Shirley Cloyes DioGuardi: Shqipëria të përballet me të shkuarën komuniste
Diktatori komunist Enver Hoxha e nënshtroi Shqipërinë për 45 vite me një nga regjimet më shtypëse e më të centralizuara që bota ka njohur ndonjëherë. Qindra mijëra shqiptarë iu nënshtruan arrestimeve, torturave, dhe burgosjeve. Disa mijëra u vranë nga viti 1945 deri atëherë kur Hoxha vdiq dhe kur regjimi i pasardhësit të tij, Ramiz Alia, ra në vitin 1991.
Kur regjimi i Alisë filloi të thyhej në vitin 1990, elita komuniste u kundërvu. Furnizimet me ushqim e energji u pakësuan dhe mijëra shqiptarë vërshuan drejt varkave për të arritur lirinë në Itali. Ikja nga komunizmi u kap nga ekranet televizive në të gjithe botën. Mirëpo, kur qeveria e zgjedhur në mënyrë demokratike e Sali Berishës erdhi në pushtet në vitin 1992, aty nuk kishte një konfrontim me jetën nën komunizëm në Shqipëri. Qeveria e Berishës u lëvdua nga komuniteti ndërkombëtar për një kalim pa gjakderdhje nga regjimi i tmerrshëm i Hoxhës në demokraci. Kjo lëvdatë u meritua me të drejtë, por jo mohimi i kujtesës së komunizmit. Sali Berisha ishte mjeku personal i Enver Hoxhës. Edhe pse ai nuk mori pjesë personalisht në përgjimin, torturimin, arrestimin, burgosjen në kushte që s’përshkruhen, dhe vrasjen e shqiptarëve të quajtur “armiqë të popullit’ nga Hoxha dhe bashkëpunetorët e tij, Berisha dhe familja e tij jetuan një jetë të privilegjuar përderisa aq shumë qytetarë po vuanin dhe vdiqnin.
Sikurse kombet tjera Eurojuglindore që dolën nga fashizmi nën dominimin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore vetëm që të mbërtheheshin nga komunizmi, Shqipëria varrosi historinë e Holokaustit (edhe pse ndryshe nga popujt tjerë, roli i shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore konsistonte në shpëtimin e secilit hebre që jetonte në Shqipëri ose që kërkonte strehim aty[i]). Shtypja e Holokaustit u lehtësua nga fakti se shumica e Hebrenjve Evropianë që mbijetuan nuk ishin psikologjikisht në gjendje të ndanin me të tjerët tmerrin që kishin përjetuar, veçanërisht me një publik që donte ta harronte luftën dhe të vazhdonte me jetën përpara. I njëjti model do të ndiqej pas rënies së komunizmit. Në Shqipëri, historia e regjimit komunist-stalinist nën Enver Hoxhën u shtyp, dhe shumica e të mbijetuarve kishin frikë të flisnin për krimet ndaj tyre të bëra prej njerëzve të popullit të vet. Dy dekada pas rënies së komunizmit, Shqipëria ka dështuar që të përballet me të kaluarën e saj.
Pajtimi me daljen e tyre nga 400 vite pushtimi Osman, pastaj me okupimin nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe pastaj me 45 vite të komunizmit në shekullin 20-të është detyrë e të gjithë vendeve dhe grupeve etnike të Ballkanit. Në vitin 2012, shume vende në Evropën Jugore kanë filluar të raportojnë detajisht për periudhën komuniste. Siç i tha gazetës The New York Times në shkurt të vitit 2012 Lukasz Kaminski, president i Institutit të Kujtimit Kombëtar të Polonisë:
“Në mënyre që ne të mbrojmë vetveten në të ardhmen ndaj regjimeve totalitare, ne duhet të kuptojmë se si ato kanë operuar në të kaluarën, si një vaksinë. Përgjatë Evropës Qëndore dhe Jugore një konsensus i qetësisë duket të ketë marrë fund, konsensus që kurrë nuk i shoi krejt kritikat dhe diskutimet por që i mbuloi zërat që thirrnin për llogaridhënie të shumëpritur.”
Pavarësisht debatit të vazhdueshëm të brendshëm, Shqipëria fatkeqësisht nuk ishte në mesin e kombeve ish-komuniste e angazhuar në dhënien e llogarisë së shumëpritur. Aty nuk ka pasur përmbyllje në formë publike – asnjë gjykim, asnje burgosje të torturuesve, asnjë komision të së vërtetës – vetem falje për aktbërësit. Hapja e arkivave komuniste është thelbësore për ti bërë të ditur botës atë që ndodhi nën regjimin e Hoxhës dhe për ti sjellur përmbyllje viktimave – mos ta përmendim faktin se kjo do të shtronte bazën për ti dhënë atyre njohje kombëtare dhe dëmshpërblim për vuajtjet e tyre.
Siç ka shkruar figura e njohur letrare Ismail Kadare në hyrje të librit të Bedri Blloshmit të botuar në vitin 2010 që përshkruan vrasjen e vëllaut të tij Vilsonit dhe të Genc Lekës nga regjimi i Hoxhës: “Komunizmi ka rënë në Shqipëri, por jo edhe pluhuri dhe duhma e tij. Vezët e gjarpërit ende janë gjithkund. Ato vazhdojnë të pjellin mashtrim, dhunë psikologjike, dhe veçanërisht urrejtje. Ato janë shpërndarë në partitë e së majtës e të djathtës, në partitë e vogla dhe të mëdha. Ato qëndrojnë syhapur për të siguruar mbrojtjen historike të diktaturës së rënë. Ato nxisin një kritikë sipërfaqësore, shpesh në nivel të poemave dhe artistëve, për të zhvendosur vëmendjen larg asaj që perbënte thelbin e sistemit: krimin e vërtetë.”
Ekspozimi i “krimit të vërtetë” kërkon konfrontim me të kaluarën komuniste të Shqipërisë – një konfrontim që kërkon së pari ndëgjimin e zërave të viktimave të Enver Hoxhës. Në vijim janë historitë gojore të tre shqiptaro-amerikanëve (Pëllumb Lamajt, Rajmond Sejkos, dhe Eqerem Mujos) që ia dolën të mbijetonin vite të burgimit në burgun famëkeq të Spaçit.
Rezistenca ndaj persekutimit, burgimit, torturës, dhe vrasjes: rasti i Pëllumb Lamajt. Nga viti 1945 deri në 1991, diku rreth 5,500 burra dhe gra u ekzekutuan, dhe afër 100,000 u dënuan me burgim (40 burgje) dhe 50 kampe të internimit dhe punës së detyruar sepse ata u konsideruan “armiqë të popullit.” Poeti dhe aktivisti Pëllumb Lamaj, që erdhi në Shtetet e Bashkuara dy vite pas rënies së komunizmit, doli të ishte njëri prej tyre. Ai ishte 20 vjeç kur u dërgua në burgun e Spaçit në vitin 1979, ku do të kalonte 11 vite te jetës së tij.
Pëllumbi u lind në një ferm në Çlirim, Shqipëri, afër qytetit të Fierit, me 4 Janar 1959. Për arsye se aty kishte një përqëndrim të resistencës kundër komunistëve në rajon, shumë familje u vendosën në kampe internimi. Në vitin 1957, kur Pëllumbi ishte 8 vjeç, babai i tij, që po fitonte bukën e gojës për familjen e tij shtatë anëtarëshe me rrogë të vogël, u akuzua dhe u dënua nga një “gjykatë kangaroo” për rritjen e kafshëve dhe shkëmbimin e lopëve për qumësht pa lejen e qeverisë lokale.
Më herët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, anëtarët e familjes Lamaj dhe familjes së nënës së tij, Lepenicët, u vranë gjatë luftimit kundër fashistëve italianë dhe mëpastaj kundër nazistëve si anëtarë të Ballit Kombëtar. Në të dyja rastet, ata u tradhtuan nga komunistët. Xhelal Lepenica, daja i Pëllumbit, u vra gjatë luftës civile që shpërtheu në Shqipëri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Pas vrasjes së tij, forcat shqiptare komuniste vallëzuan në varrin e tij, dogjën dhe shkatërruan pasurinë e tij, dhe konfiskuan të gjitha gjërat materialet të tij. Që atëherë e tutje, regjimi brutal dhe torturues i Enver Hoxhës u shkaktoi dhimbje dhe vuajtje familjeve Lamaj dhe Lepenica për dekada të tëra. Kjo u intensifikua pas ikjes së Qemal Lepenicës, njëri prej dajve te Pëllumbit nga Shqipëria për në Gjermani në vitin 1951.
Pas dënimit dhe burgosjes së babait të tij në vitn 1967, Pëllumbi, nëna e tij, dhe vëllezërit e motrat e tij u transferuan me forcë në një fshat të quajtur Skrofotinë, afer Vlorës. Kështu kujton Pëllumbi: “Ne u vendosëm në mes të askundit – nëna ime me pesë fëmijë. Si djal 8 vjeçar, në ndërdije unë fillova të kuptoj domethënien e terrorit komunist. Burgosja e babait time çoi në përiudhën më të vështirë të jetës sonë. Gjatë kësaj kohe, nëna ime ishte heroina ime. Ajo ishte kurrizi i familjes.” Në shkollë femijët e tjerë na quanin kulak, që do të thoshte “armik i popullit.” Kur shkoja në shtëpi, unë e pyetja nënën time, “Si duhet t’u përgjigjem këtyre fyerjeve” Ajo thoshte, “Thuaj atyre që je krenar që je kulak për shkak të historisë së familjes tënde.”
Kur Pëllumb Lamaj mbaroi shkollën fillore në vitin 1974, ai ishte i vetmi student të cilit iu ndalua e drejta për t’iu bashkuar organizatës së të rinjve shqipare sepse, sipas mësuesit të tij Armando Kushta, ai “kishte sytë e tij të fiksuar në perëndim” dhe kishte shfaqur shenja të të qenit “kapitalist.” Sipas Pëllumbit, “Kjo ishte perpjekje e Kushtës për të më bindur mua që të mos shkojë në shkollë të mesme.” (Ironikisht, pasi komunizmi filloi të binte në Shqipëri në vitin 1990, Kushta do të jetë njëri prej individëve të parë që la vendin dhe imigroi në Shtetet e Bashkuara.)
Familja e Pëllumbit e konsideronte arrestimin e tij vetëm çështje kohe, meqë ai dhe vëllai i tij refuzuan që të kolaboronin me policinë sekrete të njohur në Shqipëri si Sigurimi – refuzim ky që nën regjimin e Hoxhës nënkuptonte burgimin si dënimin më të vogël, dhe ekzekutimin si dënimin më të lartë. Duke shikuar prapa, Pëllumbi tha se data Mars 1, 1979, është “dita që unë kurrë nuk do ta harroj”:
“është e gnulitur në mendjen time dhe nuk harrohet. Atë ditë, Sigurimi më arrestoi dhe më akuzoi mua si “armik i popullit.” Pas disa muajsh burgimi, u dënova bazuar në dëshmi të rrejshme dhe u dënova me 15 vjet të punës së rëndë në burgun famëkeq të Spaçit. Isha njëri prej të burgosurve më të rinj që u dërgua në Spaç. Edhe këtë ditë, plagët e regjimit të tyre torturues janë në trupin dhe mendjen time.”
Pëllumbi that se burgu i Spaçit ishte diçka nga Infernoja e Dantes. Sipas tij, “Spaç është një vrim e zezë në fund të kanjonit, rrethuar nga kodra të errëta e të zymta. E vetmja kohë kur një i burgosur mund të shihte pak qiell të kaltër ishte në mesditë. Natën, kur dritat ndizeshin dhe qëllonin rrethojës së burgut për të parandaluar ikjen e të burgosurve, qielli vijëzohej me refleksionin e telave me gjemba. “Të burgosurit ishin të ndarë në grupe që punonin parreshtur me ndërrime në miniera nën sytë vëzhgues të rojeve që shkaktonin dënimin –në menyre rutine, pa diskriminim, dhe shpesh në mënyre brutale. Për arsye se neve mezi na jipnin ushqim sa për të mbijetuar, shume burra vdiqën. Çdo ditë, kur ne shkonim në miniera, ndiheshim sikur ne po marshonim drejt guillotinës duke mos ditur nëse to do të mbijetonim edhe një ditë tjetër.
“Regjimi na vodhi rininë dhe shkatërroi të gjitha shpresat dhe ëndrrat tona. Por unë kurrë nuk harroj fjalët e të burgosurve më të vjetër që thoshnin “Nëse del prej këtu, të lutem thuaj botës së qytetëruar se ne ishim martirë, se ne kërkuam lirinë nga ata që na morën lirinë, se ne kundërshtuam shtetin kriminal të sunduar me grusht të hekurt nga tirani i pamëshirë, Enver Hoxha.”
Në maj të vitit 1984, një kryengritje ndodhi në burgun e Qafë-Barit. Tre të burgosur u egzekutuan dhe të tjerët u dënuan me 25 vjet burgim, disa prej të cilëve mëpastaj u sollën në Spaç, u torturuan, dhe u hodhën në çeli. Kur ata u liruan në kamp ditë më vonë, trupat e tyre ishin të plagosur dhe rrobat e tyre të zhytura në gjak. Për arsye se disa nga burrat kishin qenë shokë të Pëllumbit në të kaluarën, ai filloi ti ndihmonte atyre me pak ushqim dhe veshmbathje. Duke e parë këtë, kolaboracionistët dhe të burgosurit, thirrën “Rojet e Kuqe,” dhe Pëllumbi i raportoi menjëherë Shyqyri Toskës, Shef i Policisë Sekrete. Pastaj, ai u prangos dhe u dërgua në zyrën e Toskës.
“Toska filloi të bërtiste se ai do më jepte mua një mësim që unë kurrë nuk do ta harroj. Ai i urdhëroi Rojet e Kuqe të më dërgonin në një dhomë afër zyrës së tij, kur ai më torturoi për orë të tëra. Ata më sulmuan me dru, çizmet e tyre, dhe shkopinj të drurit deri sa unë humba vetëdijen. Kur më në fund hapa sytë, një mjek në një xhaketë të bardhë ishte sipër meje duke ma kontrolluar pulsin tim dhe duke më dhënë një injeksion. Ai i tha Toskës ta ndalte torturën se pulsi im ishte shumë i dobët. Isha i shtrirë në dysheme prej çimentos i zhytur në gjak, i paaftë të lëvizja, Dora ime e majtë ishte e thyer dhe rridhte gjak, dhe gishti i madh i këmbës së majtë ishte shtypur.
“Tortura kishte filluar në mëngjes, dhe unë mendova se ishte mesi i natës, kur ata më hodhën në çeli. Kur arrita në kamp, të gjithë të burgosurit panë plagët në duart dhe këmbët e mia, dhe secili e kuptoi se isha torturuar se i kisha ndihmuar të burgosurit e tjerë. Isha krenar që i ndihmova ata, dhe i thashë Shefit Toskës se “Një ditë do të sillesh para drejtësisë për krimet e tua.” Por fatkeqësisht, drejtësia nganjëherë është vetëm një ëndërr. Shumë prej njerëzve që ishin përgjegjës për dekada persekutimi, torture, dhe vrasje në Shqipëri janë duke jetuar jetë të privilegjuar dhe ushtrojnë pushtet në një qeveri të korruptuar. Nuk ka pasur “gjykim Nuremburgu” për komunistët shqiptarë të cilët u munduan ta shkaterojnë popullin e tyre, dhe Perëndimi ka zgjedhur që ti injorojë krimet e tyre.”
Në gusht të vitit 1990, Pëllumb Lamaj u lirua nga burgu – në fjalët e tij, “simbolikisht pas rënies së Murit të Berlinit.” Dy vite më vonë, ai pranoi një mundësi për të ardhur në Shtetet e Bashkuara. Për këtë, ai reflektoi, “Kisha fatin sepse nuk kishte hapësirë për mua në Shqipëri. Të njejtët njerëz që më kishin persekutuar mua dhe të tjerët, duke përfshirë Shyqyri Toskën, qëndruan në pushtet.”
Pëllumbi kurrë nuk harroi fatin e familjes së tij, të burgosurve në Spaç, dhe të atyre që u shuajtun nën regjimin e Hoxhës: “Gjatë njëzet viteve të fundit,” ai tha, “kam ndjekur drejtësinë përmes çdo mediumi të informimit që kam qenë në gjendje të perdor për të ekspozuar helmin dhe regjimin torturues që gëlltiti Shqipërinë dhe që i shtriu tentakulet e tij në të gjitha trojet shqiptare në Evropën jugore.”
Hoxha spastron rivalët e tij: shkatërrimi i familjes Sejko
I lindur në vitin 1922 në Konispol, Temë Sejko iu bashkua Partisë Komuniste gjatë Luftës së Dytë Botërore gjersa luftonte me partizanët. Pasi Shqipëria u çlirua nga okupimi nazist në nëntor 1944, Temë studjoi në akademinë ushtarake në Moskë. Ai do të kthehej prapë nga viti 1955 deri më 1957, kur u ngrit në gradë të një admirali të rrallë dhe komandonte forcat detare të Shqipërisë në Vlorë. Shkurt, ai ishte pjesë e regjimit komunist gjatë fazës së parë të sundimit të Enver Hoxhës.
Në fundvitet e 1950-ve, Hoxha filloi të largohej nga aleancat e tij me Jugosllavinë e Marshall Titos dhe Bashkimit Sovjetik. Kur çarja në mes Bashkimit Sovjetik the Kinës Maoiste u bë në vitin 1961, Hoxha mori anën e Maos, e ai dhe aleatët e tij më të ngushtë nisën spastrime për ti eliminuar rivalët. Temë Sejko ishte njëri nga njerëzit që ata synuan. Po ashtu ishin vëllezërit e tij, sepse ata besohej të kishin pikëpamje politike që kërcënonin Hoxhën. Në mëngjesin e 28 korrikut, 1960, Temë shkoi në punë si zakonisht, vetëm për ta gjetur veten të arrestuar dhe të akuzuar për “pjesëmarrje në konsipracion që përfshinte Jugosllavine, Greqinë, dhe Shtetet e Bashkuara.” Famija e tij nuk e pa atë kurrë më. Ai ishte i burgosur për një vit, gjersa regjimi përgatiste një gjykim farsë kundër tij dhe disa zyrtarëve të tjerë. Me 27 maj, 1961, Temë u dënua me 25 vjet burgim se ishte “armik i popullit.” Por tri ditë më vonë, kafka e tij ishte e thyer dhe ai u mbyt me një kordon.
Kur Temë u arrestua, vëllai i tij Taho poashtu u arresua, një gazetar i cili gjithashtu kishte luftuar me partizanët gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me 1956, në një mbledhje të Partisë Komuniste të Tiranës, ai kishte kritikuar hendekun në rritje mes standartit të jetesës së elitës komuniste dhe shumicës se popullit që jetonte në varfëri. Taho Sejko menjëherë humbi vendin e tij të punës dhe u transferua në një pozitë të nëpunësit në një fabrikë në Shkodër. Edhe pse Taho nuk u egzekutua bashkë me Temën në maj 1961, ai u burgos dhe u torturua në mënyrë që ai të detyrohej ta përqafonte regjimin e Hoxhës publikisht. Taho refuzoi të kapitullonte dhe në mars 1962 ai në mënyrë sekrete u dënua dhe u ekzekutua. Familja e tij duke përfshirë nënën e tij u përjashtuan nga Tirana dhe u vendosën në Shkodër, pasi iu thanë se Taho ishte marrosur në burg dhe ishte ngujuar në një spital mendor shtetëror.
Në vitin 1963, tri vite pasi regjimi i Hoxhës arrestoi Temën dhe Tahon, vëllau i tyre Sulo u burgos. Ai u torturua, dhe më vonë trupi i tij u gjend në fund të një pusi. Vajza e tyre, Merushë Sejko – Plaku, u internua në një kamp nga 1963 deri më 1968; pastaj ajo u largua me forcë nga 1968 deri me 1974, vetëm për tu internuar prapë për dhjetë vite – nga 1974 deri më 1984. Burri i saj, Rexho Plaku, ishte njeri i pasur që udhëhoqi grupin e partizanëve në Luftën e Dytë Botërore që Temë, Taho, dhe Sulo iu kishin bashkuar. Mirëpo shumë shpejt pas luftës, ai u burgos nga regjimi i Hoxhës, dhe ai do të vuante për 32 vite në burg.
Djali i Temës, Rajmond Sejko, i vetmi në familje që mbijetoi, përshkroi kushtet e këqija në të cilat u detyruan të jetonin ai dhe nëna e tij, Shpresa, dhe vëllai Sokol, kur babai i tyre u damkos si “armik i popullit.” Ai tha:
“E njëjta gjykatë ushtarake që dënoi babain tim, dënoi nënën time në të njëjtën ditë, vëllaun tim 11 vjeçar, dhe mua (që isha 13 vjeç) me pesë vite internimi, të njohur si “shpërngulje e brendshme.” Ne u detyruam të vendoseshim në një fshat të vogël e të largët të quajtur Otllak që ishte jashtë qytetit të Beratit, fshat që kishte vetëm 100 banorë, duke përfshirë 20 të internuar. Ne jetuam në një kasolle një dhomëshe, me dysheme prej dheu, me mure prej kashte, dhe kulm plastike. Nuk kishte ujë apo ngrohje. Ne duhej të ecnim për një orë për të marrë ujë për pije, ne pastronim trupin dhe rrobat me ujë të marrë nga kanalet për ujitje, dhe në vend të banjos në kishim katër mure jashtë pa kulm. Ne ishim të ngujuar në Otllak, dhe duhej të kërkonim leje paraprake nga autoritetet lokale për të udhëtuar, madje edhe për të shkuar te mjeku. Ne duhej ti raportonim zyrtarit të sigurisë në fshat të paktën dy herë në ditë.
Nëna ime dhe unë punonim orë të gjata gjashtë ditë në javë në fushë duke filluar në ora 5 të mëngjesit në vërë dhe 7 në dimër. Gjatë pesë viteve që ishim të internuar, asnjë i afërm apo shok nuk guxonte të na kontaktonte duke përfshirë edhe vëllaun e nënës sime, Engjell, i cili jetonte vetë 10 milje larg. Shumë më vonë, me 1975, gruaja ruse e dajës Engell do të arrestohej dhe burgosej për pesë vite, thjesht pse ajo u ndëgjua të ketë treguar shaka politike.
“Kur internimi më në fund mbaroi në qershor 1966 unë isha 18 vjeç. Nëna ime, vëllau, dhe unë u vendosëm në qytetin e Beratit mirëpo ne vazhduam të ishim të izoluar dhe stigmatizuar. Në vitin 1967, unë hyra në ushtri dhe u caktova të isha në një grup që përbëhej vetëm nga bijtë e prindërve të dënuar. Të gjithë ne na u dhanë detyrat më të këqija. Për dy vite, unë bëra punë të rënda në një fermë ushtrie derisa u lirova nga detyra në vitin 1969.”
Rajmondi mendonte se ai dhe familja e tij ishin perfundimisht të lirë në vitin 1970 veçanërisht sepse atë vit qeveria e Hoxhës lejoi shumë pak liberalizim duke përfshirë të drejtën për të shikuar televizionin italian dhe jugosllav. Kjo e fundit tregoi sa e varfër dhe e pazhvilluar Shqipëria ishte në krahasim me shqiptarët që jetonin në anën tjetër të kufirit. Kur populli filloi të bënte thirrje për ndryshim, qeveria u hakmorr. Në dhjetor të vitit 1972, ata ndalin çdo qasje në televizion; ata sulmuan një festival kushtuar muzikës tradicionale shqiptare (duke e quajtur atë dekadente); ata filluan një sër spastrimesh dhe arrestimesh të “liberalëve,” që përfshinte të gjithë të internuarit dhe të burgosurit politikë. Vëllau i Rajmondit, Sokoli, ishte mes tyre. Pasi u shkarkua nga puna e tij në një fabrikë në Berat, ai u arrestua në vitin 1973, u torturua në burg nga një “specialist i torturës” të quajtur Ali Xhunga, u vu në gjykim në janar të vitit 1974 nën akuzat për “terrorizëm, sabotazh, shpërndarje të progagandës kundër-qeveritare, dhe pjesëmarrje në krim të organizuar,” dhe pastaj u egzekutua në mars të po atij viti pasi dëshmitarë të rrejshëm të rreshtuar nga qeveria dëshmuan kundër tij. Ai ishte vetëm 24 vjeç. “Deri më sot,” Rajmondi thote, “më shkakton dhimbje kur mendoj për vuajtjen që vëllai im duroi.”
Me vdekjen e Sokolit, Rajmondi that the nëna e tyre, Shpresa Sejko, u shkatërruan nga dhimbja. Gjatë fundit të vitit 1974, ajo shkroi një deklaratë duke e akuzuar qeverinë për vrasjen e burrit dhe djalit më të vogël të saj dhe e shperndau atë tek kushërinjtë. Me 19 shkurt, 1975, policia arriti në shtëpinë e Sejkos për të arrestuar Shpresën dhe Rajmondin. Rajmondi, që ishtë në shtëpi vetëm, u soll menjëherë në stacionin policor. Nëna e tij ishte në Fier duke vizituar të venë e Tahir Demit i cili ishte vrarë bashkë me Temë Sejkon. Pas marrjes në pyetje, Rajmondi u lirua për ta gjetur nënën e tij. Mirëpo kur ai arriti në Fier, Shpresa ishte në rrugë e sipër për në Berat. Dhe kur ai u kthye në Berat, ai e gjeti trupin e pajetë të saj nën një çarçaf përballë shtëpisë. Ajo ishte qëlluar nga zyrtarët lokalë të cilët po e deklaronin vdekjen saj si “vetëvrasje.”
Rajmondi u morr në paraburgosje, dhe një zyrtarë sigurie i quajtur Bujar Himci vazhdoi ta merrte në pyetje atë për një orë. Himci kërkoi që Rajmondi ta pranonte se e kishte detyruar nënën e tij të bënte vetëvrasjë. Kur ai refuzoi, Himci solli Muhamed Ukën dhe disa zyrtarë të tjëre nga Ministria e Brendshme duke përfshirë njërin i cili në vitin 1974 kishte detyruar Rajmondin dhe nënën e tij që të dëshmonin kundër Sokolit. Ata e morrën në pyetje Rajmondin nga ora pesë e mbrëmjes deri në ora një në mëngjes duke u përqëndruar në deklratën që nëna e tij kishte shkruar kundër qeverisë.
Kur Rajmondi zyrtarisht u akuzua pas disa ditësh, ai u akuzua për “vepra në kundërshtim të qeverisë” me dënimin prej 3 deri në 10 vjet në burg. Me këtë, Bujar Himci psiqikisht dhe fizikisht torturoi Rajmondin për 11 ditë të tëra. Pasi një gjykimi farsë në maj 1975, ai u ngarkua për shkruarjen dhe shpërndarjen e deklaratës së nënshkruar nga nëna e tij dhe u dënua me 8 vjet burg. Pasi qëndroi gjallë në një dietë të grurit të zier dhe fjetjes në dysheme të ftohtë betoni në Berat dhe Tiranë, në zingjire dhe i rrahur me grushta dhe shkop druri, Rajmondi u tranferua për në Spaç. Kur u transferua aty, ai kishte humbur 44 pounds.
“Burgu më i rëndë në Shqipëri”
I ndërtuar në vitin 1968, Burgu i Spaçit ndodhej në një truall djerrë në verilindje, rajonin e Mirditës në Shqipëri. Rajmondi e kujton atë si “ndoshta burgun më të rëndë në Shqipëri,” sepse shumica e të burgosurve punonin deri në vdekje në minierat e bakrit e të piritit:
“Në Spaç, unë jetove në baraka pesë metra ma pesë, ku jetonin 52 burra. Ndërtesa përbëhej prej 12 dhomave të tjera të këtij lloji në tre katë. Ne flinim në shtretër të vegjël që kishin çilim prej kashte të hollë, çarçafa të vjetër, dhe disa batanije të holla. Për shkak të numrit të madh të njerëzve aty, mungesës së ventilimit, tymit të duhanit, dhe tymit të gazit nga minierat që na futej ngadalë në rrobat dhe lëkurën tonë, ajri ngurrmonte erë. Më kutjohet kur ngritesha mbi shtrat, me fytin e bllokuar dhe s’mundja të flisja. Ushqimi ishte në përgjithësi bukë, fasule, dhe nganjëherë qumësht. Ata që punonin në miniera kishin pak më shumë.”
Rajmondi punonte në miniera nga 1975 deri më 1982. Kishte patur një revoltë të burgosurish dy vite para se ai të arrinte në Spaç. Pasi revolta u shua, katër udhëheqësit e saj u egzekutuan dhe 87 të burgosurve iu zgjat burgimi për njëzet vjet ose më shumë. Pas kësaj, restriksione më të mëdha u imponuan mbi çdo të burgosur. Për shembull, vizitat familjare u shkurtuan deri në pesë minuta. Gjatë kohës së tij në Spaç, gjyshja e tij (nga ana e nënës) e vizitoi atë një herë në vit për gjashtë vite, çdo herë duke udhëtuar për orë të tëra për ta parë atë. Eventualisht ajo u bë shumë plakë dhe e sëmurë për të udhëtuar. Librat dhe mësimi i gjuhëve të huaja u ndaluan. Kur Rajmondi u zu duke u munduar të mësonte italisht, ai u hodh në çeli të vetmisë ku temperaturat ishin ngricëse.
Dëbimi
Rajmond Sejku më në fund u lirua nga burgu i Spaçit në tetor 1982 dhe u kthye në Berat për të jetuar me gjyshërit e tij. Ai punoi si punëtor krahu nën mbikqyrjen e një kryetari që e spiunonte atë të qeveria. Një vit me vonë, në tetor 1983, ai u dënua në mënyrë sekrete për një periudhë tjetër internimi, mirëpo kësaj here ai u dëbua në një fshat të vogël të quajtur Kutalli për pesë vite, ku ai jetoi në kushte primitive. Gjyshja e tij iu bashkua Rajmondit pasi gjyshi i tij vdiq në Berat. Rajmondi u detyrua të punonte në një fermë shtatë ditë në javë dhe të raportonte tek zyrtarët lokalë për tu marr në pyetje dy-tre herë në ditë. Në një moment, Vojo Nano, anëtar i policisë sekrete, u mundua ta rekrutonte atë si spiun. I zemëruar, Rajomondi u mundua ta kapte Nanon për fyti.
