Spartak NGJELA: Ambasadori Lu dhe tre ithtarët e gënjeshtrës
Politika amerikane dhe ajo gjermane që janë sot aleatët e Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, duhet ta dinë se elita e korruptuar shqiptare është brenda filozofisë orientale të adhurimit të gënjeshtrës.
l.
Politika amerikanë kuptohet se aktualisht është e angazhuar kundër korrupsionit shqiptar në politikë dhe në organet e drejtësisë.
Këtë tani e kanë kuptuar të gjithë shqiptarët.
Kjo në fakt është ndihma më e madhe që Amerika po iu jep shqiptarëve, sepse eliminimi i këtij korrupsioni asfiksues do të jetë çlirimi i vërtetë i shqiptarëve nga zgjedha komuniste.
Diktatura shqiptare pas vitit 1991 kaloi nga një tirani nëpërmjet vrasjes dhe burgut, në degradimin moral të sundimit politik nëpërmjet parasë së vjedhur nga mundi i shqiptarëve. Por edhe nga një pushtim i gjendjes me anë të gënjeshtrës së ngritur në sistem, e cila po e degradon shoqërinë përditë e më shumë.
Po, tani, për faktin që amerikanët kanë marrë kushtetutën dhe ligjet reflekse antikorrupsion, gjithçka do shkojë deri në fund.
Megjithatë, ajo që konstatohet dhe që duhet ta dinë amerikanët është fakti se të korruptuarit e mëdhenj që janë në të dy krahët e politikës, mbi gjithçka, urrejnë të vërtetën.
ll.
Zoti Donald Lu!
In USA there is a long tradition according to which the koncept of truth is one of most important subjects.
Por këtë nuk e gjen dot fare te kjo klasë politike e korruptuar, e cila mbi të gjitha, urren të vërtetën.
Dhe ja shpjegimi, duke i marrë një e nga një:
Sali Berisha: ky ecën me filozofinë shterpë të Lindjes së Afërt që fjala ka dalë për të fshehur mendimin dhe të vërtetën.
Edi Rama: ky drejtohet nga filozofia shterpë dhe amorale e Perandorit romak August, sipas të cilës, politikë do të thotë vetëm gënjeshtër dhe pushtet do të thotë një gënjeshtër universale dhe amorale që të krijon sundimin politik mes frikës. Kjo në fakt ka qenë filozofia që shkatërroi virtytin në Europë për mbi njëmijë vjet.
Ilir Meta: ky ka filozofinë se gjithçka ecën përpara me anë të vjedhjes dhe se hajnia është epiqendra gravitacionale e moralit politik dhe shtetëror.
Ja këta janë.
Vërtet ju, zoti ambasador, mendoni që të krijoni apo të prisni vlerë nga kjo gurrë helmuese shqiptare, amoraliteti i së cilës ka një mijë vjet që është sfumuar në Perëndim?
Zoti Lu, e dini rrugën e shpejtë të Reformës në Drejtësi?
Kjo është eliminimi i menjëhershëm i mbartësve të më sipërm të filozofisë orientale të adhurimit të gënjeshtrës.
Kurrë mos ju shkojë në mend se mund të bëni një politikë perëndimore më tre ithtarët e mëdhenj të gënjeshtrës, vjedhjes dhe amoralitetit shqiptar.
Shqiptarët po presin likuidimin e tyre, dhe gjithçka është në dorë të politikës amerikane, Prokurores së Përgjithshme dhe ministrit të Brendshëm, të cilët sot janë me politikën amerikane.
Çdo vonesë krijon mosbesim dhe i jep mundësi treshes që të dëmtojë Reformën me vonesat që krijon.
Provat i keni mu përpara syve, është e kotë që t’i përmendim… Vetëm se, eliminimi i treshes së përmendur do të krijojë menjëherë optimizmin e domosdoshëm për të cilin ka sot nevojë e gjithë bota shqiptare në Ballkanin Perëndimor.