Albspirit

Media/News/Publishing

“Çfarë ndodhi në shkurt ’91 në “Shkollën e Bashkuar”

Merita SHKUPI

 

Shkurti i cdo viti rikthen debatin mbi ngjarjet e 1991, rrezimin e shtatores se Enver Hoxhes ne qender te Tiranes, protestat e studenteve, por edhe ngjarjet e Shkolles se Bashkuar.

Krijimi i PD-së në dhjetor të 1990-ës ishte një tërmet tronditës për diktaturën e kuqe në Shqipëri. Shqipëria qé ndarë në dy pole: nga njëra anë njerëzit e thjeshtë, qytetarë e fshatarë, intelektualë e zanatçinj, një popull i tërë që priste me entuziazëm ndryshimin e madh dhe nga ana tjetër pushtetarët e kuq, komunistët konservatorë e fanatikë dhe agjentët e Sigurimit të Shtetit, që përjetonin tmerrin e përmbysjes së afërt, pasi po u rrëshqiste toka nën këmbë.

Me ta ishte edhe një pjesë jo e vogël e popullit të trembur e të indoktrinuar nga një propagandë shumëvjeçare, që e shihte botën e lirë si shëmbëlltyrën e djallit mbi tokë. Tensioni sa vinte e po rritej. Greva e studentëve të UT-së për heqjen e emrit të Enver Hoxhës prej atij institucioni qé prologu i ngjarjes së madhe: rrëzimit të monumentit të diktatorit nga qendra e Tiranës. Ajo statujë bronzi aq solide, jashtë çdo parashikimi, u hoq aq mrekullisht si nga ndonjë dorë hyjnore, pa gjakderdhje, pa përleshje e pa shkrehje armësh.

Fanatikët e PPSH-së, të hutuar nga ngjarja e pazakontë e rrëzimit të statujës së marksist-leninistit të madh, nuk e mblidhnin dot veten. Duke u kthyer në banesat e tyre, ata nisën të përfytyronin të ardhmen e frikshme, atë që do të vinte pas. Kjo frikë e pasiguri çoi në përfundimin: duhet bërë diçka, pasi ajo tërheqje pa qëndresë donte të thoshte vdekje, fund i turpshëm. Ata që kishin lyer duart me gjak dhanë alarmin: ‘Si qé kjo punë? Ku është Ramiz Alia? Ku është Byroja Politike? Si e lamë, si na iku nga duart ai, pushteti?’

Rrëzimi i statujës ishte vërtet dorëzim pushteti. Kishte komunistë, që me alibinë e mungesës në shesh atë ditë, justifikonin veten për disfatën. Më militantët nisën të organizoheshin natën e të lëvrinin si minjtë. Bënë ç’bënë dhe nxitën studentët e “Shkollës së Bashkuar” që të ngrenë krye dhe të kërkojnë rivendosjen e Enver Hoxhës përsëri në sheshin “Skënderbej”. Enveristët e shumtë ndërmjet oficerëve të asaj shkolle krijuan një atmosferë histerie në mjedisin e studentëve, të cilët, të indoktrinuar nga shefat, kaluan në ekstazë duke brohoritur për udhëheqësin gjenial të PPSH-së e duke afishuar vendosmërinë e tyre për t’ia rikthyer nderin diktatorit të zvarritur nëpër rrugët e Tiranës. Kjo situatë brenda shkollës induktoi tension të madh te banorët rreth saj.

Brohoritjeve brenda shkollës u përgjigjeshin brohoritjet jashtë saj, sigurisht me një përmbajtje të përmbysur. Djemtë e lagjes nisën të qëllojnë me gurë e objekte të tjera studentët që kishin kaluar në gjendje acarimi brenda mureve të shkollës, në oborrin e saj. Pasditen e 21 shkurtit 1991, një skuadër e armatosur ushtarësh filloi të qëllojë me breshëri automatiku drejt civilëve të lagjes përballë. Motivi i zjarrit ishte thjesht një provokacion. Përballë shkollës kishte kaluar një veturë e kuqe dhe nga ajo veturë dikush paskësh qëlluar në drejtim të studentëve ushtarakë.

Menjëherë në shkollë qé përhapur lajmi se ai që qëlloi ishte Azem Hajdari. Megjithëse u provua me fakte që atë ditë Azemi nuk ndodhej në Tiranë, të revoltuarit nuk dëgjonin nga ai vesh, sepse shefat e kujdesshëm ua kishin vulosur veshët me dyllë. Njerëzit përreth u alarmuan skajshëm, dikush i plagosur nga plumbat e ushtarëve, dikush tjetër duke mbajtur në krahë fëmijën e tij të gjakosur, të tjerë duke ndihmuar vëllanë, të afërmin apo fqinjin të goditur nga plumbat që fluturonin qorras. Një oficer, ulur në shtëpinë e tij, u plagos në krah, një fëmijë disamuajsh u plagos në ballë nga një plumb që bëri rikoshetë, kurse një djalë i ri vdiq në spital.

Reagimi i banorëve qé i menjëhershëm. Ata e shprehnin zemëratën e tyre duke hedhur gurë, duke sharë me zë të lartë studentët, tashmë të rrethuar brenda shkollës, duke ndaluar makinën e bukës të hynte në shkollë, madje duke ua ndërprerë furnizimin me ujë të rrethuarve. Thuhej se dikush i kishte vënë flakën shtëpisë së komandantit të shkollës, e cila shpëtoi për fije. Tensioni arriti nivele të larta. Ky tension mund të çonte në vendosjen e një shtetrrethimi dhe marrjen në dorë të pushtetit nga ushtria. Thuhej që Kiço Mustaqi i hidhte benzinë zjarrit. Në të tilla kushte, Sali Berisha i ngarkoi Degës së Tiranës të Partisë Demokratike detyrën e vështirë të një përpjekjeje për të shuar konfliktin.

U nisëm drejt Shkollës disa veta, nga të cilët kujtoj Dashamir Shehin, Dylber Vrionin, Mark Topallajn, Sokrat Nesturin, Sotir Qirjaqin e ndonjë tjetër me synimin e qartë të ndalonim precipitimin e situatës. Mirëpo ishte e pamundur t’i bindje njerëzit të largoheshin. U ndodhëm përpara një muri qeniesh njerëzore që pothuajse nuk hanin arsye. Unë vështroja me shpresë nga Dashi. Kisha shumë besim te mënyra e komunikimit të tij me ta, logjika e ftohtë dhe praktike, që i detyronte njerëzit që e dëgjonin t’i bindeshin forcës së argumentit. Mirëpo grupet e njerëzve ishin aq të acaruara, sa edhe aftësitë e Dashit nuk bënin më punë.

Ata i bindeshin vetëm argumentit të forcës. “Shkolla e Bashkuar” mbrohej me armë, kurse rrethuesit sulmonin me gurë. Ndërkohë një tank patrullonte përqark Shkollës, ndërsa TV shtetëror filmonte protagonistët e popullit kryengritës. Rruga e Dibrës përballë Shkollës mbahej nën vëzhgim të rreptë. Rojet nuk lejonin askënd të kalonte jo vetëm në trotuarin e Shkollës apo në rrugën e automjeteve, por as në trotuarin tjetër. Njerëzit në atë pjesë të rrugës detyroheshin të kalonin prapa pallateve, sepse nga Shkolla herë pas here qëllohej me breshëri. Gavroshët e lagjes lidhnin kavo midis dy shtyllave të vendosura në të dyja anët e rrugës.

Tanku gjatë lëvizjes së tij u pengua nga kavoja dhe duke e tërhequr atë i përkuli fort ato duke krijuar një pengesë bllokuese në trajtën e shkronjës X përpara vetë tankut. Patëm dëgjuar një fjalë se në “Shkollën e Bashkuar” oficerët e rinj nuk e përkrahnin idenë e rivendosjes së bustit të Enver Hoxhës në sheshin ” Skënderbej “. Nisur nga kjo i them Dashit dhe Markut: “Sikur të provojmë të hyjmë në shkollë e të shohim se mos e zmadhojmë këtë krisje të tyre”.

Ata ma miratuan këtë variant dhe unë nuk e mendova më gjatë rrezikun që mund të më priste. U nisa në drejtim të ushtarit që qëndronte mbi mur në gatishmëri të qëllonte civilët që do të guxonin të afroheshin. Unë tundja duart lart duke treguar se nuk kisha gurë e shpresuar se ai do të ishte aq i mençur sa të mos qëllonte. Vura ré që ai u përmbajt. U afrova te muri dhe i thashë se donim të flisnim me komandantin e shkollës. Dikush u fut brenda në godinat e shkollës dhe pas pesë minutash solli përgjigjen se komandanti ishte i gatshëm të na priste.

Thirra Dashin dhe Markun. Njeriu me armë na shoqëroi te komandanti. Në një zyrë që kishte në mes një tavolinë të gjatë e disa karrige, na pritën komandanti dhe komisari i shkollës. Ne u kërkuam atyre të përgjigjeshin se pse nga “Shkolla e Bashkuar” ishte qëlluar me armë jashtë çdo logjike drejt pallateve përballë, duke shënjuar njerëz që nuk kishin fare të bënin me konfliktin. Ata ngulnin këmbë se nuk kishin hapur zjarr studentët e shkollës. Gjatë bisedës vija ré që komandanti ishte shumë i shqetësuar, i ngrysur dhe i dridheshin duart, kurse komisari dukej më i qetë dhe pothuajse buzagaz.

Ata na shpjeguan se nuk kishin bukë, ujë dhe lidhje telefonike, pasi edhe telefonat u ishin prerë e nuk punonin, madje nuk kishin mundësi as letra të dërgonin apo të merrnin nga jashtë shkollës. Kështu që shqetësimi i studentëve ishte shumë i madh dhe ata vetë e kuptonin se dikush donte ta shfrytëzonte situatën e krijuar. U kërkuam që të shkruanin në letër çdo gjë që u bisedua dhe ata e shkruan. Me letrën e tyre në dorë dola përjashta. Kishte shumë njerëz dhe ne të tre u shpërndamë për t’u shpjeguar me turmën, ndonëse nuk kishim mundësi t’i sqaronim pasi të gjithë bërtisnin.

Zëri ynë mbytej prej ndë- rhyrjes së dhjetëra zërave në të njëjtën kohë. Aty pranë përballë shkollës ishte një tavolinë e ngurtë, nga ato që ndërtonin nëpër lagje në atë kohë për pensionistët. Hipa mbi tavolinë duke tundur dorën, në të cilën mbaja letrën e shefave të Shkollës Ushtarake dhe duke u treguar atyre se çfarë na thanë ata. Mirëpo faktet që ata m’i përplasnin në vend të përgjigjes, nuk qenë fort të qarta për mua, pasi unë nuk kisha qenë atje në kohën e të shtënave. Disa të irrituar nisën të më akuzojnë me ulërima: “Spiune, ty të kanë dërguar për të na gënjyer?!”

Ata nisën të hipnin mbi tavolinë për të ma marrë letrën nga dora. Unë sa s’po bija mbi turmë, sepse tavolina nuk na nxinte të gjithëve. Duke përfytyruar se si ajo turmë, në verbërinë e zemërimit të saj ku logjika nuk punonte më, mund të më linçonte, u ndjeva keq. Tashmë nga toni i zakonshëm autoritar që përdorja në raste të tilla nuk kishte mbetur asnjë gjurmë. Nisa t’u flisja me një tronditje të dukshme e me zë zemre: “Unë jam një prej jush, por, duke mos i njohur të gjitha faktet, nuk nxirrja dot më shumë se kaq”.

Në vijim do të ftoja disa nga djemtë e lagjes që mund t’i dinin gjërat më mirë që të sqaroheshin më në detaje me drejtuesit e “Shkollës së Bashkuar”. Ishte një situatë vërtetë e ndërlikuar. Unë nuk po trembesha më aq shumë nga plumbat se sa nga ndonjë marrëzi që mund ta kapte turmën duke menduar se unë qeshë spiune e kushedi se ç’mund t’u sajonte mendja. Zëri im duhet të kishte diçka të veçantë që pasqyronte frikë, megjithëse u përpoqa ta fshihja.

Ndërkohë, fare rastësisht vura re që Dashi ishte i gatshëm për të ndërhyrë, nëse ndodhte diçka e paparashikuar. U propozova të vinin tre-katër veta me mua të hynim përsëri në Shkollë për t’u sqaruar. Meqenëse të gjithë donin të bënin pjesë në “delegacion” mu desh të pranoja dhjetë prej tyre. Ç’i shtyu të vinin pas meje, një personi që as e njihnin e as e kishin të lagjes dhe që përpara dy minutash desh e linçuan?! Nuk e di. Hymë përsëri në Shkollë.

U bë një debat disi i ashpër me drejtuesit e Shkollës. Djemtë e dërgatës këmbëngulnin që plumbat patën ardhur nga “Shkolla e Bashkuar” dhe jo nga rruga, siç pohonin oficerët e lartë sepse nga largësi të vogla plumbat mund të godisnin vetëm tavanet e banesave e jo muret përballë pa rikoshetë. Së fundi, problemi u zgjidh pasi komanduesit e Shkollës pranuan që ushtarët e Repartit 326 kishin hyrë në Shkollë dhe kishin qëlluar nga oborri i saj. U sqaruan edhe hollësi të tjera si për shembull fakti që fishekët në dispozicion të Shkollës nuk qenë si ato që u përdorën në reprezaljen ndaj banorëve përreth. TVSH kërkoi leje të filmonte në sallë dhe ne pranuam.

Ndërkohë jashtë midis turmës kishte arritur Gramos Pashko dhe revolta po shënonte ngjitje me kulminacione të reja. Djemtë po afroheshin me synimin të shembnin muret e Shkollës. Unë desha të merrja sërish me shkrim ato që u thanë gjatë debatit të parë me drejtuesit e Shkollës, mirëpo dikush ndërhyri dhe njoftoi se turma po shembte murin dhe se ata do të shtinin për të mbrojtur veten. Atëherë, unë së bashku me dhjetë djemtë e lagjes, dolëm nga Shkolla.

Djemtë arritën të shpjegohen e të komunikojnë me turmën dhe biseda me të mori njëfarë udhe normale. Kisha ardhur atje, nga selia e PD-së, aty nga ora 10 e mëngjesit dhe u habita kur vura ré që po ngrysej. Dalëngadalë njerëzit po rralloheshin, ndërsa ata më të dëmtuarit nga të shtënat, duke menduar se unë isha hetuese, nisën të më merrnin me vete në shtëpitë e tyre për të më treguar të plagosurit. Një grua qante sepse plumbi kishte kaluar në dollapin ku qenë varur kostumi dhe veshjet e tjera të djalit që do të martohej. Rrobat ishin të gjitha me nga një vrimë.

Në një banesë tjetër, një bebe ishte plagosur mu në ballë tek pinte gji. Unë merrja shënim, merrja gëzhojat në dorë dhe më vinte keq t’u thosha atyre se unë nuk isha hetuese. Ata shpresonin se dikush duhej t’ua zgjidhte atë padrejtësi të paparë. Hipja e zbrisja nëpër katet e apartamenteve dhe përveç lodhjes së jashtëzakonshme, po ngordhja për të ngrënë, mirëpo nuk largohesha dot sepse një grup i madh njerëzish më shoqëronte ngado. Më në fund, me sa duket, edhe ata u lodhën. Mbeta vetëm me njerëzit e shtëpisë Nr. 55 të farmacistit Nazmi Alibali. Atje më treguan se si kishin shpëtuar për fije nga të shtënat dy fëmijët e tij dhe dy të të vëllait, Malit.

Vrima e plumbit ishte fiksuar në xhamin e dritares së dhomës ku kishin qenë ata fëmijë. U ndava edhe me ta dhe dola në rrugë. Nuk kisha as tre lekë të vjetra me vete për autobus dhe u ktheva në këmbë në selinë e PD-së ku hyra në orën 11 të darkës. Nuk e dija që TVSH në orën 6 pasdite kishte lajmëruar se përfaqësues të PD-së po bisedonin me drejtues të “Shkollës së Bashkuar”.

Sapo më pa në korridor Azemi, m’u turr duke më thënë se PD-ja nuk më kishte autorizuar mua të bëja tratativa me ata kriminelë. U bë zhurmë në korridorin e katit të dytë, pranë zyrës së Berishës, i cili kur dëgjoi shamatën doli nga zyra. Për habinë time, ai më ra krahëve dhe më tha: “Ke ba shumë mirë, ke ba nji gja shumë të mirë”. Pas kësaj, në zyrën e tij i tregova për ngjarjet dramatike në “Shkollën e Bashkuar” dhe rreth saj. I thashë se djemtë e lagjes bërtisnin se deri të nesërmen në orën 10:00 do të prisnin të gjendeshin fajtorët, që shtinë kundër popullit, në rast të kundërt konflikti do të përshkallëzohej.

Sipas meje, ishte mirë t’i siguronim bukën “Shkollës së Bashkuar”, pasi populli i lagjes përreth ua kishte penguar furnizimin. Kështu, studentët do të kuptonin që PD-ja nuk ishte armiku, por Berisha e pa të tepërt. Të nesërmen u nisëm me makinë përpara orës 10:00 për të vëzhguar se çfarë do të ndodhte rreth Shkollës. Është interesant fakti që aq shpejt sa mblidhen njerëzit kur ndodh diçka e pazakontë, po aq shpejt largohen kur e pazakonta bëhet e zakonshme apo normale dhe kur nuk ka asgjë për të sqaruar. Ata e dinin tanimë se vrasësit nuk ishin më në Shkollë. Bashkë me Berishën dhe tim shoq, Skënder Shkupin, u nisëm për te “Shkolla e Bashkuar”.

Qëndruam diku pranë saj dhe z. Berisha më udhëzoi të hyja në Shkollë e t’u kërkoja drejtuesve të saj të largonin nga territori që administronin ushtarët me armë, të cilët mund të irritonin turmën. Ndërkohë vura ré që tensioni i djeshëm kishte rënë shumë. Altoparlantët po jepnin muzikë dhe ca studentë po luanin futboll. Komisari më priti shumë mirë dhe më qerasi me një ëmbëlsirë në klubin e Shkollës.

Ai m’u duk njeri i sjellshëm. U ktheva në makinë dhe i raportova Berishës se ç’bëhej brenda Shkollës dhe pastaj u kthyem në selinë e PD-së. Po atë ditë afër mbrëmjes, një dërgatë e PD-së, ku bënin pjesë Neritan Ceka, Abdi Baleta dhe Blendi Gonxhe, zhvilloi takimin zyrtar me drejtuesit e “Shkollës së Bashkuar’, si rrjedhojë e të cilit u mbyll kriza tronditëse e revoltës së studentëve ushtarakë në mbrojtje të Enver Hoxhës dhe të komunizmit, që po hiqte shpirt në të gjithë kontinentin.

* Sekretare e PD-së në vitin 1991 për qytetin e Tiranës

Please follow and like us: