë në mënyrë të arsyeshme interesat edhe të Fuqive të tjera të Mëdha—në radhë të parë, interesat e Kinës, të Bashkimit Europian, të Indisë, të Rusisë e të Brazilit—pa lejuar që ato të sfidojnë seriozisht hegjemoninë e saj.

 

Pax Americana

Amerika vazhdon të ruajë ndaj shtetit më të fuqishëm që vjen pas saj, ose ndaj të gjitha fuqive të mëdha të kohës, të marra së bashku, një “akumulim disproporcional të fuqisë” në tokë, në ajër dhe në dete dhe një superioritet më të madh se ç’ka pasur ndonjëherë, gjatë tre shekujve të fundit, ndonjë fuqi e madhe e vetme ndaj fuqive të tjera të mëdha. Përveç kësaj, teknologjia amerikane është, sot për sot, e paarritshme. Asnjë fuqi tjetër në kohën tonë nuk mund të krahasohet me Shtetet e Bashkuara në aplikimin e teknologjive më të avancuara të informacionit dhe të komunikimit për nevoja civile e ushtarake. Madje, Amerika po e bën gjithnjë e më të vështirë për fuqitë e tjera që të konkurrojnë me të në këtë aspekt, për shkak se shpenzimet e saj për kërkim dhe zhvillim (R&D) janë tri herë më të mëdha sesa ato të gjashtë fuqive të tjera të mëdha që vijnë pas saj, të marra së bashku. Në “koncertet” e mëparshme, Fuqitë e Mëdha kanë qenë aktorë thuajse të barabartë me njëri-tjetrin, ndërsa statusi i sotëm i Shteteve të Bashkuara ndryshon shumë nga ai i një fuqie të madhe “të barabartë” me fuqitë e tjera. Amerika nuk mund të konsiderohet një primus inter pares, sepse ajo qëndron, nga çdo pikëpamje, mbi të gjitha fuqitë e tjera të mëdha, pra është e pabarabartë me to.

Edhe pse Bashkimi Europian, Rusia, Kina dhe India mund të luajnë në të ardhmen një rol të rëndësishëm në sferat e tyre rajonale të influencës, ato nuk do të mund të bëhen dot, për një kohë relativisht të gjatë, më shumë se hegjemonë rajonalë, ndërkohë që Amerika do të vazhdojë të mbetet i vetmi vend hegjemon në shkallë globale, apo “hegjemoni global i të gjithë hegjemonëve të tjerë” rajonalë. Analisti i njohur amerikan, Robert Kagan, vë në dukje se “hegjemonia amerikane nuk ka të ngjarë të marrë fund edhe për një kohë të gjatë [veç të tjerash edhe] për shkak se një pjesë e madhe e botës, në të vërtetë, nuk e dëshiron këtë”. Pavarësisht kritikave që i bëhen politikës së jashtme amerikane në Moskë, në Pekin apo në Bruksel, Amerika mbetet “garantuesi kryesor i sigurisë globale” dhe, prandaj, “ajo që i shqetëson shumë vende, nuk është dominimi amerikan, por tërheqja dhe mosangazhimi i Amerikës” (Rajan Menon) në çështjet e mëdha të globit. Këtë përfundim e mbështeste në mënyrë mjaft të argumentuar një ndër mjeshtrit më të mëdhenj të gjeopolitikës, i ndjeri Zbigniew Brzezisnki, i cili shkruante: “Asnjë fuqi tjetër nuk është e aftë të luajë rolin që potencialisht mund dhe duhet ta luajë Amerika. Europës ende i mungon uniteti dhe vullneti politik, që janë esencialë për të qenë një fuqi globale. Rusia nuk mund të vendosë nëse ajo dëshiron të jetë një shtet euroaziatik autoritarist, imperialist dhe i prapambetur nga pikëpamja sociale, apo një demokraci e vërtetë moderne europiane. Kina po zhvillohet shpejt si fuqia kontinentale dominuese në Lindjen e Largët, por ajo ka Japoninë si rivale të saj dhe ende nuk është e qartë se si ajo do ta zgjidhë kontradiktën kryesore midis momentumit ekonomik dhe centralizmit burokratik të sistemit politik të saj. Indisë i duhet ende të provojë se, edhe nëse diversiteti i saj fetar, etnik dhe linguistik ngarkohet politikisht, ajo do të jetë në gjendje të ruajë unitetin dhe demokracinë e saj. Amerika ka monopolin e fuqisë ushtarake që mund të shtrihet në të gjithë globin, një ekonomi dhe inovacione teknologjike, të cilave nuk u afrohet asnjë vend tjetër. Të gjitha këto i japin asaj një autoritet politik të paparë në mbarë globin. Për më tepër, ekziston një bindje praktike, e cila, edhe pse e pashprehur, është kudo e përhapur, se sistemi ndërkombëtar ka nevojë për një fuqi stabilizuese efektive, dhe se, në një perspektivë të afërt, alternativa më e mundshme ndaj rolit konstruktiv global të Amerikës është kaosi”.

 

* * *

Historia ofron një mësim të madh për të gjithë, i cili mund të formulohej kështu: Të suksesshme kanë qenë dhe mbeten vetëm ato shoqëri, të cilat konsideratat dhe preferencat e tyre politike dhe ekonomike të sotme i kanë vënë dhe i vënë në shërbim të interesave të së ardhmes. Nëse Amerika është sot shoqëria më e zhvilluar, më kreative, më dinamike dhe më e suksesshme që ka njohur historia e njerëzimit, kjo ka ndodhur për shkak se, veçanërisht gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, ajo e ka aplikuar këtë parim qytetërues më mirë se çdo shoqëri tjetër moderne. Madje, pikërisht për këtë shkak, Amerika ka qenë dhe është në gjendje të luajë rolin e lidershipit botëror, duke përcaktuar drejtimet themelore të zhvillimit ekonomik, politik dhe kulturor në kohën tonë.

————————————————————-

Pjesa e dytë

Analiza që botova dje ishte një vlerësim i përgjithshëm i realiteteve gjeopolitike globale, për t’u pasuar, sot dhe nesër, nga një vështrim teorik e diplomatiko-pragmatik mbi konceptin “partneritet strategjik”, siç aplikohet ai në politikën e një shteti, si dhe mbi partnerët strategjikë globalë e rajonalë të Shqipërisë në politikën e saj të jashtme.

Për politikën e jashtme dhe partnerët strategjikë të Shqipërisë është folur e flitet shumë, sidomos në media, por, fatkeqësisht, për çështje të tilla kaq të rëndësishme flasin kryesisht njerëz që nuk janë marrë dhe nuk merren me politikën e jashtme, madje edhe të tillë që nuk kanë lexuar kurrë asgjë mbi këto çështje.

Kushdo ka një opinion dhe e sjell atë në studiot televizive sikur të ishte e vërteta e fundit, ndërkohë që, fatkeqësisht, njerëzit me përvojë në çështje të diplomacisë dhe ata që janë më të informuar në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare e të politikës globale heshtin. Shihni se ç’është thënë deri më sot për Turqinë dhe “rrezikun” e riotomanizmit të Shqipërisë për shkak të marrëdhënieve tona të mira me atë vend. Shihni se ç’është thënë e ç’thuhet për Greqinë dhe “shitjen” e interesave tona kombëtare në marrëdhëniet me këtë vend. Thuajse kushdo – edhe poetët, edhe pedagogë që s’dinë se ç’janë dhe që s’kanë shkruar e botuar kurrë një libër, edhe “opinionistë” të çdo lloji (me dhe pa ndonjë profesion të caktuar, përveç “opiniondhënësit”)—pra kushdo që thirret të shprehë një opinion në një program televiziv, ose rreket të shkruajë diçka për ndonjë gazetë, udhëzojnë se cilët shtete duken konsideruar partnerë strategjikë të Shqipërisë dhe cilët jo.

Më poshtë do përpiqem të hedh dritë mbi konceptin “partneritet strategjik” dhe, në vijim, të argumetoj se cilët shtete (dhe pse) janë e duhet të konsiderohen realisht partnerë strategjikë të Shqipërisë në politikën e saj të jashtme.

Mendimi strategjik dhe koncepti “partneritet strategjik”

Kultura strategjike. Analiza gjeopolitike e sistemit të sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare, siç argumentova në numrin e djeshëm, ndihmon për të kuptuar më mirë përmbajtjen dhe rolin e partneriteteve strategjike në politikën e jashtme të çdo vendi. Partneritetet strategjike përcaktohen mbi bazën e katër faktorëve kryesorë: (1) natyra politike e shtetit, (2) qëllimet strategjike dhe prioritetet e politikës së jashtme të tij, (3) pozita gjeopolitike e tij në rajonin ku bën pjesë, dhe (4) konjukturat gjeopolitike ndërkombëtare.

Në përputhje me këta faktorë bazë, ashtu si çdo shtet, edhe Shqipëria lipset të ketë qëllimet e saj strategjike afatmesme dhe afatgjata, që do të thotë, të planifikojë objektivat që synon të arrijë si shtet dhe si shoqëri. Qëllimet strategjike, që të mund të realizohen, kërkojnë përcaktimin eobjektivave strategjike të veçanta, që përfaqësojnë përparime graduale në realizimin e planit të përgjithshëm strategjik. Kjo bëhet e domosdoshme pasi qëllimet strategjike të “nivelit të lartë” shpeshherë janë abstrakte dhe, prandaj, edhe të vështira për t’i vlerësuar nga pikëpamja e realizimit të tyre, pa iu referuar disa objektivave specifike.

Formulimi i qëllimeve strategjike kërkon një vështrim të qartë strategjik dhe një perspektivë strategjike për zhvillimet e ardhshme, që t’u kushtojnë vëmendje strategjike rrethanave të reja të krijuara me fillimin e shekullit të 21-të, rreziqeve strategjike (për të qenë në gjendje t’i shmangim), si edhe sfidave strategjike (për të qenë në gjendje t’i përballojmë ato).

Koncepti bazë mbi të cilin mbështeten qëllimet strategjike të një shteti dhe marrëdhëniet e tij me shtete të tjera është dhe duhet të jetë gjithmonë interesi kombëtar. Në funksion të interesit kombëtar përcaktohen se (a) çfarë objektivash do të zgjidhen për t’u realizuar, duke shfrytëzuar mundësitë që promovojnë interesat kombëtare dhe duke i mbrojtur ato nga kërcënimet e mundshme; (b) fuqia dhe influenca kombëtare, si edhe instrumentet politikë, informalë, ekonomikë dhe ushtarakë të shtetit; (dhe (c) hartimi i një strategjie alternative që do të mund t’u përshtatej më mirë problemeve të shekullit të 21-të.

Në kohën e sotme po ndodhin ndryshime strategjike të rëndësishme, të cilat kërkojnë formulimin e koncepteve strategjike të reja dhe, mbështetur në to, konsiderata dhe analiza strategjike sa më të informuara. Shqipëria ka nevojë për një mendim strategjik të kualifikuar, i cili të evidentojënevojat strategjike të shoqërisë sonë, të parashtrohet sistemamtikisht në dokumente strategjikeshtetërore të rëndësishme, mbi bazën e të cilave të merren vendime strategjike, që përcaktojmëdrejtimet strategjike të politikës shtetërore dhe veprimet strategjike nga ana e qeverisë. Të gjitha këto duhet të synojnë në rritjen e shkallës së pavarësisë strategjike të vendit tonë nga kushtëzimet dhe qëndrimet voluntariste të shteteve të tjerë dhe të faktorëve të tjerë rajonalë e ndërkombëtarë.

Me fjalë të tjera, sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë të zhvillojë një kulturë strategjike, e cila të kultivojë e të promovojë ndërhyrje të hershme e të shpejta për të përballuar kriza dhe emergjenca të mëdha. Duke vënë në dukje rëndësinë që ka kulturëa strategjike, Javier Solana ka theksuar se, “zhvillimi i një kulture të tillë strategjike përmirëson vendimmarrjen dhe lehtëson ndërhyrjen e shpejtë, e po të jetë nevoja edhe energjike, në situatë krizash”.

