Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Mos të qesim kufij me miqtë tanë

 

Çështja e caktimit të kufijve, është interes jetik i shtetit të Kosovës. Për faktin e thjeshtë, se, secili shtet, që të ekzistojë, së pari, duhet t’ i ketë kufijtë e vet.Tani, meqë ka kohë prej kur Kosova po sorollatet rreth kësaj teme, është e udhës, që, nesër t’i japim zgjidhje kësaj teme. Jo vetëm për faktin se, kjo çështje hap rrugë për liberalizmin e vizave, por edhe për një arsye tjetër themelore: për ta liruar Kosovën nga nja makth i vërtetë që e ka penguar tash e sa kohë të duket vend normal.

Prandaj, duke e pasë parasysh pozicionin tejet të brishtë politik që kemi- me një fjalë- sakatimin që ia kemi bërë dhe po ia bëjmë shtetit të Kosovës, është momenti të këndellemi. Është në të mirë të vendit, që nesër të mbizotërojë arsyeja dhe vullneti politik për të tejkaluar këtë çështje. Dhe, mos të qesim kufij me miqtë tanë, sepse, nëse bëjmë gjë të tillë, atëherë duhet ta dimë simbolikën e kufijve: “kufijtë kanë roje dhe rojet kanë armë.” Ne, nuk kemi llogari që armët e rojeve të kufijve tanë, të drejtohen kundër nesh. As simbolikisht.

Kosova, deri me sot, duke i dëgjuar miqtë perëndimorë, nuk ka humbë asgjë. Përkundrazi, ka fituar gjithçka që ishte ëndrra e saj: ka fituar lirinë dhe pavarësinë.
Duke krijuar kulturën e “mosnënshtrimit” ndaj tyre, siç tentojnë të bëjnë disa të topitur ideologjikisht, humbim të gjithë.

Çuditërisht, kjo temë, politiken e Kosovës nuk e ka armiqësuar me palën malazeze, me të cilën, duhet t’ i përcaktojmë kufijtë, por ndërmjet vete.

Kështu që, kjo çështje, lë mundësi për shpjegime dhe hamendësime të shumta!

Nëse duam t’ i lëmë anash kukurisjet, dhe duam të bëhemi të sinqertë, pikësëpari me vetveten, dhe pastaj me të tjerët, atëherë duhet ta pranojmë me zë të lartë: çështja e kufijve tanë, është politike dhe duhet të trajtohet me maturi dhe me kujdes të shtuar politik.

Tri vite me radhë, jemi hangër me njëri-tjetrin për punë të demarkacionit, dhe kemi krijuar me tonelata urrejtje ndërmjet nesh.
Kemi zvogëluar hapësirat e komunikimit human e normal, dhe i kemi rritë hapësirat e komunikimit johuman dhe jonormal.
Kemi gjuajtur gazë dhe jemi bërë gazi i botës.
Ju kemi dhënë të tjerëve material të bollshëm, që të kenë mundësi, të bëjnë rrëfimet më negative të mundshme për ne.
Por, imagjinojeni, sikur për tri vite, të ishim marrë me problemet e panumërta në fusha tjera jetike për qytetarët e Kosovës. Pa dyshim, do të mund të krijonim parakushte, për të edukuar një brez të ri, më normal, më të ndërgjegjshëm, dhe më të përgjegjshëm përpara sfidave që na presin si shtet.
Imagjinojeni, sikur për tri viteve, të kishim biseduar kaq shumë për çalimet e mëdha në sistemin arsimor: duke filluar nga tekstet e shkreta, ku fëmijët topitën me dokrra e marri të gjithfarshme, deri te paaftësia e sistemit tonë për të krijuar kushte normale të arsimimit, në të cilat, njeriu do të mund të edukohej me ndërgjegje të lirë, me mendje të hapur, dhe, ku, do të mund të zhvilloheshin aftësitë për të gjykuar në mënyrë të pavarur dhe kritike. Në këtë mënyrë, Kosovës do t’i bënim shërbimin më të mirë.
Ndryshe, me dokrra, siç mund të thoshte Fishta, hajmë fiq e kastraveca dhe qesim petulla në ujë.
Ma shumë, jo.

Kërkesat e miqve perëndimorë për të votuar demarkacionin, nuk janë kërkesa të qebaptoreve dhe çajtoreve të Prishtinës. Ato janë kërkesa të qarta të aleatëve më besnikë të shqiptarëve. Të atyre fuqive kryesore të politikës botërore, para të cilëve, dikur, kur kishim nevojë përgjëroheshim pafund.

Prandaj, çdo tentativë, për t’iu ikur kërkesave të tyre, Kosovën rrezikon ta shpie në rrugë pa krye. Në anën tjetër, çdo tentativë për t’i bishtnuar atyre, dëshmon papërgjegjësi politike.
Ne, mund të mos pajtohemi me njëri- tjetrin, për parime të caktuara apo për interesa e agjenda personale. Ne, mund të bëjmë “lojëra politike” për agjenda dhe interesa personale, por nuk guxojmë asnjëherë të rrezikojmë aleancat e krijuara me mund me perëndimin. Sepse, shqiptarët e Kosovës nuk e kanë luksin të bien në kurthin e ideologjive utopike, që tentojnë të mbjellin frymë kundërshtuese ndaj perëndimit.

Kjo lojë është e rrezikshme dhe mund t’ na hakmerret keq.
Diskursi politik i viteve të fundit për “mosbindje dhe mosnënshtrim” ndaj Amerikës dhe BE-së, është i rrezikshëm. Është kurth.

Qytetarët e Kosovës me kohë e kanë kuptuar se, demarkacioni, qe një kauzë e rreme. Këtë argument e provoi më së miri fitorja plebishitare e Gazmend Muhaxherit në Pejë; përkrahës i parezervë i demarkacionit. Fitorja e tij, nuk ka sesi të lexohet ndryshe, përpos si flakaresh politik kundër ish opozitës së gazit e tymit, dhe partisë që drejton sot qeverinë.
Pra, demarkacioni është problem i stisur politik. Është i yni dhe nuk na ka sjellë BE-ja- e as Amerika, andaj edhe duhet ta gjejmë zgjidhjen për këtë.

Në fakt, nëse duam të jemi të sinqertë, duhet ta pranojmë: problemin themelor me kufijtë, e kemi në kokat tona, ku ende nuk e kemi bërë demarkacionin ndërmjet lirisë dhe robërisë. Për pasojë, kemi kaq shume debate histerike dhe aspak përmbajtjesore. Ne vend që të ulemi dhe ta thërrasim arsyen; te pyesim ku jemi dhe kah po rrugëtojmë, në këtë vorbull ndryshimesh të mëdha globale, që afro tri vit, sorollatemi dhe vërtitemi rreth kësaj teme, e cila, i ka topitë, të madh e të vogël në vendin tonë.

Askush nuk mund ta mohojë ndjeshmërinë e kësaj teme, për faktin se, na kujton problemet e vjetra, kur nuk qemë të zotët t’i ruajmë kufijtë tanë. Në fakt, as sot, nuk është që jemi fort të zotët që ta bëjmë një gjë të tillë.

Nga ajo që kemi parë dhe lexuar deri me sot rreth demarkacionit, askush nuk ka arritë ta provojë se Kosova humb territor. Të jemi të qartë: kukurisjet patriotike dhe “shkenca” e thashethemeve, kanë pasë rol në kohërat e pashallëqeve, por jo të shtetit modern, ku faktet provohen dhe nuk supozohen. Ku argumentet iu nënshtrohen analizave dhe ekspertizave, dhe ku, sentimentet e këngëve popullore nuk kanë peshë përballë teksteve të shkruara.

Prandaj, nesër, nuk duhet të qesim kufij me miqtë tanë. Në këtë mënyrë, i bëjmë shpërbemin më të mirë vendit tonë dhe të ardhmes së tij perëndimore.

Please follow and like us: