Albspirit

Media/News/Publishing

PD, rezolutë në Kuvend kundër kërcënimeve e fyerjeve ndaj gazetarëve nga zyrtarët shtetërorë

Partia Demokratike do i drejtohet Kuvendit me një rezolutë për të dënuar kërcënimet dhe fyerjet e zyrtarëve shtetërorë kundrejt gazetarëve. Përmes një statusi në rrjetin e saj social Facebook, deputetja demokrate Albana Vokshi shprehet e PD do të kërkojë zhvillimin e një debati në Kuvend për sjelljet e papranueshme dhe të paprecedentë ndaj gazetarëve.

“Përdorimi i gjuhës së dhunshme, shantazheve, përçmimi dhe sulmet politike ndaj gazetarëve inkurajojnë dhunë edhe fizike ndaj tyre dhe akte që ndikojnë në lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Në mbështetje të nenit 98 dhe 99 të Rregullores së Kuvendit, Partia Demokratike do të kërkojë zhvillimin e një debati në Kuvend për sjelljet e papranueshme dhe të paprecedenta ndaj gazetarëve të zyrtarëve të lartë shtetërore në Shqipëri”, shprehet Vokshi.

Ajo thekson se në mbështetje të nenit 55 të Rregullores së Kuvendit, Partia Demokratike do të dërgojë për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë edhe të një Projekt Rezolute për dënimin e përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe poshtëruese ndaj gazetarëve, si dhe njohjen e rolit të pazëvendësueshëm të medias së lirë në zhvillimin e demokracisë në Shqipëri.​

Sipas Vokshit Komiteti i Stabilizim Asociimit në Deklaratën e Përbashkët mes Parlamentit Europian dhe atij shqiptar ngriti shqetësimin për ndikimin e madh të interesave ekonomike dhe politike që rrisin autocensurën dhe rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve.

“Disa herë gazetarët kanë denoncuar ndërhyrjen direkte të Kryetarit të Bashkisë Tiranë në politikat editoriale dhe detyrimin e turpshëm për të transmetuar kasetat e tij pa dubla gjatë xhirim-mashtrimeve nëpër skutat e kryeqytetit.

Në cilën kullë të pushtetit jeton Erion Veliaj që shantazhon gazetarët, duke gërmuar jo vetëm në jetët e tyre personale, por duke iu bërë edhe biografinë e punëdhënësve të tyre?! Kjo sjellje përbën një agresion të paprecedent dhe përdorim të gjuhës poshtëruese dhe çnjerëzore ndaj gazetarëve, kopje e shëmtuar e Ramës në një sjelljeje që nxit dhunë dhe urrejtje”, tha Vokshi.

Please follow and like us: