Cana nderohet në Gjakovë dhe rrëfen emocionet
Pas stadiumeve ‘Loro Boriçi’ dhe ‘Velodrome’, Lorik Cana i dha lamtumirën futbollit edhe në Gjakovë, qytetin e origjinës së prindërve të tij. Ish kapiteni i Kombëtares Shqiptare shkelmoi topin e parë në sfidën e sotme mes Vëllazënimit dhe Prishtinës, klasikes së futbollit kosovar.
“Pavarësisht vendeve ku kemi qenë aktivë, në qytetin tënd çdo gjë është më speciale. Pavarësisht se kam lindur në Prishtinë, prindërit e mi janë nga Gjakova dhe ky është qyteti im. Duke qenë se babai im, Agimi ka marrë detyrë të drejtojë klubin, mendoj se ishte një rast mjaft i mirë edhe për t’u përshëndetur me tifozët”, u shpreh Cana.
Agim Cana, babai i Lorikut, ka marrë presidencën e klubit gjakovar para pak ditësh, me synimin e vetëm, ringritjen e klubit. Loriku thekson se skuadra u mor në një gjendje të vështirë ekonomike, por shprehet se projekti është shumë interesant, raporton SS.
“Futbolli në Kosovë është vetëm në rritje e sipër. Ka kaluar shumë vështirësi ekonomike dhe infrastrukturore, por është vetëm në fillim të ngritjes dhe stabilitetit të futbollit. Vëllazënimi është në të njëjtën periudhë, kemi gjetur një gjendje të vështirë, por babi ka një plan shumë të mirë për ta rikthyer këtë klub, që ka nxjerrë shumë lojtarë si Naim Kryeziu, Besnik Hasi, etj. Ka shumë gjëra të mira për t’u bërë, por duhet pak durim dhe mbështetje për projektin”, tha Cana.
Tifozët vendas i rezervuan një pritje madhështore Lorikut, teksa shpalosën edhe një banderolë të madhe, me Canën kuqezi, ndërsa thërritën në kor emrin e tij.
“Kur sheh stadiumet plot me njerëz dhe kur çdo gjë shkon bukur, mendoj se e shijon edhe ndeshjen. Jam i lumtur për pritjen që mu bë, pasi u ndjeva jashtëzakonisht mirë. Unë kam qenë dhe do jem tifoz i Vëllazënimit deri në fund”, deklaroi Cana. /Express/