Albspirit

Media/News/Publishing

“Rilindja 2″/Pesë raportet që reflektojnë dështimet e Ramës

Nëpër tavolinat e ministrave të Rilindjes ka një bindje se “brand”-i më i mirë i Shqipërisë është vetë Edi Rama. Nuk ka pasur ngurrim që një deklaratë e tillë të thuhet me gojën plot edhe në publik.

Por nga Strategjia për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor u pa se ky “brand” nuk bindi në Bruksel. Qeverisë shqiptare nuk iu dha asnjë datë nga se kur mund të jetë Shqipëria pjesë e Bashkimit Europian, siç ndodhi me Serbinë dhe Malin e Zi.

Qëndrimi i BE-së nuk qe surprizë. Në disa raporte të organizmave ndërkombëtarë të gjashtë muajve të fundit del qartë se situata në Shqipëri jo vetëm nuk njeh zhvillim, por është përkeqësuar. Lapsi.al ka bërë një përmbeledhje të disa prej këtyre raporteve, si më poshtë:

GUSHT 2017/ Basel AML Index: Shqipëria ndër 15 vendet me rrezik të lartë për pastrimin e parave

Përkeqësimin në fenomenin e pastrimit të parave në Shqipëri e reflektoi Instituti i Bazelit për Qeverisje. Ky institucion publikoi si çdo vit Basel AML Index (Indeksin Kundër-Pastrimit të Parave) ku merr në analizë 146 vende mes të cilëve edhe Shqipërinë t.
Indeksi vlerësohet me pikë nga 0 (rrezik i ulët) te 10 (rrezik i lartë). Konkretisht Shqipëria renditet në vendin e 85 me një pikëzim prej 5.75, duke shënuar përkeqësim në raport me vitin e kaluar, kur i njëjti indeks ishte përmirësuar në 5.04, pas nivelit prej 5.56 në vitin 2015.
Ky indeks mat riskun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit të vendeve bazuar në burimet publike të disponueshme.

TETOR 2017/ Shqipëria humb 7 vende në raportin e Doing Bussines

Shqipëria ka humbur 7 vende në raportin e Bankës Botërore “Doing Business 2018 ” duke u renditur e 65-ta, ndërsa një vit më parë ishte në vendin e 58 mes 190 ekonomive të marra në vlerësim. Kjo tregon se të bërit biznes në vendin tonë ose është vështirësuar, ose vendet e tjera janë përmirësuar me ritme më të shpejta duke na lënë pas. Në raport me veten, bilanci është pozitiv me një përmirësim prej 0.96% krahasuar me të njëjtin raport të një viti më parë.

NENTOR 2017/ OKB: Shqipëria e para në botë për përdorimin e kokainës

Kur debati publik ishte i fokusuar tek kanabisi, një raport i OKB-së e renditi Shqipërinë vendin e parë në botë për konsumin e kokainës, për frymë popullsie.
Raporti ishte hartuar nga Agjencia kundër Drogës dhe Krimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas këtij raporti, Shqipëria renditej në vendin e parë për konsum kokaine, me 2. 5 përqind të popullsisë.

SHKURT 2018/ Raporti i Amnesty International: Shqipëria probleme me drejtësinë, median dhe të drejtat e njeriut

Në raportin e Amnesty International për krimin dhe korrupsionin për periudhën 2017-2018 thuhet se mosndëshkimi për vrasjet dhe zhdukjet e të shkuarës vazhdon në Shqipëri. Po ashtu, edhe masat për mbrojtjen e grave nga dhuna në familje, janë implementuar me mangësi, pasi gratë dhe fëmijët trafikohen për prostitucion dhe punë të detyruar. Në raport përmendet edhe fakti se rruga e Shqipërisë për anëtarësim në BE është vështirësuar nga progresi i ngadaltë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

SHKURT 2018/ Transparency International: Shqipëria ndër vendet më të korruptuara në Europë

Tre ditë më parë “Transparency International” publikoi indeksin e perceptimit të korrupsionit për vitin 2017, ku Shqipëria renditet në vendin e 91 , ndër 180 vende të ekzaminuara. Edhe kësaj radhe vendi ynë rendidet ndër vendet më të korruptuara në Europë, ndërsa në renditje ishte pranë vendeve si Suazilandi, Sri Lanka, Guajana apo Timori Lindor. Në krahasim me vitet e kaluara Shqipëria kishte rënie drastike me 8 vende.©Lapsi.al

Please follow and like us: