Albspirit

Media/News/Publishing

Hiqet ndihma sociale, 5 miliard për mobilje dhe zyra qeveritare

Qeveria Rama duket se është e lidhur fort me pjesën e imazhit. Këtë gjë e tregon edhe shpenzimet e parashikuara në buxhetin e vitit 2018, ku kjo qeveri ka parashikuar që të shpenzojë rreth 4.8 miliardë lekë për ndihmën ekonomike, ndërsa për rikonstruksionin e godinave të ministrive, blerje makinash dhe pajisje për zyra, parashikohen mbi 1 miliardë lekë.

  1. Në buxhetin për vitin 2018 kryeministria ka fondin më të lartë prej 224 milionë lekësh, i cili parashikohet për blerje të pajisjeve elektronike dhe rikonstruksion të godinës.
  2. Më pas renditet ministria e Ekonomisë dhe Financave për të cilën parashikohet një fond prej 218 milion lekësh vetëm për blerje të pajisjeve elektronike dhe sistemeve elektronike.
  3. Për Ministrinë e Drejtësisë është parashikuar që të shpenzohen 125.5 milion lekë ku pjesa më e madhe parashikohet për rikonstruksion të godinës dhe krijimin e një sistemi elektronik për arkivin gjyqësor.
  4. Gjatë vitit të ardhshëm qeveria ka parashikuar në projektbuxhet edhe një fond për rikonstruksionin e ministrisë së Evropës dhe Punëve të Jashtme.

Nga ana tjetër, në buxhetin e vitit 2018 parashikohet që shpenzimet për argëtim, kulturën dhe çështjen fetare pritet të shkojë diku tek 3.4 miliardë lekë. Këto shpenzime janë rritur me 10 % krahasuar me 2014 dhe 35 % krahasuar me 2012. Këto shpenzime për vitin 2018 janë një ripërsëritje e shpenzimeve të viti 2016, ku qeveria sërish shpenzoi rreth 1 milion dollarë në rikonstruksionin e fasadave të institucioneve, ambienteve të brendshme apo mobilimin e zyrave. Ndërkohë, shpenzimet për shëndetësinë kanë pësuar rënie me 3.6 % në raport me vitin e shkuar dhe ato për arsimin po ashtu pësuan rënie me 1 %. Sikur të mos mjaftojnë këto, qytetarët do të paguajnë më shtrenjtë taksën e banesës, tarifën ujit të pijshëm në Tiranë dhe gazin.

 

Kështu qeveria Rama mund të jetë dorështrënguar në rritje pagash, pensionesh, shpërblime, apo për familjet në nevojë, por kurrë nuk tregohet dorështrënguar në shpenzime për rikonstruksionin e fasadave të institucioneve, mobilim e zyrash apo argëtim. Kjo pasi shkëlqimi i fasadave mund ta largojë vëmendjen për disa çaste nga gjendja reale ekonomisë, mirëqenia e qytetareve, taksat dhe shpenzimi i parave publike në luks qeveritar.

Please follow and like us: