Albspirit

Media/News/Publishing

Prokurori i Antimafias: Në Shqipëri mafia ka lidhje me politikën

Prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho në një deklaratë për mediat dhënë pas takimit me Kryeprokuroren Arta Marku dha alarmin se bandat shqiptare dominojnë në Itali dhe mafia në vendin tonë është e lidhur fort me politikën.

“Mafia në Shqipëri është e fortë pasi ka lidhje me ekonominë dhe politikën. Ne kemi evidentuar sesi grupet shqiptare të krimit të organizuar kanë krijuar aleanca me organizatat tona kriminale si Sacra Corona Unita. Ato angazhohen në trafikun e armëve, shitjen e drogës dhe trafikun e kokainës”, u shpreh ai.

Prokurori i Antimafias italiane foli për hetime të shumta që po zhvillohen në Itali.

“Në takimin që pata me ministrin e Brendshëm u fol për iniciativat e përbashkëta që po shkojnë përpara, por edhe për krijimin e Task Forcës për të goditur krimin e organizuar”, nënvizoi De Raho.

Ai sqaroi se “grupet shqiptare që merren me trafikun e drogës në Itali veprojnë kryesisht në zonën e Kalabrisë, veriun e Italisë dhe zonën e bregdetit jonian”.

“Ka shenja se mafia shqiptare mund të ketë pushtuar institucione si policia. Duhet t’i luftojmë këto organizata dhe për ta bërë këtë duhet të angazhojmë njerëzit e duhur dhe kapacitetet e duhura. Krimi i organizuar me shembullin shqiptar tregon se këtu nuk është kontrolluar si duhet territori”, deklaroi prokurori i Antimafias.

De Raho u pyet nga mediat edhe për çështjen e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri. Ai tha se po Italia po bashkëpunon me palën shqiptare, duke theksuar se ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë, si për qytetarët, ashtu edhe për politikanët.

“Niveli ynë nuk është bazuar mbi pozicionin politik apo klasën sociale të subjektit hetimor. Në Itali ligji zbatohet njësoj për të gjithë dhe kjo na bën ne të fortë. Ligji duhet të veprojë njësoj, për t’i gjykuar të gjithë në mënyrë të njëjtë. Kështu shpresoj të ndodh edhe në Shqipëri”, theksoi De Raho.

Për zyrtarin e lartë italian, bandat kriminale shqiptare po bashkëpunojnë me ato italiane në trafikun e drogave të forta.

“Kërkojmë një qëllim serioz nga Shqipëria për të mposhtur gupet e krimit të organizuar. Fakti se kanabisi vjen ende i eksportuar në Itali është fryt i ruajtjes së kësaj sasie, ndaj forcat tona të ligjit po tentojnë të zbardhin edhe këto raste. Shqetësim i madh mbetet trafiku i kokainës”, – shtoi ai.

Please follow and like us: