Albspirit

Media/News/Publishing

Spartak Ngjela: Drejtësia në rrugë të mbarë

 

Parlamenti i djeshëm që miratoi ligjin për vetingun e policisë së shtetit, tregoi se Reforma në Drejtësi po ecën përpara pa pengesë.

Erdhi më në fund një kohë kur ministri i Brendshëm shqiptar duket se është me shqiptarët dhe kundër abuzuesëvë të tyre.

Shqipëria ka jetuar në 100 vjet padrejtësi.

E di ministri Xhafaj këtë?

Gjithashtu, a e di ministri Fatmir Xhafaj që nëse do të veprojë ashtu siç tha dje në Parlament, ai do të hyjë në historinë e Shqipërisë si një figurë qëndrore që vuri energjitë e tij për të çrrënjosur 100 vjet padrejtësi shqiptare?

Nga mënyra sesi foli, kuptohet se e di këtë gjë.

I.

Sot dallojnë se janë dy figura qëndrore ku duket se është mbështetur Uashingtoni kundër abuzimit korruptiv shqiptar: te Prokurorja e Pergjithshme Arta Marku; dhe te ministri i Brendshem, Fatmir Xhafaj.

Ideja është se të tjerët janë tani të faktuar se po janë kundër Reformës në Drejtësi. Kurse, këtu lind një pyerje: po të tjerët a janë të rrezikuar nga Reforma në Drejtësi, që janë sot kundër saj?

Për rrezikun është shpejt të flasim, por treshja kryesore e pushtetit të sotëm politik Rama, Meta dhe Sali Berisha janë objektivi kryesor i Reformës në Drejtësi. Dhe nuk ka si të ishte ndryshe, sepse për faktin e vërtetë që korrupsioni kryeministror real në Shqipëri ka filluar në vitin 2000, atëherë kuptohet se të.tre këta kryeministra janë përgjegjës praktikë për korrupsionin kryeministror shqiptar.

Është arsye absolute se me një kryeministër të pakorruptuar nuk mund të ketë korrupsion të administratës shtetërore. Atëherë është i qartë konkluzioni: tre qeveritë e korruptuara që përfaqësojnë Meta, Berisha dhe Rama, sigurisht që, një drejtësi reale, do t’i penalizonte, madje Meta ka qenë realisht dhe gjysma e qeverisë së korruptuar Rama 1.

Atëherë?

ll.

Atëherë pyetja që duhet bërë këtu është kjo:

Cila është metoda likuiduese e Reformës në Drejtësi?

Gjithçka sigurisht që do të ecë sipas konceptit amerikan.

Që nga miratimi i kushtetutës së re, Shqipëria juridikisht po ecën sipas konceptit amerikan. Gjithë të tjerat janë fjalë boshe. Kurse koncepti amerikan i drejtësisë që udhëheq gjendjen juridike të shtetit shqiptar sot, nuk mund të bëjë lëshime.

Korrupsioni kryeministror shqiptar i tre qeverive që përmendëm, është bërë sot pengesë për politikën globale. Në këtë politikë globale amerikane, Shqipëria është domosdoshmëri e suksesit, por pengesa ka qenë dhe mbetet korrupsioni kryeministror aktual i Shqipërisë. Atëherë, logjika është e pastër: ky korrupsion do të likuidohet tërësisht? Po.

Atëherë, ky sigurisht që është edhe interesi shqiptar, sepse vetë shqiptarët, pas 100 vjetësh do të shpëtojnë nga padrejtësia dyfishe që i ka pasë pllakosur: padrejtësi genocidiale për pushtim territorial shqiptar nga fqinjët; dhe, padrejtësi shoqërore brenda shtetit shqiptar nga krerët e korruptuar që, pasi kanë shitur interesin shqiptar, kanë sunduar me abuzivizëm shqipëtarët e lënë prej tyre me kast në varfëri.

Ill.

Po si ka mundësi që edhe Edi Rama të jetë në këtë grup kur ky është shefi i maxhorancës aktuale?

E para, Rama ka indicje që është pjesë e korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri; dhe së dyti, Rama nuk e mbështet më Reformën në Drejtësi, fakt ky që e provon arsyen e parë.

E gjithë lëvizja Rama nga Erdogani në Moskë dhe nga Moska në Beograd, është një lëvizje sterile e tij që, nga mëndjelehtësia e mendoi dhe po e mendon Reformën në Drejtësi jo si një motiv të konceptit politik amerikan për Ballkanin Perëndimor, por si një gjë kalimtare që ky mund ta frenojë, po të bashkohet me Berishën.

E gjithë kjo lëvizje që nuk jep produkt tjetër përveç atij të dështimit, e ka fundosur Edi Ramln që tani, por në një të ardhme shumë të afërt, do ta eliminojë plotësisht, sepse pengesa e tij kundër Reformës në Drejtësi është një gjë e pamundur.

Këtë tregoi dje në Parlament edhe miratimi i ligjit për vetingut e policisë së shtetit. Në këtë seancë spikati që ministri Xhafaj kuptohet se ka dalë figura kryesore në ekzekutivin shqiptar në lidhje me ecurinë e mëtejme të Reformës në Drejtësi.

Përfundimisht: dyshja Marku, Xhafaj, ka sot në dorë neutralizimin tërësor të korrupsionit kryeministror shqiptar; dhe ka gjithashtu edhe mundësinë e dhënë që, pikërisht për këtë, këta të dy të hyjnë në historinë e Shqipërisë si kontribuesë të mëdhenj të vendosjes së drejtësisë në strukturën politike dhe shoqërore të popullit shqiptar.

Dhe kuptohet që këta të dy e dinë këtë gjë.

Please follow and like us: