Sadik Bejko: Mallkimi i tragjedianit Haxhiademi
Në vëmendje të Ministrisë së Kulturës dhe të Teatrit Kombëtar.
Tragjedinë “Skënderbeu” të Ethem Haxhiademit e ka vënë në skenë Xhevat Nimani me teatrin shqiptar në Shkup në vitin 1989-90.
A mund të vihet në skenë në këtë vit jubilar të Skënderbeut?
ET’HEM HAXHIADEMI ka lindur në Elbasan më 8 Mars 1902. I ati, Emin Haxhiademi , si bashkëpuntor i ngushtë i Konstandin Kristoforidhit, njihej si patriot që përpara Kuvendit të Lidhjes së Prizrenit.
Babai i mësoi shqipen. E futi dhe në Normalen e Elbasanit, themelues i së cilës ishte ai vetë.
14 vjeç u mbyll në shtëpi që të shkruante një dramë.
Mësoi latinishten, iu fut përkthimit të “Bukolikeve” të Virgjilit, i dha shqip në hekzametra.
Në Austri lexonte tragjedianët grekë në latinisht dhe gjermanisht.
Në Berlin për studime më 1924.
Papritmas i vdes e dashura dhe shkroi elegjinë “Galatés”.
Tragjedia iu bë “fryma ime e të jetuarit”, siç i shkruante Lasgush Poradecit.
Pas tragjedisë “Ulisi “, dy vjet më vonë , më 1926 shkroi në Vjenë tragjedinë “Akili”.
Erdhi në Shqipëri në vitin 1927, u emërua nënprefekt në Lushnjë. Pas një viti shkroi tragjedinë “Aleksandri”.
Tri tragjeditë i botoi në Tiranë më 1931.
Me punë në Berat… në Gjirokastër, kryesekretar i prefekturës, viti 1933. Përfundon tragjeditë “Pirua”(1934), “Skënderbeu” ( 1935), “Diomedi” (1936). Shkroi “Abeli” në prag të pushtimit (1938) .
Sipas tij, duhej ribërë Shqipëria e lashtë, ajo mesjetare, aristokracia, kalorësia.
Duhej rimarrë mitologjia, antikiteti, heronjtë, pasionet e përjetshme, e bukura e estetikës klasiciste…
Disa nga tragjeditë u vunë në skenë në Elbasan. Djemtë e rinj luanin rolet e grave.
Gjatë pushtimit fashist pati simpati për ‘Ballin Kombëtar’, botoi librin me poezi “Lyra” .
Aty gjejmë elegjitë e dashurisë, “Galatés”, “Nata e zezë”, poezinë për Naim Frashërin, këngëtarin hyjnor.
Pasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore është themelues i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë dhe kryetar për degën e Elbasanit.
Më 1946 e arrestuan.
Dënimin me vdekje me ndërhyrjen e Aleksandër Xhuvanit ia kthyen në burg. E mbyllën në Burrel. Përkthente. Përkthimet mbase janë botuar me emra të tjerë, ose kanë humbur.
Shkroi romanin “Jeta e Njeriut” dhe dramën “Koha e premtueme”. Deri tani mendohen të humbura.
Viti 1965, 63 vjeçar, mbas 18 vjetësh burg, po i vinte dita e lirimit… por ka mbetur enigmë si vdiq. Një atak zemre i beftë. Mbase nuk duhet të dilte prej burgut. Eshtrat e tij nuk janë gjendur. Në varrezat e Elbasanit familja i ka bërë një varr kenotaf (pa eshtra).
Ndërkaq vjen tek ne Anatema për diktatorin shqiptar, një poezi me mallkimin e tragjedianit Haxhiademi:
Qofsh i mallkue, i poshtun, ti për jetë,
Prej nesh edhe prej zotit të vërtetë.
Zemra e jote kurr mos t’paft gëzime,
N’mjerimin tand ne gjetshim ngushullime.
Ti qi na dhe për pleqëni kët tmerr,
Të bift n’vend t’grunit n’arën tande ferrë.
Jo vetëm ti, por dhe fëmijët tuëj
Mënin e madhe paçin të gjithkuëj,
Paçin bashk’ me urrejtjen e njerzís,
Mallkimet e Krijuësit të Gjithsís.
Prej secilit, prej Eskilit dhe Sofokliut botës i erdhën nga shtatë tragjedi… shqiptarëve u mbetën shtatë tragjedi prej atij poeti që jetën e mbylli tragjikisht, prej Et’hem Haxhiademit.