Partneritetet strategjikë. Le të shtjellojmë shkurtimisht përmbajtjen e konceptit “partneritet strategjik”. Qysh në fillim, duhet thënë se ky është jo vetëm një koncept i ri në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, por edhe një koncept që ende nuk ka një definicion të qartë, madje as edhe një kuptim të vetëm. Ekspertë dhe studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare ende janë në kërkim të një koncepti më unifikues. Edhe vetë Bashkimi Europian nuk ka një kuptim të qartë se ç’kupton ai me “partneritete strategjike”, por vetëm thotë se dëshiron t’i krijojë ato. Për BE-në, partneritetet strategjike synojnë që, përmes përpjekjesh të përbashkëta, të promovojnëmultilateralizmin efektiv dhe t’u japing përgjigje sfidave të përbashkëta. Më konktretisht, BE synon që, përmes partnerëve strategjikë të saj, “të gjejë terren të përbashkët lidhur me çështje të një intreresi të përbashkët, mbështetjen e axhendave politike të njëri-tjetrit dhe veprimet e përbashkëta politike në nivel rajonal…ose global”.

Është e natyrshme që për BE-në, ashtu si edhe për çdo vend të veçantë, çështjet që janë me interes të përbashkët për palët ndryshojnë nga një partneritet te tjetri. Për shembull, në partneritetin me Shtetet e Bashkuara, çështje me interes të përbashkët për BE-në janë ato që kanë të bëjnë me sigurinë e rajonit të Atlantikut dhe me kundërterrorizmin. Me Rusinë, çështje të tilla përfshijnë energjinë dhe konfliktet e ngrira, çështjen e Iranit dhe stabilitetin në vendet që kufizohen me BE-në (kjo e fundit është një çështje që ka të bëjë me më shumë se një partner të vetëm). Me Kinën, çështje të një interesi reciprok për BE-në janë ato që kanë të bëjnë me sigurinë e energjisë, me ndryshimet e klimës dhe me mbrojtjen e mjedisit. Me Indinë, ato kanë të bëjnë me situatën në Afganistan dhe me stabilitetin global. Me Afrikën, çështje të një interesi reciprok për BE-në janë menaxhimi i krizave dhe integrimi rajonal.

Disa studiues mendojnë se mungesa e qartësisë konceptuale lidhur me partneritetet strategjike nuk përbën ndonjë problem. Giovanni Grevi pohon, madje, se ky mund të jetë një avantazh, ngaqë, për një koncept të tillë, njëfarë shkalle “fleksibiliteti” dhe “ambiguiteti konstruktiv” është e domosdoshme. Sipas tij, në mungesë të një koncepti uniform, ka vend për axhustime reciproke,koncensione, negociata, pragmatizëm dhe për një qasje inkrementale, pra për një zhvillim gradual.

Shumica e autorëve, sidoqoftë, mendojnë se fakti që partneritetet strategjike shihen dhe interpretohen në mënyra të ndryshme, si nga Bashkimi Europian, ashtu edhe nga aktorë të tjerë, është problematik. Ish-kryeministri kinez, Wen Jiabao, ka sugjeruar një përkufizim shumë të përgjithshëm për “partneritetin strategjik”. Sipas tij, “Bashkëpunimi në një partneritet strategjik duhet të jetë aftagjatë dhe i qëndrueshëm, duke i tejkaluar si diferencat ideologjike, ashtu dhe ato të sistemit shoqëror dhe impaktin e ngjarjeve të veçanta. Për më tepër, ai duhet të realizohet në mënyrë të barabartë dhe për dobinë reciproke të të dy vendeve”.

Edhe pse shumë analistë dhe autorë mund të pajtohen me këtë përcaktim, pjesa më e madhe mbajnë një qëndrim të ndryshëm kur bëhet fjalë për perceptimet dhe konfliket e interesave lidhur me përballimin konkret të sfidave të përbashkëta. Sipas tyre mungesa e qartësisë substanciale rrezikon tejshtrirjen e konceptit dhe krijon konfuzion, si brenda vetë BE-së, ashtu edhe jashtë saj.

Duke u përpjekur ta konkretizojë kuptimin e konceptit “partneritet strategjik”, Günther Maihold vlerëson të dy përbërësit e këtij koncepti: termat “partneritet” dhe “strategji”. Sipas tij, “partneriteti” është një ideal kulturor për formën e përbashkët të një marrëdhënie; ai nënkupton të drejta dhe detyrime të barabarta e reciproke, si dhe mundësinë e diskutimit në mënyrë konstruktive për zhvillimin bashkërisht të një marrëdhënieje. Partneriteti nënkupton, gjithashtu, edhe pritshmërinë e ekskluzivitetit. Termi “strategji”, nga ana e vet, i përdorur në marrëdhëniet mes shteteve, mund të krahasohet me konceptin ekonomik të “aleancave strategjike”, i cili mbështetet në bashkëpunimin mes aktorëve (ekonomikë), që bien dakord të prodhojnë diçka së bashku për të realizuar qëllime të përbashkëta. Për këtë arsye, konkurrenca e mëparshme mes tyre pezullohet, të paktën pjesërisht, ose përkohësisht. Bashkëpunimi, në këtë rast, nënkupton avantazh të përbashkët dhe sukses. Nga kjo perspektivë, strategjia mund të shihet si “një synim i mirëplanifikuar për arritjen e një qëllimi afatgjatë të përcaktuar qartë”, që ka objektiva të përcaktuara saktë, afate kohore dhe plane veprimi.

Partnerët strategjikë globalë të Shqipërisë

Konceptet mbi strategjinë e zhvillimit ekonomik e social të një vendi, mbi strategjinë e politikës së jashtme, si dhe mbi partneritetet strategjike të tij nuk mund të jenë të ngurta e të pandryshueshme. Ato duhet të pasqyrojnë e t’u përshtaten realiteteve dinamike të zhvillimeve rajonale e globale dhe nevojave që krijohen (a) për të akomoduar interesat kombëtare të vendit në këto realitete të reja, dhe (b) për të konkurruar me aktorë të tjerë në mjedisin rajonal dhe në skenën globale.

Mundësitë për t’iu përshtatur realiteteve te reja dinamike rajonale e globale përcaktohen ngaaftësitë kompetitive të çdo vendi për të konkurruar me aktorë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar. Teoria mbi kompetivitetin global, e formuluar nga ekonomisti i shquar i Universitetit të Harvardit, Michael Porter, është e vlefshme jo vetëm për suksesin ekonomik të një vendi në tregjet globale, por edhe për suksesin politik të tij në radhët e komunitetit ndërkombëtar. Ashtu sikurse suksesi i një vendi në industri dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë kushtëzohet nga kapacitetet e industrive të tij për inovacion dhe përmirësim të vazhdueshëm dhe, ipso facto, nga aftësitë konkurruese të tij në tregjet globale, po kështu, edhe suksesi politik i një vendi përcaktohet nga aftësitë e tij për të konkurruar ekonomikisht e politikisht me vendet e tjera të rajonit ku bën pjesë e më gjerë. “Çdo vend duhet të krijojë strategjinë e tij të rritjes, duke u mbështetur në procese që marrin shtysë së brendshmi, në përgjigje të kapaciteteve institucionale dhe të kushteve ekonomike të tij”. Pa një strategji të tillë nuk mund të jesh kompetitiv dhe, në një botë si kjo e sotmja, shkruan Porter, “nëse nuk je kompetitiv, je i humbur”.

Vështruar nga ky prizëm, politika e jashtme e Shqipërisë është dhe duhet të mbetet një politikëparimore, pra një politikë që udhëhiqet e duhet të udhëhiqet gjithnjë nga po ato vlera, parime norma që karakterizojnë politikën e jashtme të një vendi demokratik. Por, politika e jashtme e vendit tonë, ashtu si dhe politika e jashtme e çdo vendi tjetër demokratik, duhet të jetë, gjithashtu,realiste, fleksibile, pragmatiste dhe largpamëse, për të konkurruar për një pozitë dhe një status sa më dinjitoz në sistemin e sotëm të marrëdhënieve ndërkombëtare. Qasja “double-track“ (në dy drejtime), që propozon Giovanni Grevi, si një qasjeje transparente që është sa normative, aq edhe e mbështetur në interesat kombëtare, është një qasje e arsyeshme dhe e dobishme në zgjedhjen e partnerëve strategjikë.

Shqipëria nuk mund të mbetet në vend, nëse realitetet e reja dhe zhvillimet globale e rajonale i bëjnë të domosdoshme ndryshimet në marrëdhëniet e saj me shtete të tjerë, pra edhe zhvillimin e marrëdhënieve të një partneriteti strategjik me disa shtete. Prioritetet e politikave duhet të përcaktohen nga horizonti i kohës dhe nga ndryshimet e ndodhura ose të pritshme. Mbështetur në përcaktimet e dhëna më sipër mbi parimet që kushtëzojnë krijimin e aleancave strategjike me shtete të tjera, si dhe në mundësitë e nevojat konkrete të vendit tonë, gjykojmë se partnerë strategjikë globalë të Shqipërisë në politikën e saj të jashtme janë dhe duhet të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Brenda këtij të fundit, mund të synohej që marrëdhëniet me Gjermaninë të zhvilloheshin veçanërisht shumë dhe në ato drejtime, që ky vend të ishte realisht për ne një partner strategjik dhe, mundësisht, ta konsideronte edhe ai Shqipërinë një partner të tillë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për atë çka është dhe për atë që përfaqëson, Amerika mbetet partneri strategjik global më i rëndësishëm për Shqipërinë, edhe pse vendi ynë, për arsye të kuptueshme, nuk mund të jetë dhe nuk është një partner strategjik për Shtetet e Bashkuara. Edhe pse i njëanshëm dhe asimetrik, partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara ka qenë e mbetet më shumë një retorikë, sesa është një marrëdhënie e zhvilluar në të gjithë komponentët e tij—politikisht dhe ushtarakisht po; kulturalisht deri diku (dhe në mënyrë të njëanshme), kryesisht përmes granteve Fulbright dhe mundësive të tjera për shkëmbim eksperience në SHBA; ekonomikisht fare pak, kryesisht në formën e ndihmave e të granteve që ofron USAID, por thuajse aspak përmes investimeve të drejtpërdrejta amerikane ose shkëmbimeve të ndërsjella tregtare. Këto të fundit mund të bëhen më mirë se deri më sot fokusi për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe me këtë partner shumë të rëndësishëm strategjik të vendit tonë.

Edhe pse SHBA vazhdon të jetë e vetmja fuqi hegjemone e globit, ajo ka luajtur e vazhdon të luajë një rol aktiv, madje vendimmarrës në shumë prej institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare më të rëndësishme, si Organizata Botërore e Tregtisë, NATO, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe OKB-ja etj., në të cilat vendi ynë është anëtar dhe mund të përfitojë nga mbështetja amerikane.

Çdo administratë amerikane është motivuar në politikën e saj të jashtme nga bindja se demokracia liberale është e vetmja formë legjitime e qeverisjes dhe se forma të tjera qeverisjeje nuk janë veçse tranzitore. Kjo ka bërë që Shtetet e Bashkuara të kenë qenë dhe të jenë gjithnjë të gatshme për të “mbështetur popujt e lirë që i rezistojnë shtypjes dhe nënshtrimit” (Harry Truman), për “të paguar çdo çmim dhe për të përballuar çdo barrë” në mbrojtje të lirisë (John F. Kennedy), për të kërkuar “zgjerimin e demokracisë” në botë (Bill Klinton) dhe për të luftuar për t’i “dhënë fund tiranisë” (George W. Bush). Në fund të fundit, politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara ka synuar dhe synon të ruajë stabilitetin dhe qetësinë relative të sistemit aktual ndërkombëtar, duke vendosur, ruajtur dhe zgjeruar paqen dhe sigurinë kudo në botë. Këto synime janë në dobi edhe të vendit tonë, prandaj mbështetja e çdo qeverie shqiptare për Shtetet e Bashkuara duhet të shkojë deri në limitet e mundësive tona.

Bashkimi Europian. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë interesa të përbashkëta, jo vetëm në hapësirën transatlantike, por në mbarë globin. Së bashku, ato përbëjnë një koalicion, i cili është dominant në kohën e sotme, në të gjitha dimensionet kryesore të pushtetit e të influencës. Siç vë në dukje Brezinski: “Amerika dhe Europa janë, së bashku, baza e stabilitetit global, lokomotiva e ekonomisë botërore, neksusi i kapitalit intelektual global dhe i inovacioneve teknologjike. Ato, gjithashtu, kanë zhvilluar demokracitë më të  suksesshme në botë”. Për të gjitha këto arsye, Shtetet e Bashkuara edhe Europa mund të luajnë, së bashku, një rol shumë të rëndësishëm për krijimin e një klime paqësore dhe të një komuniteti ndërkombëtar më efektiv. Brzezinski argumenton se, “Amerika dhe Europa, së bashku mund të jenë forca decisive për të bërë mirë në botë. Të ndara, dhe veçanërisht nëse i kundërvihen njëra-tjetrës, ato garantojnë impas dhe kaos më të madh”. Nëse Europa dhe Amerika bien dakord mbi atë se cilat duhet të jenë rregullat dhe institucionet e rendit ndërkombëtar, është plotësisht e mundurqë ato të kontribuojnë në krijimin e një rendi ndërkombëtar më të drejtë e të qëndrueshëm. Për Shqipërinë, Bashkimi Europian është bërë prej kohësh një partner strategjik shumë i rëndësishëm, madje jetik, edhe pse, njëlloj si në rastin e Shteteve të Bashkuara, ky partneritet, deri në anëtarësimin eventual të vendit tone në BE, do të mbetet asimetrik dhe i njëanshëm. Sidoqoftë, për aq kohë sa Bashkimi Europian do të ekzistojë dhe do të ketë vullnetin politik të zgjerohet me anëtarë të rinj, çdo qeveri shqiptare do ta ketë prioritet të politikës së saj të brendshme e të jashtme anëtarësimin në të. Që anëtarësimi i Shqipërisë në BE të bëhet realitet, qeveria shqiptare kërkohet të angazhohet nëmënyrë të diferencuar në një diplomaci shumë më aktive se deri më sot me qeveritë e atyre vendeve që kanë qenë dhe janë skeptike e të pavendosura për çështjen e anëtarësimit të vendit tone dhe, sidomos, me qeveritë e vendeve kryesore të BE-së, ndonjë prej të cilave do të duhej të vlerësohej e të trajtohej si partnere strategjike. Ndërsa me Francën dhe me Hollandën mund të negociohej energjikisht që të mos e pengonin dhënien e statusit të vendit kandidat dhe, më pas, anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Gjermania, siç përmendëm më sipër, mund të synohej të bëhej, ashtu si Italia, mbështetësja kryesore në këtë proces, nëse ajo do ta konsideronte vendin tonë njëpartner atraktiv, edhe pse jo strategjik, me të cilin mund të bashkëpunohet. Një diplomaci politike, ekonomike, kulturore dhe publike energjike, që do të mobilizonte resurset dhe asetet tona kombëtare më të mira, mund të siguronte, brenda një kohe relativisht të shkurtër, partneritetin dhe mbështetjen aktive të këtij vendi për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Partneriteti dhe mbështetja energjike e Gjermanisë në këtë process do të kishin një ndikim shumë të madh edhe në aktorët e tjerë europianë.

 

Pjesa e tretë

Në analizën e botuar dje në DITA argumentova se partnerët strategjikë globalë të Shqipërisë në politikën e saj të jashtme janë dhe duhet të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Më poshtë argumentoj se cilët shtete janë partnerë strategjikë të vendit tone në rajonin e Ballkanait e të Mesdheut dhe cilët jo.

Kosova

Ndër shtetet fqinjë të Shqiprisëë, Kosova duhet vlerësuar si partneri ynë strategjik i natyrshëm dhe kryesor. Kosova është binjaku demografik i Shqipërisë. Kosova është vërtet një shtet i ri dhe me një peshë të vogël në rajon, madje i panjohur ende zyrtarisht nga dy prej Fuqive të Mëdha, anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Kina dhe Rusia), nga pesë prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian (Spanja, Sllovakia, Qipro, Greqia dhe Rumania—dy të fundit vende të rajonit tonë) dhe nga vetë Serbia, por asnjë vend tjetër i rajonit nuk ka përShqipërinë atë rëndësi strategjike dhe nuk përbën për interesat tona kombëtare atë faktor mbështetës që ofron Kosova. Historia dhe gjeografia kushtëzojnë marrëdhënie të një lloji të veçantë mes dy popujve dhe dy vendeve tona, të ngjashme (edhe pse për arsye të ndryshme) me marrëdhënien e veçantë mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe. Zhvillimet eviteve të fundit në marrëdhëniet mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës duhençuar e zhvilluar më tej në të gjitha drejtimet, për të shkuar eventualisht drejt heqjes së të gjitha barrierave që pengojnë shkëmbimet dhe integrimin ekonomik, arsimor e kulturor mes dy vendeve dhe dy popujve tanë. Që partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës të forcohet edhe më tej e të bëhet efektivisht më i rëndësishëm për të dyja palët, janë të domosdoshme njohja e mëtejshme ndërkombëtare e sovranitetit të Kosovës dhe anëtarësimi i saj në Organizatëne Kombeve të Bashkuara. Beteja diplomatike për të fituar njohjen e Republikës së Kosovës nga dy të tretat e vendeve anëtare të OKB-së dhe nga të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit është shumë e rëndësishme. Qeveria shqiptare mund t’u vijë në ndihmë më shumë se deri më sot përpjekjeve të qeverisë së Kosovës në këtë drejtim, përmes një diplomacie më të përqendruar e më aktive, veçanërisht me ato vende të BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe, sidomos, me Rusinë dhe Kinën.Edhe pse kjo detyrë duket shumë e vështirë, ajo mund të mos jetë krejt e pamundur. Për njohjen e Republikës së Kosovës nga Greqia, Spanja, Sllovakia, Rumania dhe Qipro mundtë shfrytëzohen më shumë e më mirë marrëdhëniet tona dypalëshe me këto vende dhe, sidomos, ndërmjetësimi i qeverive të vendeve kryesore të BE-së, sidomos i Gjermanisë, Francës dhe Italisë. Kjo kërkon zgjerimin, intensifikimin dhe zhvillimin në një shkallë më të lartë të marrëdhënieve dypalëshe të Shqipërisë me këta vende përmes një angazhimi më të madh të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe, veçanërisht, të ambasadave tona në kryeqytetet e tyre.

Në dallim nga shumë analistë skeptikë dhe nihilistë, me disa prej të cilëve jam përballur edhe ditët e fundit në debate televizive, unë nuk e shoh krejt e pamundur që pavarësinë e Kosovës ta njohin, në një kohë të caktuar, edhe Rusia e Kina. Për mendimin tim, kundërshtimi i Moskës për të njohur pavarësinë e Kosovës shpreh më shumë luajalitetin e saj tradicional ndaj Beogradit sesa është një politikë pragmatiste. Unë mendoj se nuk ka arsye të mjaftueshme të besohet se Moska i trembet realisht precedentit që mund të krijojë pavarësia e Kosovës për shkëputjen nga harta e sotme e Rusisë e Çeçenisë dhe e republikave të tjera myslimane të Kaukazit Verior, si Dagestani, Kabardino-Balkaria, Ingushetia, Karaçevo Çerkesia dhe Adigeja. Fati i këtyre territoreve objektivisht nuk ka tëbëjë aspak me fatin e Kosovës dherusët e dinë fare mirë këtë. Nuk është e pamundur që, në një të ardhme të afërt, Moska të adoptojë një qëndrim realist bismarkian për të mos hyrë më tej në konflikt me Fuqitë e tjera të Mëdha thjesht për shkak të Kosovës.

Për sa i përket Pekinit, ne nuk dimë se sa e shqetëson realisht udhëheqjen e sotme kineze eventualiteti i njohjes prej saj tëpavarësisë së Kosovës, për shkak të precedentit që mund të ketë ky veprim lidhur me të ardhmen e Tibetit, të Xinjangut, të rajoneve të largëta veriperëndimore të saj të banuara nga ujgurët turkë, ose të provincave të tjera me tendenca separatiste. Sidoqoftë, për shkak se Kina nuk ka interesa të veçanta në Kosovë, Pekini, i cili vazhdon t’i përmbahet politikës së “buzëqeshjeve në shumë drejtime”, mund të tregohej fleksibël dhe të pranonte çfarëdo zgjidhjeje që do të mund të arrihej nga anëtarët e tjerë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Në fund të fundit, Kosova nuk përbën një shqetësim global, i cili të meritonte vëmendjen serioze të Kinës si një fuqi globale.

Kina, nëse perifrazojmë një shprehje të ish-kryeministrit britanik, Neville Chamberlain, nuk do të rrezikonte një përplasje me Perëndimin “për popullin e një vendi të largët, për të cilin di fare pak”. Si edhe në raste të tjera, Pekini mund të mos angazhohet në një rol aktiv në çështjen e pranimit të Kosovës në OKB, pasi ai nuk dëshiron të dëmtojë sadopak marrëdhëniet shumë më tërëndësishme me Shtetet e Bashkuara përnjë çështje që nuk është esenciale dhedrejtpërsëdrejti e lidhur me axhendën etij aziatike.

Unë mendoj se diplomacia shqiptare lipset të argumentojë më mirë se shqetësimi se gjoja njohja më e gjerë e pavarësisë së Kosovës do t’i destabilizonte Ballkanin ose territore të tjera në skaje të ndryshme të globit, është tejet i ekzagjeruar dhe se përvoja e viteve të fundit në Ballkan dëshmon se, përkundrazi, krijimi dhe njohja e Republikës së Kosovës e ka stabilizuar më tej këtë rajon.

Diplomatët shqiptarë mund dheduhet të argumentojnë më mirë seKosova është një rast unik; ai dallonshumë nga rasti i baskëve dhe ikatalanëve në Spanjë, nga Qiprojaturke, nga Çeçenia, Nagorno-Karabaku, Tibeti, Xinjangu apo Mongolia e brendshme. Ashtu sikurse është jorealiste dhe e gabuar të aplikojmë koncepte ngushtësisht sempliste në kontekste të ndryshëm kombëtarë e rajonalë, po ashtu është jorealiste dhe e gabuar të përgjithësojmë mbi situata të ndryshme që ekzistojnë në kontekste të ndryshëm gjeopolitikë.

Italia

Ky vend, i cili është ndër të parët shtete anëtarë të Komunitetit Europian dhe të NATO-s, si dhe një ndër shtatë vendet më të industrializuara të globit, ka qenë dhe mbetet një partner strategjikshumë i rëndësishëm për Shqipërinë. Ky partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë është pranuar e formalizuar madje edhe përmes dokumenteve zyrtare të të dy shteteve. Ai është zhvilluar ndër vite në mënyrë konkrete në rrafshinpolitik (përmes mbështetjes së ndërsjellë të axhendave politike dhe shkëmbimeve intensive të vizitave të personaliteteve më të larta të të dy vendeve tona), në rrafshin ekonomik (përmes investimeve italiane në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare), në rrafshin njerëzor (për shkak të një numri të konsiderueshëm shqiptarësh që jetojnë, punojnë ose shkollohen në Itali), si edhe në atë kulturor (për shkak të marrëdhënieve të afërta e të shkëmbimeve të shpeshta në shumë fusha të kulturës e të artit). Italia ka qenë dhe mbetet jo vetëm një ndër investitorët kryesorë në ekonominë shqiptare, por edhe mbështetësi kryesor i përpjekjeve për anëtarësimine vendit tonë në Bashkimin Europian. Ekzistojnë të gjitha mundësitë që marrëdhëniet ndërshtetërore dhe partneriteti strategjik, i cili është real, më këtë vend të zgjerohen e të zhvillohen më tej në të ardhmen.

Turqia

Ky vend është shumë i rëndësishëm, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin e Ballkanit, për rajonin më të gjerëtë Lindjes së Mesme dhe, sidomos, të Azisë Qendrore (i cili, sipas Brzezinskit, mund të bëhet “Ballkani i nesërm global”), si dhe për vetë Bashkimin Europian. Edhe pse një vend me të cilin Shqipëria nukndan as kufirin e saj tokësor dhe as kufirin detar, Turqia është një vend mesdhetar dhe një vend ballkanik. Proksimiteti gjeografik e bën Turqinë një partner strategjik veçanërisht të rëndësishëm për vendin tonë. Me popullsinë e vet 82-milionëshe (e njejtë me popullsinë e Gjermanisë) dhe shumë të re në moshë (dy të tretat e së cilës janë nën 35 vjeç), në mes të këtij shekulli Turqia do të ketë një popullsi më të madhe sesa popullsia e Francës dhe e Anglisë, të marra së bashku). Po kështu, me tregun e saj (një ndër dhjetë tregjet më dinamikë në kohën e sotme), me shkallën e lartë të rritjes së saj ekonomike (një ndër ekonomitë që do të njohë rritjen më të madhe në 50 vitet e ardhshëm, sipas një raporti të kohëve të fundit të OECD-së), me sistemin e saj demokratik, me ushtrinë më të madhe (pas Amerikës) ndër të gjitha vendet anëtare të NATO-s, me pozitën gjeografike dhe influencën e saj shumë të madhe në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Azinë Qendrore, Turqia është një vend që meriton një vëmendje shumë më të madhe se deri më sot nga politika shqiptare. Ish-Kryeministri britanik, David Camerun, është shprehur se pranimi i Turqisë në BEdo ta forconte edhe vetë BashkiminEuropian, do t’i jepte BE-së një peshëmë të madhe gjeopolitike dhe një rol më të rëndësishëm në politikën globale. Një Bashkim Europian me Turqinë, sipas tij, do të ishte “jo më i dobët, por më i fortë, jo më i pasigurt, por më i sigurt, jo më i varfër, por më i pasur”. Përveç Bashkimit Europian, Turqia është një vend shumë i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për Rusinë dhe për Kinën. Dhe nëse ky vend mesdhetar, me një këmbë në Ballkan, është kaq i rëndësishëm për fuqitë më të mëdha të globit, ai duhet të konsiderohet sishumë i rëndësishëm edhe për një vend të vogël si Shqipëria. Arsyeja dhe përvoja historike e këtyre 80 viteve të fundit na bindin se marrëdhëniet me Turqinë janë shumë të rëndësishme për vendin tonë dhe se partneriteti me të duhet të jetë i një rëndësie strategjike, njëlloj (edhe pse për arsye të ndryshme), si partneriteti me fqinjët tanë, Italinë dhe Greqinë.

Greqia

Greqia është dhe do të jetë gjithmonë fqinji ynë jugor. Ky është një realitet gjeopolitik nga i cili ne s’mund “të shpëtojmë” dot. Ne dotë dëshironim shumë që Greqia të ishte ekonomikisht më e zhvilluar, të mos kishte pësuar krizën e rëndë financiare (e cila vazhdon), që marrëdhëniet me këtë vend të mos kishin njohur ulje-ngritjet që kemi parë deri më sot, që politika e saj në rajon të ishte më konstruktive (duke mos refuzuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke mos e mbajtur Maqedoninë peng të emrit të saj për 25 vite me radhë dhe duke mos e penguar anëtarësimin e saj në NATO), që pesha e saj në BE të ishte më e madhe. Por Greqia nuk është ky vend, siç dëshmojnë, veç të tjerash, edhe mosnjohja zyrtarisht prej saj e kufijve tokësorë të vitit 1913 me Shqipërinë, mbajtja në fuqi formalisht e ligjit të luftës, mosrespektimi i të drejtave pronësore të popullsisë çame, etj. Ndër kriteret që kushtëzojnë partneritetin strategjik mesdy shteteve janë reciprocitetidhe pritshmëria e ekskluzivitetit. Ne dëshirojmë ta konsiderojmë Greqinë si partnerin tonë strategjik, por a është Shqipëria një partner strategjik për Greqinë? Në dijeninë time, nuk ekziston ndonjë dokument i qeverisë greke, në të cilin Shqipëria të jetë cilësuar si një partner strategjik i saj. Partneritetet strategjike mundet të krijohen vetëm nëse—dhe pasi—dyvende (a) identifikojnë interesa tëpërbashkëta mes tyre, (b) bien dakord dhe (c) kanë reciprokisht vullnetin për t’i realizuar ato. Le të shpresojmë se zgjidhjet e problemeve të mbetura pezull në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të cilat kanë shprehur vullnetin e mirë dhe janë angazhuar kohët e fundit qeveritë e të dy vendeve, do t’í shërbejë pikërisht krijimit te një partneriteti strategjik efektiv mes Tiranës dhe Athinës. Proksimiteti gjeografik, ose të qenit fqinjë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se dy vende fqinjë janë edhe partnerë strategjikë për njëri-tjetrin. Shumë herë, vendet fqinje kanë qenë dhe janë jo partnerë strategjikë, por rivalë strategjikë të njëri-tjetrit. Në këtë kuptim, politikae fqinjësisë së mirë dhe partneritetistrategjik janë dy koncepte dhe dy realitete të ndryshme.

Fjala vjen, Gjermania dhe Franca, Rusia dhe Kina, kjo e fundit dhe Japonia, Kina dhe India, Irani dhe Iraku etj., duke qenë vende fqinjë të njëri-tjetrit, kanë qenë historikisht rivalë strategjikë për njëri-tjetrin. Greqia dhe Shqipëria nuk janë rivalë strategjikë të njëri-tjetrit, por këto dy vende,objektivisht dhe subjektivisht, nuk janë, sot për sot, as partnerë strategjikë, edhe pse thuajse çdo shqiptar në këta 24 vitet e fundit e ka konsideruar Greqinë një partner të tillë. Potencialisht, Greqia mund të bëhet një partner strategjik i rëndësishëm për vendin tonë, nëse ajo ndryshon disa prej qëndrimeve të saj të derisotme në marrëdhëniet me vendin tonë dhe e vlerëson Shqipërinë, reciprokisht, një partner strategjik të saj.

Serbia

Dikur Serbia ka qenë jo vetëm qendra gjeografike dhe politike e Ballkanit, por edhe arsyeja metafizike e tragjedisë së popujve të këtij rajoni. Serbia e sotme është një tjetër Serbi. Ideja mbi “Serbinë e Madhe” dhe politikat që i shërbenin asaj tashmë janë bërë përfundimisht pjesë e analeve të historisë. Për Serbinë sot ka vetëm një alternativë realiste: të pranojë situatën e re gjeopolitike në Ballkan dhe të krijojë një vend të ri për popullin e saj në këtë rajon të transformuar. Është në interesin e vetë Serbisë që të pranojë se Kosova është përfundimishte humbur për të dhe zyrtarishtta njohë atë si një shtet sovran etë pavarur. Ky koncept, madje, nuk është i huaj as për një pjesë të politikanëve të moderuar dhe të qytetarëve të zakonshëm serbë. Shumë prej tyre shprehen privatisht se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte e pashmangshme dhe se Beogradi duhet të mësohet të jetojë me këtë realitet. Sado politikisht e vështirë të jetë kjo perspektivë për Beogradin, herët ose vonë, udhëheqësit serbë do ta kuptojnë se ata nuk duhet të vazhdojnë ta mbajnë të ardhmen e Serbisë peng të fantazmave mesjetare apo të një të kaluare të imagjinuar, duke pretenduar se Kosova është “Jeruzalemi i Serbisë”. Në vend që të vazhdojnë të përdorinnjë retorikë nacionaliste ekstreme dhe demagogji, të cilat do ta mbanin Serbinë edhe më tej larg Europës së Bashkuar, udhëheqësit e sotëm të Beogradit lipset të fokusohen në ato çështje që e afrojnë atëme Bashkimin Europian dhe e integrojnë në të. Dialogu i gjatë dhe i vështirë mes Prishtinës e Beogradit dhe Marrëveshja e Brukselit, e arritur mes tyre me ndërmjetësinë e Përfaqësuesit të Lartë për Çështjet e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Bashkimit Europian, znj. Catherine Ashton, më 19 prill 2013, janë një tregues domethënës se me qarqet e moderuara të politikës serbe mund të bashkëpunohet dhe se, pas anëtarësimit të një pjese të vendeve të rajonit tonë në NATO dhe në BE, për të gjitha vendet tona është hapur një perspektivë e re, pa precedent në historinë e mëparshme të këtij rajoni, për bashkëpunim, përzhvillim të mëtejshëm ekonomik dhe për forcimin e paqes e të sigurisë kolektive. Në dobi të zgjidhjes përfundimtare të konflikteve e të mosmarrëveshjeve mes Beogradit dhe Prishtinës, të njohjes zyrtare të Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, të zgjerimit e të thellimittë bashkëpunimit dypalësh me Serbinë, si dhe të zgjerimit të bashkëpunimit rajonal e të forcimit të paqes e të sigurisë në rajon, qeveria shqiptare është e interesuartë zhvillojë marrëdhënie korrektee miqësore me Beogradin.

Maqedonia

Si fqinji ynë lindor dhe si një vend, në territorin e të cilit jeton një komunitet etnik shqiptar shumë i madh (mbi gjysmë milion), Maqedonia është një partner i rëndësishëm për vendin tonë, por jo një partner strategjik, për shkak të peshës që zë dhe të potencialeve të saj në shkallë rajonale. Sidoqoftë, është me rëndësi që marrëdhëniet ndërshtetërore, si dhe ato ekonomike, njerëzore e kulturore mes Shqipërisë dhe Maqedonisë të zgjerohen e të zhvillohen më tej, për të krijuar e ruajtur një realitet paqësor dhe një frymë bashkëpunimi e miqësie mes dy vendeve dhe dy popujve tanë. Kjo bëhet edhe më imperative nëse mbajmë parasysh se, me ndryshimin e raporteve demografiken ë favor të shqiptarëve, tensionet mes popullsive etnike maqedonase e shqiptare mund të rriten dhe agravimi i marrëdhënieve mes tyre të ketë pasoja destruktive për Maqedoninë, si dhe pasoja jo të vogla për vetë rajonin tonë. Si deri më sot—dhe siç është parashkruar në “Kartën e Adriatikut”, qysh nga nënshkrimi i saj, në Tiranë, në vitin 2003—Shqipëria duhet ta mbështesë fort anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe të bashkëpunojë me qeverinë maqedonase për të siguruar anëtarësimin e dy vendeve tona në BE. Kjo nënkupton, domosdo, një dialog konstruktiv të vazhdueshëm mes qeverive të të dy vendeve për të zgjidhur të gjitha çështjet e rëndësishme që shqetësojnë marrëdhëniet ndëretnikemes maqedonasve dhe shqiptarëve në Maqedoni.

Mali i Zi

Shqipëria është e interesuar dhe ka çdo mundësi për të zhvilluar marrëdhënie shumë të mira fqinjësie me Malin e Zi, në çdo fushë të veprimtarisë shtetërore e shoqërore. Kufiri shqiptaro-malazez gjerësisht i hapur e ka bërë këtë republikë të vogël të Adriatikut një destinacion tepër atraktiv për një numër gjithnjë e më të madh shtetasish shqiptarë, si dhe për një numër të madh shqiptarësh emigrantë në Europë. Ndonëse shkëmbimet tregtare e kulturore me Malin e Zi janë të pakta, është me rëndësi që marrëdhëniet ndërshtetërore mes dy vendeve tona të mbeten miqësore e të zhvillohen më tej, duke i shërbyer edhe mbrojtjes së të drejtave dhe përmirësimit të statusit të popullsisë shqiptare që jeton në atë vend. Qeveria shqiptare e mbështeti anëtarësimin eventual të Malit të Zi në NATO, sepse kjo i shërben edhe më shumë forcimit të sigurisë e të paqes në rajonin tonë. Gjithashtu, për Shqipërinë, anëtarësimi eventual i Malit të Zi në BE duhet konsideruar një zhvillim shumë pozitiv, pasi ai e sjell Bashkimin Europian në kufirin verior të vendit tonë.

Kroacia dhe Sllovenia

Këto dy vende, edhe pse nuk janë fqinjët tanë imediatë, janë të rëndësishëm për vendin tonë dhe për Kosovën në konstelacionin politik të Ballkanit, si dhe për marrëdhëniet e Shqipërisë e të Kosovës me Bashkimin Europian. Marrëdhëniet ndërshtetërore me këta dy vende janë shumë korrekte e miqësore, por ato nuk e justifikojnë shkallën e ulët të shkëmbimeve tregtare e kulturore të vendit tone me to. Zgjerimi dhe intensifikimi në fusha me interes reciprok i marrëdhënieve dhe i shkëmbimeve me këto dy vende demokratike të konsoliduara të Ballkanit Perëndimor, ashtu si dhe me Malin e Zi, do t’i shërbenin krijimit të një zone të zhvilluar e të sigurt në bregdetin lindor të Adriatikut./Dita/

Please follow and like us: