Albspirit

Media/News/Publishing

Mira Tuci: Zana e ngurosur

“Qyteti agon përtueshëm nën hijen e malit,
si grua hepuar nën peshën e gurit.
Petka rreckosur guri,
kërcinj betoni, kreshpëruar gungash
kallo të paftuara që ulërasin shëmti.
Sytë ngrirë nën dritëza të rrejshme qelqi
vajtojnë hiret që u ngurosën në kohë.

Kodrat dikur të buta, si drenusha të hajthme
U zhvoshkën nga rrumbullaksia
Shtati yt i bukur,
ngjyrë mjalti si gjethe vjeshte të vonë
lufton me hije gri gomerësh që kurrë nuk ngopen.

Pëllasin për bukurinë, gomerët kapërdisur
nga kutitë e zeza,
ego ju kullon jargë në tringëllima floriri,
karnavale fallusesh që shpojnë qiellin
E ta gërvishtin aurën Zana e vogël,
rrezet t’i vodhën një për një
E krekosen me koleksione diamantesh kallpe.

Grua e bukur, Zanë e hijshme
veç dielli sa pa dalë
rrëfen e gjakon mallit
për hiret e tua.”

 

Please follow and like us: