Albspirit

Media/News/Publishing

Nikollaq Neranxi: Çensura mediatike që ka instaluar Erion Veliaj, më e rrezikshme se ajo e Enver Hoxhës!

Pak ditë më parë publikova një status në facebook në cilësinë e Kryetarit të Shoqatës së Tregtarëve, ku denoncova edhe një herë falimentimin e mijëra bizneseve në Tiranë si pasojë e rritjes së taksave ekzistuese dhe shtimit të taksave të reja nga Bashkia Tiranë, pa marrë parasysh se tregtarët nuk mund t’i përballonin ato. Taksa vendoset në propocion mundësinë për ta paguar, në rast se nuk është kështu, atëherë ajo kthehet në një instrument shkatërrues për sipërmarrjen e lirë dhe për jetët e qytetarëve, siç po ndodh aktualisht.
Meqë statuset e mia në fb kanë interes publik, ato janë marrë dhe shpërndarë vazhdimisht nga media. Por kësaj here u ndodha para një të papriture. Më merrnin gazetarë pa fund në telefon duke më komplimentuar për shkrimin (çuditërisht edhe për kurajon), por më thonin që e kanë rreptësisht të ndaluar që të publikojnë një shkrim që është kundër Erion Veliajt. Kryebashkiaku i Tiranës ka vendosur një çensurë të frikshme në mbi 90% të mediave dhe çdo lajm që del për të, duhet të marrë fillimisht pëlqimin e tij. Padyshim që në këmbim të këtij shërbimi, Erioni shpërndan privilegje të ndryshme. Heshtja për të mos shkruar kundër tij dhe shkrimet ku i bëhet reklamë, kanë një çmim dhe mesa duket ky çmim është mjaft i kripur. Dosjet ku investigohen shkeljet e institucionit të tij, gjithashtu i vihen në tavolinë dhe mosbotimi i tyre vlen leje pallati e lart. Në këtë mënyrë, Veliaj i cili u zgjodh me votat tona për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, po ndan llokmat e qytetit, sikur të ishte oborri i shtëpisë së tij.
Nevoja e një njeriu në pushtet, për t’i mbyllur gojën gjithkujt që e kritikon për punën e bërë, është një simptomë shumë e rrezikshme që vetëm diktatorët e kanë. Madje kjo që bën Erioni është më e rrezikshme se çensura e Enver Hoxhës, sepse të paktën atëherë e dinim që ishim në diktaturë!
Një drejtues pushteti vendor që investohet kaq shumë që të mos flitet kundër tij, padyshim që na bën të mendojmë se ka shumë për të fshehur. Prandaj është shumë e nevojshme që të bëhet një auditim i detajuar në institucionin e Bashkisë së Tiranës për të parë se si dhe ku janë dhënë lejet, tenderat, prokurimet dhe gjithçka tjetër dhe ky audit të mos përfundojë si qindra dosje me shkelje, të gjetura nga KLSH, të cilat kanë zënë pluhur në Prokurori.
Ata që e kanë zgjedhur dhe që e paguajnë me taksat e tyre, kanë të drejtë të mësojnë se çfare ka bërë deri tani në atë institucion, “Mister çensura”.
Ndërkohë unë do vijoj të shfrytëzoj hapësirën time të lirisë në facebook, me shpresë të Zotit, që të mos i teket një ditë të bukur Zuckerbergut, të vijë të kërkojë ndonjë leje kulle në Tiranë.

Nikollaq Neranxi, Kryetar i Shoqatës për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë.

Please follow and like us: