Basha: Me Ramën, Shqipëria kalon nga kanabisi te kokaina
Kreu i Partisë Demokratike ka akuzuar kryeministrin Rama se e ka kthyer sërish Shqipërinë në vend të përpunimit të drogave të forta pas periudhës kur në vend mbizotëronte kanabisi.
Basha tha se vendi ka kaluar nga marijuana, te kokaina dhe për këtë sipas tij, përgjegjës është vetëm kryeministri Rama.
“Kokaina e kapur në Durrës, vërteton atë që unë dhe opozita kemi thënë vazhdimisht. Kanabisi ishte vetëm fillimi, tani e kanë radhën heroina e kokaina. Shqipëria me Ramën kalon nga kanabisi, te kokaina. Një sasi e tillë, nuk mund të kalonte në Shqipëri pa një garanci politike në nivele të larta, – u shpreh Basha në një dalje për mediat. – Paratë e drogës janë të nevojshme për stabilitetin ekonomik e e politik të vendit. Këto para do pastroheshin në lavatriçen e madhe të parave të pista në Bashkinë e Tiranës, e cila ka dyfishuar lejet e ndërtimit në kryeqytet pas bumit për kërkesa”.
Basha u shpreh se në vend po pastrohen miliona euro para të pista edhe në sektorë të tjerë. “Në vend nuk po eksportohet dhe ndërtohet asgjë veç trafikut të drogës. Aktiviteti më i madh në vend është droga. Shqiptarët nuk kanë alternativë tjetër. Kjo vërteton edhe një herë atë që raportet ndërkombëtare kanë thënë prej kohësh”.
Sipas Bashës, biznesmeni i bananeve që iu kap kokaina në Durrës, “ka marrë 97 dërgesa nga Kolumbia dhe Shqipëria shërben si bazë për përpunimin, paketimin dhe trafikun e drogës drejt vendeve të Europës. Tashmë këtë e thotë DASH-i dhe Europpol, – theksoi kryedemokrati. – Si në rastin e Xibrakës, është arrestuar vetëm shoferi, por jo bosët dhe nuk mund të arrestohen deri sa në krye të vendit është Edi Rama. Problemi zgjidhet vetëm duke larguar Ramën”, – përfundoi kreu i PD-së.