Sadik Bejko: Mbështetje dhe skepticizëm për Haxhiademin
Pak ditë më parë, kur nisa një status mbi Haxhiademin, (më gjerë për E. Haxhiademi e të tjerë si ai, kam shkruar te libri “Disidentët e rremë” 2005), doja që telegrafisht të ushqeja lexuesin e Facebokut me një informim konçiz.
Haxhiademi njihet pak, ose njihet keq. Për arsye politike, për parapëlqime estetike vepra e Haxhiademit është përjashtuar nga historia e letërsisë shqipe, tragjeditë e tij janë përjashtuar nga jeta teatrore, për rreth 50 vjet.
I pari, Prof. Sabri Hamiti e ka klasifikuar poetin e dramaturgun E. Haxhiademi të drejtimit estetik (modern) neoklasik. Neoklasicizmi me sonetet e Filip Shirokës, (që i mburrte shumë buzëholli Faik Konica)), me poemat sonetike të Mjedës, me dramën “Juda Makabe” të Fishtës e të tjera poezi, hyri dhe në Shqipëri si ndikim nga shkrimtarët europianë të fillim shekullit të 20-të.
Por, në këtë rast, dua ta shmang informacionin akademik.
Prof. Josif Papagjonin, Prof. V. Memishën më sollën të dhëna mbi hulumtimet e temat studimore që janë ndërmarrë nga katedrat universitare. Por,… siç e dimë, këto studime lexohen vetëm nga specialistët e fushës. Nuk shkojnë më tej. Pengjet në publikun e gjerë mbeten, mbeten shtampat në vlerësim e autorëve si Haxhiademi, vlerësimet keqdashëse si autorë të tejkaluar, si autorë pa cilësi etj etj. Kjo sidomos për brezin tim… për ne që i përjashtuam… pa i njohur… Nuk lamë që t’i nxjerrë anash neutralisht… gjykatësi i ftohtë…koha…
Sado të bëjnë universitetet, për figura të tilla enigmat mbeten.Dhe mosnjohja për inerci vazhdon t’i lërë librat e tyre nën pluhurin e bibliotekave.
Prapë ndjeshmëria për një figurë si E. Haxhiademi është e lartë.
Këtë e treguan reagimet e Prof V. Memisha, të poetes dhe gazetares Ilnisa Agolli, të Dhurata Hamzait, të Shaban Muratit, reagimet e disa prej ekspertëve më të zgjedhur të estetikës, të regjisurës, të dramaturgjisë si Xhevat Limani, Prof. Josif Papagjoni, Pëllumb Kulla, Arqilea Garo. Unë i falenderoj për mbështetjen.
Mendoj që në këtë vit jubilar të Skënderbeut, të ftojmë dhe specialistë të tjerë të dramës, të historisë së teatrit që të bëhemi nxitës për t’u drejtuar nga trashëgimia teatrore e E. Haxhiademit. Rrugët se si aktualizohen e i jepen publikut të ditës veprat e trashëgimisë, ekspertët e fushës i dinë më mirë nga unë. Vullneti duhet, jo tjetër gjë.
Po jap më poshtë disa nga komentet e miqve të mi:
- Valter Memisha: Studiuesi Durim Çaça ka mbrojtur doktoraturën me veprën e këtij personaliteti dhe ka botuar një monografi shumë të mirë.
- Josif Papagjoni: E habitshme pse njerëz të stekës së lartë, ata që vinin nga dyer atdhetare dhe të fisme, u masakruan dhe syrgjynosën, ndër ta dhe Ethem Haxhiademi. Ia kam lexuar dramat, se ma kërkonte zanati, por ato janë më shumë pjesë e “letërsisë” se sa e dramaturgjisë, pasi kanë shumë pak veprim dhe shumë monologe; pra janë klasike, ndryshe të vlerësuara në hisoriografinë tonë letrare, si neoklasike. Gjuha është disi e rëndë për sot, çka krijon vështirësi. Por, ama, kanë shumë ide dhe mendime, sidomos ajo që thoni ju, Sadik i dashur, vizioni i tij për një Shqipëri të fisme, aristokratike, sidomos për një udhëheqës të staturës së Skënderbeut dhe Pirros. Ilnisa ka pasur një punim masteri të zgjeruar për dramat e tij. Ishte nënkryetar i ‘Ballit Kombëtar’, por jo i trazuar në krime, përkundrazi duke qëndruar disi larg urrejtjeve të panginjura të luftës. Edhe Tomor Plangarica është njohës i mirë i krijimtarisë së tij. Për të kanë shkruar jo pak dhe sot mund të thuhet se është nxjerrë nga harresa dhe është bërë objekt studimi e vlerësimi… Sa mirë ke bërë që nxit me shkrimin tënd…
- Dhurata Hamzai: Duhet të ketë qenë Shqipëria kur shkroi ai si në këto ditë të turbullta të gëlimit të injorancës. Dora e injorantëve po na vret, po na mbyt, po na mbyll gojën. E pra ka një kualitet filozofik drama e tij që i vjen për shtat aktualitetit tonë, ndaj tërheq të mencurit për studime…
- Xhevat Limani: Tragjedinë ‘Skënderbeu’ të Ethem Haxhiademit e vura me teatrin shqiptar në Shkup në vitin 1989-90. Madjee patëm një turne edhe në Zvicër. Unë luaja Skënderbeun, Sefedin Nuredini luanti Hamzain, Moisinē e luajti Zijadin Murtezi, Kont Uranin-Vebi Qerimi, Donikën-Flora Kadriu dhe Zanfinën-Drita Aliu. Një nga shfaqet në Shkup e shikoi edhe Piro Mani dhe shprehu befasinë se si ai të mos e dinte këtë tragjedian. Arti shqiptar duhet trajtuar pa censurë dhe “pa kufij”.
- Achileas Garos: Më pëlqejnë sa shkruan më lart, por druaj se sugjerimi yt nuk do merret parasysh për arsye burokratike… I adresohesh Teatrit Popullor dhe këta do të pyesin: Nga bie ki mo?!…
- Pëllumb Kulla: Jeta e autorit Haxhiademi….e shpjegon vetë harresën që hodhën mbi Et’hem Haxhiademin fatkeq! Kam lexuar “Akilin” dhe copëza letrare shumë e shumë vite më parë. Sikurse Josifi edhe unë kam mendimin se është një autor me formim solid,… në tërë korpusin e tij duhet të përballesh me një gjuhë të vështirë për publikun e sotëm. Megjithatë do të mjaftonte dëshira e mirë, se edhe ajo mund të afrohej pa i prishur strukturën, ashtu sikurse bëjnë italianët me dramaturgjinë klasike dhe bile edhe me atë dialektale (napoletane). Por dëshira që përmenda dhe dashuria për trashëgiminë e Haxhiademit mungon dhe ne trokasim në derën e mbërthyer me gozhdë trarësh. Të përgëzoj për apelin, pavarësisht rezultatit.