Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi është antikushtetuese!
- NËSE KEMI KUFIJ ADMINISTRATIV NUK KA PSE MERRET FARE SI KRITER KUFIRI KADASTRAL. Pra, vetëm kur mungon ky kufij me fakte të tjera, ndër kriteret mund të jetë edhe kadastri, por kur ka harta zyrtare, dokumente ky kriter nuk vjen dot para tyre. Aq më keq akoma që për këtë zonë Mali i Zi nuk ka kadastra fare, por ka shfrytëzuar disa të Dardanisë dhe aty ku nuk ka kadastër, ky territor i është dhënë Malit të Zi.
Shkruan: Prof.dr.Elena Kocaqi
Komisioni që ka nënshkruar këtë marrëveshje, duhet të çohet për ndjekje penale dhe kushdo deputetë që do ta votojë një marrëveshje të tillë, e shkel rëndë Kushtetutën e vendit. Kjo marrëveshje për mua si juriste, por edhe për çdo jurist që njeh ligjin është Nul. Pse?
1- Mandati i Komisionit nuk është për përcaktimin e kufirit (delimitim), por është vetëm për caktimin e tij në terren (demarkim), ndërsa nga ana malazeze mandatet e Komisionit janë për të dyja. Çdo përcaktim kufiri nga një komision pa mandat është nul, dhe nuk ka asnjë pasojë juridike dhe duhet anuluar. Miratimi i kësaj marrëveshje nga Parlamenti është shkelje e rëndë e Kushtetutës së Dardanisë (Kosovës) dhe çdo deputet do të ketë deri përgjegjësi penale nëse e miraton. Komisioni ka vepruar Ultra Vires, përtej mandatit që ka pasur. Pra, një Komision që duhet të vinte vetëm piramidat në terren ka marrë përispër të vendosi kufirin dhe kjo është shkelje shumë e rëndë nga ana juridike.
2- Caktimi i kufirit në mënyrë të gabuar nga një Komision pa Mandat.
Në përcaktimin e kufirit mirë që ky Komision nuk ka mandat, por ka shkelur ligjin Ndërkombëtar. Në rastin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë është marrë si kriter parimi Uti Possidetis. Me këtë parim kuptohet se kufijt e një shteti, të cilët kanë pasur natyrë të kufijve administrativë, siç ishte rasti me shtetet e dala nga ish – Jugosllavia, transformohen në kufij ndërkombëtarë. Më 8 prill 2013, në Podgoricë, mes ministrave të Punëve të Brendshme të Malit të Zi dhe të Kosovës, z. Konjeviq dhe z. Rexhepi, është deklaruar që: “Konfirmohet pajtimi dypalësh që përcaktimi i kufirit shtetëror mes Malit të Zi dhe R. Kosovës të jetë konform kufirit administrativ, i cili ishte përcaktuar në ish RSFJ, në vitin 1974”.
Komisioni pa mandat nuk ka marrë parasysh kufijtë administrativ dhe as hartat topografike me kufij të qartë administrativë për territorin e Kosovës (Dardanisë) që janë me dhjetëra harta nga viti 1945 e këtej. Nuk është marrë asnjë nga dhjetëra dokumente që tregojnë kufirin në Çakorr, as juridiksioni i Gjykatave, por është marrë si kriter vetëm kufiri “kadastral – administrativ”. Kriteret për përcaktimin e kufijve administrativë (1945-46) kanë qenë kryesisht etnikë, historikë dhe ekonomikë, ndërsa kadastri, si kriter as që ishte përmendur; Kadastri nuk është kriter e vërteton edhe Vendimi i Arbitrazhit (PCA CASE NO. 2012-04) në mes të Sllovenisë dhe të Kroacisë, ku qartë konstatohet se kufiri administrativ është përcaktues në raport me kufirin kadastral. (Shih Raporti Bulliqi) PRA NËSE KEMI KUFIJ ADMINISTRATIV NUK KA PSE MERRET FARE SI KRITER KUFIRI KADASTRAL. Pra, vetëm kur mungon ky kufij me fakte të tjera, ndër kriteret mund të jetë edhe kadastri, por kur ka harta zyrtare, dokumente ky kriter nuk vjen dot para tyre. Aq më keq akoma që për këtë zonë Mali i Zi nuk ka kadastra fare, por ka shfrytëzuar disa të Dardanisë dhe aty ku nuk ka kadastër, ky territor i është dhënë Malit të Zi.
Komisioni ka shkelur ligjin ndërkombëtarë kur kadastrin e ka pranuar si kriter të vetëm (ekskluziv) për përcaktimin e kufirit, e kjo është absolutisht e pasaktë. (Raporti Bulliqit e ka përcaktuar qartë). Ky Komision edhe pa Mandat në mënyrë të pa drejtë i ka hequr shqiptarëve të Dardanisë mbi 8000 hektar tokë dhe ja ka falur atë Malit të Zi.
Konkluzion
1- Komision pa mandat që ka përcaktuar kufirin është në tejkalim kompetencash dhe si e tillë kjo marrëveshje është absolutisht e pavlefshme.
2- Komisioni ka shkelur ligjin ndërkombëtar për përcaktimin e kufirit dhe kriteri kadaster është i pavlefshëm para kriterit administrativ.
3- Deputetët duhet të votojnë kundër për këto dy shkaqe të mësipërme, por sidomos i pari.
4- Të ngrihet një Komision i ri dhe ti jepet mandat i qartë për Demarkim mbi bazën e Kufirit Administrativ dhe jo Delimitim, pasi Kufiri midis Malit të Zi dhe Dardanisë ekziston.
Këto shkelje të rënda juridike tu shpjegohen shumë qartë Përfaqësuesve Ndërkombëtar dhe jam e sigurtë që po të sqarohen, as ata nuk do të pranonin një shkelje kaq të rënd të ligjit Kombëtar dhe Ndërkombëtar.GAZETA SHQIPTARI.com
Shkrimi është bërë si nismë për mbrojtje të interesave të atdheut, të nxitura nga GAZETA SHQIPTARI.com
Ps. Autorja është e doktoruar në të marrëdhënie ndërkombëtare, ligjëruese në Universitetin e Durrësit, avokate, dhe njëkohësisht një nga studiueset më të artikuluara të çështjeve për lashtësinë e shqiptarëve.