Injaz Zamputi: Shkrimi i historisë dhe “Shën Dokumenti”
Ribotohet kryevepra monumentale dokumentare: Relacione e dokumente për historinë e Shqipërisë (1610-1650), transkriptuar e përkthyer nga Injac Zamputti
Nga Kastriot Marku
Si sot 20 vjet më parë, pikërisht më 28 shkurt të vitit 1998, u nda fizikisht nga familjarët, të afërmit dhe miqtë, Injac Zamputti. Humbja e këtij njeriu përveçse një humbje njerëzore, shënon në vetvete humbjen e njeriu të madh në të gjitha përmasat, posaçërisht për dijen albanologjike. Puna e tij e jashtëzakonshme lidhur me transkriptimin, përkthimin dhe botimin e dokumenteve për Shqipërinë e shqiptarët ka lënë gjurmë të thella në historiografinë shqiptare. Pikërisht në përvjetorin e 20-të të ikjes së tij, Albanisches Institut dhe Shtëpia botuese “Faik Konica”, morën përsipër për ta përkujtuar dhe nderuar Injac Zamputtin me ribotimin e kryeveprës së tij monumentale dokumentare të botuar së pari në Tiranë para më shumë se 50-vjetësh, me titullin: “Relacionet mbi gjendjen e Shqipërisë veriore e të mesme në shekullin XVII”, vëllimi I (1610-1634) më 1963 dhe vëllimi II (1634-1650) më 1965, nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë. Tre vjet më parë (2015), ishin po të njëjtë botues të cilët botuan “Dokumente për historinë e Shqipërisë (1623-1653)”, vepër të cilën autori e kishte lënë në dorëshkrim e që me të drejtë do të kishte mbajtur titullin “Relacione III”. Ajo që kemi mundur të mësojmë është se fotokopjet e këtyre dokumenteve të nxjerra nga Arkivi Historik i Propagandës Fide, Zamputti ia kishte parë mbi tryezë eprorit të tij që drejtonte Sektorin e Historisë së Mesjetës, Aleks Budës, të cilit duke i vënë në dukje rëndësinë që kishin ato dokumente ia kërkoi që t’i përkthente si punë suplementare në shtëpi. I gjithë materiali dokumentar i këtyre dy vëllimeve me relacione është përthyer e përgatitur për botim punë për një vit e gjysmë në vitet 1955-1956, duke filluar punë çdo mëngjes nga ora tre ose tre e gjysmë për të vazhduar deri sa zgjoheshin fëmijët; aty në tavolinën e bukës në kuzhinën e apartamentit të tij të ngushtë në Tiranë. “Relacionet”, vepër që sikurse e përmendëm më sipër ishte botuar më parë në dy vëllime, kësaj here vjen si botim i përmirësuar me disa risi qoftë të natyrës së kompozimit editorial, qoftë edhe atij redaktorial. Po cilët janë këto ndryshime?
Për studiuesit dhe specialistët e fushës, por edhe për lexuesin e zakonshëm që është njohur me botimin e parë, ndryshimi vjen që në titull, i cili është ngjeshur disi, por duke ruajtur termin “Relacione” dhe periudhën kohore në të cilën janë përfshirë dokumentet (1610-1650). Mendojmë se titulli më i drejtë i këtyre vëllimeve do të duhej të ishte: Relacione të vizitave baritore dhe letërkëmbimi i klerikëve nga Shqipëria në shek. XVII (1610-1650). Një ndryshim tjetër vjen në këtë botim, krahasuar me botimin e parë është sepse titulli është vënë edhe në gjuhën italiane, përveçse atij në gjuhën shqipe, për t’u bërë i përshtatshëm për publikun e huaj, kryesisht atë italian, ngaqë dokumentet origjinale janë në dy gjuhë, pra shqip e italisht, kështu me të drejtë është gjykuar që titulli të jetë po ashtu dygjuhësh.
Është një botim “anastatik” (në kuptimin e botimit të plotë besnik të tekstit autentik të botimit të parë), por me ndryshimin se dy vëllimet janë botuar në një vëllim të vetëm, e kjo është gjykuar nga botuesi për lehtësi dhe komoditet për përdoruesit. Vëllimi i parë ka 39 dokumente gjithsej, 16 prej të cilëve janë relacione, 19 janë letra 1 informacion, 2 janë dëshmi dhe 1 është pasqyrë. Vëllimi i dytë ka 114 dokumente nga të cilët 19 janë relacione, 75 janë letra dhe 20 janë të tjera si 3 dëshmi, 1 pasqyrë, 1 urdhëresë 8 lutje, 1 dëftesë, 1 informacion, 3 kërkesa 1 promemorie dhe 1 interdikt. Vëllimi është një përmbledhje e relacioneve (relationes), të vizitave baritore të dërguara Propagandës Fide nga ana e ipeshkvijve, arqipeshkvinjëve dhe vizitorëve apostolikë, misionarëve rregulltarë apo klerit shekullar në dioqezat përkatëse të Shqipërisë si ato të Marin Bicit (1610), Domenik Andreasit (1623), Gjon Kolesit (1625), Pjetër Mazrrekut (1623-1924 dhe 1633), Benedikt Orsinit (1629), Gjergj Bardhit (1632, 1634, 1636, 1638/1639, 1641-1642), P. Bonaventura da Palazzolo (1636), Fra Kerubinit (1638), Françesk Leonardit (1638), Frang Bardhit, (1637, 1938, 1941), Mark Skurës (1641 dhe 1644/1650) Jacint Sospello (1650), Grigor Mazrrekut (1650) etj., si dhe letërkëmbimi i tyre me po të njëjtin dikaster. Në relacione jepen të dhëna mjaft të rëndësishme mbi infrastrukturën kishtare, sikurse mbi pozicionin gjeografik, vendndodhjen dhe shtrirjen e dioqezave, gjendjen e kishave katedrale, numrin e famullive, vendosjen topografike të famullive dhe kishave, si dhe emërtimin e së cilës prej tyre. Nga këto relacione, për kishat rrënoja në gjendjen e sotme, mësojmë emrin e pajtorit, të cilit i është kushtuar kisha, meshtarin ose famullitarin që e mbarështonte, gjendjen fizike të saj, gjendjen dhe të ardhurat ekonomike; pronën (toka dhe livadhe), të ardhurat nga vreshtat dhe bagëtitë, të dhëna mbi taksat dhe inventarin e pajisjeve dhe orendive kishtare, elterit, petkave të meshës, mbishkrimet, reliket, objektet e vjetra, pikturat, jetën fetare, arsimore, kulturore shoqërore e politike të klerit, numrin dhe përbërjen demografike të popullsisë, cilësinë e shërbimit baritor përmes drejtimit dhe administrimit të sakramenteve sipas Ritualit Romak (pagëzimi, krezmimi, kurora e martesës, vajimi i shenjtë) si dhe regjistrimi i tyre në regjistrat kishtarë përkatës etj. Aty janë trajtuar gjendja e shkollimit të kandidatëve të thirrur për meshtarë (xhakonë), besëtytnitë, çrregullimet martesore (konkubinati), kamatat, çështje doktrinale të besimit nën dritën e Konçilit të Trentos apo të zbatimit të kalendarit të ri gregorian etj., si dhe plot konsiderata të përgjithshme, një lloj përshkrimi ky panoramik mbi Shqipërinë në përgjithësi, si dhe marrim vesh: 1-gjendjen e rëndë politiko-fetare, social–ekonomike, arsimore e morale, si rezultat i sistemit të rëndë të taksave, si pasojë e të cilave, një pjesë e mirë e popullsisë e lëshoi fenë e u konvertua në islamizëm për arsye të diskriminimit juridiko – administrativ apo ekonomik; 2-numrin e pakët të klerit (ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve), si dhe nivelit të ulët kulturor dhe shpirtëror të tij, për shkak të pamjaftueshmërisë së përgatitjes së tij arsimore.
