Basha denoncon Olsi Ramën për ngarkesën e 613 kilogram kokainë
Në fjalimin që mbajti në parlament, kreu i demokratëve përmendi Olsi Ramën, të vëllain e kryeministrit si të implikuar në trafikun e 613 kilogram kokainë nga Kolumbia.
Basha mori shkas nga të dhënat në Facebook të shoferit Armando Pezaku, që është arrestuar nga policia dhe që kishte shkruar si profesion se “i çoj miell partizanëve”.
“Njësoj si në rastin e Xibrakës, operatorët kryesorë ia mbathin, asnjë që mund të tregojë nuk kapet. Mbetemi me një shofer që na thotë se malli është për partizanët? Nuk e dimë nëse e ka fjalën për pasardhësit, trashëgimtarët e komunistëve.. apo e ka fjalën për ndonjë ekip futbolli me vëllain e kryeministrit, drejtor? Jo nuk e dimë, dimë vetëm se kaq alarmant u konsiderua ky status sa në të gjitha portalet qeveriare u hoq si me magji. Nuk është fakt. është rrethanë anësore por jo për t’u injoruar. Nuk ka asnjë portal qeveritar që mos ta ketë fshirë faktin se malli apo mielli ishte për partizanët”, u shpreh Lulzim Basha në parlament.
Kreu i PD-së tha se në Shqipëri ekzistojnë tre laboratorë të kokainës që do të përpunonin kokainën e pastër që erdhi nga Kolumbia. Sipas Bashës, trafikantët kanë pasur garanci politike për të sjellë një sasi të tillë kokaine në Shqipëri.
“Arbër Çekaj u largua në 27 shkurt, 24 orë para se të kapej kokaina në Maminas. U largua pasi mbylli niptin gjyqësor të magazinës”, u shpreh Basha duke lënë të kuptohet se operacioni u dekonspirua.