Klasikët francezë në Tiranë: Bashkë me Valery, Proust…edhe Kadare në frëngjisht
Rreth 200 tituj me emrat më të rëndësishëm të filozofisë, letërsisë, antropologjisë, arkitekturës apo artit francez të shekullit XX do të zënë vend në Bibliotekën Kombëtare, ku sot përveç pasurimit të fondeve të saj do t’i dedikohet një hapësirë e posaçme, një sallë e re leximi; Paul Valery, Marcel Proust, Milan Kundera, Derridas, deri te krijimtaria në gjuhën frënge të Kadaresë nga përkthimi mjeshtëror i Jusuf Vrionit
Prej dy ditësh edhe pse në kryeqytet e në të gjithë Shqipërinë nuk është ndjerë pranvera, është kultura frankofone që e përmbush këtë atmosferë. Prej ditës së djeshme, për një muaj, në kinema, në teatër, në bibliotekë, pikturë, arkeologji etj., kultura e përvoja franceze do “krijojnë” invazionin e mundshëm se si ky qytetërim e ka krijuar historinë e tij.
Pikëtakimi me shqiptarët duket se edhe këtë herë është me koreografin Angjelin Preljocaj, lajmëruar një ditë më parë se do rikthehet në Tiranë, tani si kineast, me filmin e “Polina”.
Këshilltarja për Kulturën e Ambasadës Franceze, Rose-Anne Bisiaux është shprehur në konferencën për mediat se “Prezantimin e kinemasë e kemi menduar me tre cikle, një në Arkivë, një në Akademinë Marubi dhe një në kinemanë e qytetit ku do të mirëpresim koreografin Angjelin Preljocaj, i cili do të prezantojë filmin e tij “Polina”, bashkë me bashkëshorten e tij Valeri Myler”. Por, sot, çfarë pranverën frankofone të këtij viti do ta bëjë historike është përurimi i sallës franceze të leximit në Bibliotekën Kombëtar, ku pritet të organizohet një ceremoni përuruese, një hapësirë me destinim kulturor frankofon.
Ngritja e kësaj sallë u bë e mundur falë mbështetjes dhe bashkëpunimit që Biblioteka Kombëtare pati me Ambasadën e Francës në Tiranë, Ministrinë e Kulturës, Aleancën Franceze, Fakultetin e Arteve të Bukura etj. Gjatë përurimit, me praninë e Ambasadores së Francës, Ministres së Kulturës, personaliteteve dhe kontribuuesve të frankofonisë në Shqipëri, do të prezantohen edhe titujt më të rinj të autorëve francezë me të cilët pasurohen fondet e BKSH-së dhe në mënyrë të veçantë kjo sallë e re. Ky fond i ri, donacion i Ambasadës Franceze, përfshin emrat më të rëndësishëm të filozofisë, letërsisë, antropologjisë, arkitekturës apo artit francez të shekullit XX. “Janë rreth 200 tituj, të viteve të fundit, botime nga shtëpitë botuese më të njohura franceze.
Studiuesit dhe lexuesit shqiptarë frankofonë do të kenë mundësinë të marrin në dorë, për një njohje më të thellë, botime rreth rrymave letrare, teorive dhe ideve filozofike që dominuan shekullin XX, me ndikim të jashtëzakonshëm në të gjithë kulturën dhe shoqërinë evropiane”, thuhet në njoftimin për mediat. Në bibliotekë do të zërë vend edhe krijimtaria e plotë letrare të poetit Paul Valéry dhe prozatorët Marcel Proust dhe Milan Kundera. Krahas tyre vijnë edhe veprat e kritikëve, teoricienëve e filozofëve të rëndësishëm, si: vepra e plotë e kritikut e studiuesit të tekstit Roland Barthes; e filozofit Michel Foucault; idetë dhe teoritë e fenomenologjisë së Jacques Derridas dhe Gilles Deleuze; intelektualit dhe shkrimtarit Georges Bataille; apo vepra e sociologut Emile Durkheim etj. Krahas tyre janë edhe veprat e shkrimtares feministe, filozofe dhe kritike Hélène Cixoux, filozofit dhe gjuhëtarit Jean-Michel Henny, poetit Gérard Berréby, shkrimtarit Julien Gracq, Jean Borriel etj. Një vend të posaçëm ndër librat e dhuruar nga Ambasada franceze në Tiranë zënë edhe disa botime në gjuhën frënge të Ismail Kadaresë, që vijnë në përkthimin mjeshtëror të Jusuf Vrionit dhe Michel Métais. Kultura franceze, veçanërisht filozofia dhe letërsia ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në mendimin filozofik Perëndimor përgjatë shekujve, një pjesë e rëndësishme e tyre janë pjesë e vyer e fondeve të Bibliotekës Kombëtare. “Salla Franceze e leximit, me rreth 3700 libra, të cilat përfshijnë të gjitha fushat e dijes, është një hapësirë e re leximi në Bibliotekën Kombëtare. Ajo do të ketë literaturë në pasur në gjuhën franceze, duke u ardhur në ndihmë të gjithë studiuesve, studentëve dhe lexuesve të kryeqytetit, si edhe përmes veprimtarive të shumta kulturore në shërbim të shkëmbimit të dijes dhe informacionit”, thuhet në njoftimin e Bibliotekës Kombëtare.