3-gjendjen e rëndë ekonomike dhe financiare të kishave, famullive dhe strukturave kishtare e ipeshkvore, si rrjedhojë e grabitjeve të bëra nga ana e turqve; 4-mosmarrëveshjet e vazhdueshme midis ipeshkvijve për çështjet të kufijve kishtarë mes dioqezave apo juridiksionit kishtar mbi famullitë. Vëllimet e relacioneve të botuara në vitet 1963 dhe 1965, tekstin origjinal të transkriptuar dhe përkthimin e tyre e kanë në dy faqe krah njëra-tjetrës, ndërsa në këtë ribotim janë sjellë në të njëjtën faqe, në dy shtylla, ashtu si në të gjitha vëllimet e mëvonshme të dokumenteve. Kjo është bërë për të respektuar traditën e nisur nga botimet e dokumenteve të nisur nga Giuseppe Valentini e Injac Zamputti në revistën “Leka”, traditë e cila është ndjekur edhe në botimin e mjaft dokumenteve në “Buletin e Shkencave Shoqërore”, e që u ndoq në botimet e mëvonshme të Zamputtit, por çuditërisht në botimin e relacioneve nuk qe i tillë. Kjo metodë botimi përbën edhe një lehtësim për studiuesit, kur atyre u duhet t’iu referohen dokumenteve të këtij botimi, sepse çdo referim apo citim korrespondon me të njëjtën faqe në të dy gjuhët, si në origjinalin italisht ashtu edhe në përkthimin shqip me ndonjë përjashtim kur teksti për arsye të natyrës përkthimore të gjuhës sikurse dihet, në ndonjë rast nuk mund të kufizohet në të njëjtët koficientë fizikë.
Po ashtu, në këtë ribotim janë bërë edhe ndreqjet e nevojshme të gabimeve dhe plotësimet e duhura që në botimin e parë ishin vendosur në fund të secilit vëllim. Shënimet e shumta dhe mjaft të çmuara të cilat shoqërojnë dokumentet, qoftë ato italisht, qoftë ato shqip, e që në botimin e parë ishin vendosur në fund të secilit vëllim, në botimin e ri janë vendosur në fundfaqe me numër progresiv rritës. Duke ditur se deri në fund të viteve ’60 është lejuar botimi edhe në dialektin e veriut, sikurse del edhe në punimet e tjera të autorit, gjatë asaj periudhe, dhe duke qenë se edhe vëllimet me dokumente qenë botuar në dialektin gegë, pra para vendosjes së standardit gjuhësor të vitit 1972, edhe në këtë ribotim është respektuar botimi i parë, pra nuk është ndërhyrë në gjuhën e përdorur nga autori. Botimin e shoqëron në fund edhe një pasthënie e autorit të këtyre radhëve, i cili ia kushton atë punës së madhe dhe vendit që zë Injaz Zamputi në historiografinë moderne shqiptare dhe posaçërisht në diplomatikë. Vëllimi është përgatitur për shtyp nga i biri i autorit, Jozef Zamputti i cili ka bërë edhe ndonjë shënim rast pas rasti, shënime të cilët janë njoftuar në fund të tyre. Botuesit paralajmërojnë që së shpejti do të publikojnë tezën e doktoraturës ende të papublikuar e të mbrojtur në Itali më 1941 “Settecento Veneziano e l’Albania Turca (Shtatëqinda Veneciane dhe Arbëria Turke) e që në Shqipëri nuk iu njoh kurrë si e tillë, për të mos i njohur si të tillë titullin shkencor. Më pas do të vijojë botimi i artikujve të tij studimorë botuar në periodikë të tillë si: Buletinin e Shkencave Shoqërore, Studime Historike, Studime Filologjike, Iliria, Studia Albanica, Hylli i Dritës, për t’u ndjekur më pas nga “Kujtimet” e tij që ka lënë në dorëshkrim, të cilat me shumë siguri do të jenë një “histori” më vete e shekullit të jetës së Zamputit. Injac Zamputti zë një vend të rëndësishëm në historiografinë shqiptare ngaqë ai qe një ndër të vetmit historianë shqiptarë që e kuptoj më mirë se askush tjetër rëndësinë botimit të burimeve dokumentare. Pikërisht kjo bëri që ai këtë punë ta kthejë në një mision. Modeli i transkriptimit, përkthimit dhe botimit të dokumenteve për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve mbetet sot e gjithë ditën një model i panjollë i cili do të duhej e duhet të shndërrohet në një shkollë të paleografisë, diplomatikës dhe arkivistikës.