Në vitin 1985, Enver Hoxha vdiq dhe pasardhësi i tij, Ramiz Alia, erdhi në fuqi. Tre vite më vonë kur dëbimi i Rajmondit duhej të përfundonte, ai u zgjat edhe për pesë vite të tjera. Një vit më vonë në Mars 1989, regjimi i Alisë u mundua ta kthente Rajmondin në burg edhe një herë, kur ai u denoncua nga Ali Gega, zyrtar i Partisë Komuniste në Berat. Gega e kishte akuzuar në mënyrë të rreme Rajmondin se “kishte folur kundër disa zyrtarë të qeverisë shqiptare.” Hysni Kallmi, banor i Kutallit, u zgjodh të dëshmonte kundër tij në gjykim, mirëpo Rajmondi u ngrit për ta mbrojtur veten kundër akuzave dhe ia doli ti tejkalonte përpjekjet e tyre për ta riburgosur atë. Nëntë muaj më vonë, derisa qeveria komuniste po humbte pushtetin, ajo lëshoi amnesti të përgjithshme për të burgosurit dhe të internuarit politikë. Me 30 dhjetor, 1989, Rajmondi u lirua. Më pak se një vit më vonë, regjimi i Ramiz Alisë do të binte.
Ikja, egzili, dhe jeta në kampe: historia e familjes Mujo
Në prill 1945, disa nga forcat ushtarake të Hoxhës e morën Bajame Mujon dhe fëmijët e saj, Eqeremin, Fatmirin, dhe Nevrusin nga shtëpia e tyre, i vunë zjarrin shtëpisë, dhe i dërguan ata në Krujë, ku i tufëzuan në një kamp me familjet e tjera. Arsyja për kapjen e tyre ishte se Sefer Mujo, burrë dhe baba, bashkë me vëllaun e Seferit, Alon, kishin rezistuar ardhjen në pushtet të regjimit komunist të Hoxhës në fund të Luftës së Dytë Botërore. Hoxha dhe njerëzit e tij ndoqën dhe egzekutuan këdo që luftonte kundër tyre. Megjithatë, disa u larguan, dhe Seferi e Alo ishin dy prej tyre. Sefer dhe Alo u larguan për në Munich, Gjermani, ku iu bashkuan një grupi në egzil të cilët kishin formuar një batalion dhe ishin duke u trajnuar në një bazë ushtarake nën drejtimin e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për tu kthyer në Shqipëri në përpjekje për ti shpëtuar familjet e tyre dhe për ta përmbysur regjimin e Hoxhës.
Për dy vite, asnjë prej shokëve dhe familjarëve të Mujos nuk dinin se çka u kishte ndodhur atyre. Mëpastaj, në vitin 1947, bashkë me 1,000 familje, ata u tufëzuan në një kamp në Valias jashtë Tiranës. Kampi përbëhej prej barakave që ishin lënë prapa nga forcat italiane kur e dorëzuan Shqipërinë nazistëve gjermanë në vitin 1943. Shtretërit, të përbërë nga batanije të drurit, vargoheshin në mur; ushtarët ishin të vendosur në intervale përgjatë kampit; dhe ishte pikërisht këtu që Bajame Mujo dhe djemtë e saj do të duronin vuajtje me vite të tëra. Më vonë ata u lëvizën në nje fabrikë që ishte afër aty, ku, sipas Eqeremit, ata u bënë “punëtorë skllevër.”
Në ndërkohë, Seferi dhe Alo me kurajo u kthyen në Shqipëri. Eqerem Mujo dhe vëllezërit e tij do të mësonin më vonë se “Babai dhe daja im shkonin nga Gjermania për në Shqipëri e prapa, duke udhëhequr misione për ta përmbysur regjimin e ligë të Hoxhës. Ata mund të kenë dëshiruar hakmarrje; ata pa dyshim donin paqe; por, mbi të gjitha, ata donin të kishin prapë familjet dhe jetën e tyre.”
Nën abuzim të vazhdueshëm fizik dhe mendor, dhe në luftën ditore për ushqim, Eqeremi tha: “Mendimi për babanë dhe xhaxhanë tonë na shkonte ndërmend vetëm si rrufeja. Mirëpo duke e ditur se ata ishin të vendosur për të na shpëtuar neve (që e mësuam kur lajmet rrodhën se batalioni i tyre kishte hyrë në Shqipëri dhe tashmë kishte rimarrur disa familje) na ndihmoi të na mbante gjallë mua, nënën time, dhe vëllezërit e mi. Na mbushi neve me shpresë dhe gëzim, dhe për disa çaste, ishim të lirë.”
Në vitin 1949, kur Eqeremi ishte shtatë vjeç, familja Mujo u lëvizën te një tjetër kamp, këtë herë ne Tepelenë, në bregun jugor të Shqipërisë. Sipas tij, “Kushtet ishin aq të vajtueshme sa që shumë vdiqën dhe ne fëmijët kalonim ditët të mbledhur së bashku duke shikuar jashtë dritareve përderisa nënat dhe babatë tanë formuan një vijë që dukej si mizat, gjersa ata transportonin drurin që nevojitej për të ngrohur shtëpitë e elitave shqiptare.”
Familja Mujo pastaj u transferua në vitin 1954 në një ferm në Lushnjë që “ishte kthyer në një kamp koncentrimi.” Në vitet në vijim, ata do të transferoheshin në shumë kampe të shpërndara nëpër gjithë Shqipërinë. Eqeremi dhe vëllezërit e tij eventualisht u lejuan të ndiqnin shkollën e mesme. Mirëpo jo shumë para se ta mbaronte shkollën e mesme, dikush e akuzoi Eqeremin se ishte spiun.
Në prill të vitit 1976, ai u arrestua në moshën 34-vjeçare. Pas tetë muajsh hulumtimesh nga autoritet ai u gjykua dhe dënua me shtatë vjet burgim në burgun e Spaçit. Një vit më vonë, vëllau i tij Fatmiri gjithashtu u akuzua se ishte spiun dhe u dënua me gjashtë vjet burg ne burgun e Ballshit në Fier.
Kur Eqeremi dhe Fatmiri u liruan në fund të vitit 1983, ata u kthyen në një fermë ku nëna e tyre dhe Nevrusi kishin bërë një jetesë të rëndë gjatë burgosjes së tyre. Megjithatë, për arsye se babai i tyre dhe axha i tyre ishin arratisur në Gjermani dhe ishin pjesë e lëvizjes së rezistencës, persekutimi i familjes Mujo vazhdoi. Katër muaj pasi Eqeremi dhe Fatmiri lanë burgun, familja u arrestua dhe u dërgua prapë në një kamp në Lushnje. Ata nuk do të shijonin lirinë derisa regjimi komunist ra në vitin 1990.
Sapo ra regjimi, Eqeremi tha, “Familja jone planifikoi ikjen tonë jo vetëm nga kampi, por nga Shqipëria. Ne kaluam kufirin për në Greqi dhe, përmes shumë mundimeve, më në fund patëm sukses dhe fluturam për në Shtetet e Bashkuara. Kur arritëm në New York, neve na takoi një njeri në moshë me buzëqeshje dhe lotë në sytë e tij. Ishte babai ynë, Sefer Mujo, të cilin nuk e kishim parë për 48 vite. Xhaxhai im, Alo, qëndroi pranë tij. Lehtësimi që vëllezërit e mi përjetuan ishte e papërballueshme. Lehtësimi jonë u pakësua nga mungesa e nënës sonë, e cila ishte përpjekur të na mbronte në udhëtimin e gjatë vetëm për tu mposhtur nga kolapsi dhe vdekja disa muaj më parë”.
Numri i saktë i atyre që u internuan dhe u egzekutuan nën diktaturën e Enver Hoxhës mund të mos dihet kurrë. Ajo që dihet është se dështimi për ta konfrontuar mizorinë, fanatizmin, dhe instrumentet e terrorit të përdorura gjatë kohës komuniste u ka mohuar të mbijetuarve shërimin dhe drejtësinë që ata e meritojnë. Gjithashtu ka lënë plagë të thella në mendjen e popullit shqiptar dhe ka parandaluar Shqipërinë nga hyrja në Evropën demokratike. Koha ka ardhur për Shqipërinë për të siguruar se mohimi i kujtesës nuk ka sukses, për tu përballur me punën e pambaruar të së kaluarës në mënyrë që të mos vazhdojë ta shtrembërojë te sotmen, dhe të fillojë të ndërtoje një të ardhme të re dhe të realizueshme.
Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çeshtje të Ballkanit, Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane, 6 qershor, 2012
Ky artikull nuk mund të ishte shkruar pa partneritetin e Pëllumb Lamatj, bashkë me kontributin e Rajmond Sejkos, Eqerem Mujso, dhe Luan Mazrekut.
——————————————————————————–
[i] Cloyes DioGuardi, “Shpëtimi i hebrenjve në Shqipëri & ttika of ‘besës’,” Congress Monthly, Janar-Shkurt 2006, fq. 7-10. Shih gjithashtu Shpëtimi në Shqipëri nga Harvey Sarner, 1997, i publikuar së pari nga Brunswick Press në Cathedral City, CA, distribuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan, Ossining, NY.
[ii] Kaminski, Lukasz, i kuotuar në “Europa përballet me trashëgiminë e saj komuniste ” nga Nicholas Kulish, The New York Times, Shkurt 21, 2012, seksioni A, fq. 1 dhe 3.
[iii] Kadare, Ismail, Hyrje, Fabrikimi I vdekjes: dosjet e sigurimit të Genc Lekës e Vilson Blloshmit nga Bedri Blloshmi, (Tiranë: Shqipëri, Botimet “Almera”), fq. 6.