Kush është pronari i firmës “Arbri Garden” që priti 613 kg kokainë?
Arbër Çekaj, pronar i kompanisë e cila priti dhe magazinoi sasinë prej 613 kg kokainë, është personi tashmë i shpallur në kërkim policor.
Magazina ku u arrit të kapej droga e cila monitorohej në mënyrë të vazhdueshme nga policia, ndodhet në rrugën dytësore ‘Maminas-Durrës. Kompania rezulton e hapur më datë 03/05/2012, raporton TV Klan. Në përshkrimin e aktivitetit të punës, kompania njofton se “Arbri Garden” është një kompani e re dhe e kualifikuar e importimit në Shqiperi. “Objektivi ynë kryesor është importimi i bananeve dhe frutave tropikale për konsumatorët tanë me standardet më të larta në cilësi dhe freski, ne sjellim në Shqipëri cilësinë më të mirë të frutave tropikale nga Amerika Latine”.
Pronari i kompanisë, 38-vjeçari Arbër Çekaj i datëlindjes 5 prill me origjinë nga Tropoja dhe banues në Durrës, dyshohet se është një prej organizatorëve të aktivitetit kriminal të trafikimit të kokainës nga Kolumbia deri në Shqipëri.
Në aktivitetin e kompanisë “Arbri Garden” bëhet me dije se përveç transportit të banananeve objekt i aktivitetit të saj janë dhe investimet në fushën e medias, informacionit, reklamës dhe marketingut. Import eksport, prodhim, tregtim i artikujve të ndryshëm të të gjitha llojeve, me shumicë dhe pakicë si: Lule, fidanë dhe bimë të ndryshme të tjera. Tregtim artikuj të ndryshëm blegtorale e bujqësore, tregtim artikuj të ndryshëm industriale.
Ndërkohë, policia ka arrestuar dy personat që pritën këtë ngarkesë, Donaldo Lushaj nga Tropoja dhe Armando Pezaku.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka dhënë detaje lidhur me kapjen e sasisë së konsiderueshme të kokainës. Veliu tha se droga ishte nisur nga Kolumbia, tranzit në Itali dhe Maltë për të mbërritur në portin e Durrësit.
“Mbi bazën e informacioneve të siguruara më herët dhe analizën e riskut, pas një pune të mirë, ka arritur të finalizojë me sukses operacionin e koduar “Last Snow”. Si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja e një sasie rekord prej 613 kg lëndë narkotike kokainë, me vlerë tregu mbi 180 mln euro”, tha Veliu.