Sadik Bejko: In memoriam për Aldo Grimcin!
Kompozitori më jetë gjatë shqiptar ka vdekur 99 vjeç në Itali ku jetonte që nga viti 1992.
Abdullah, apo Aldo Grimci ishte një muzikant shqiptar që ka lindur më 1919. Ishte shkodran. Ishte shkolluar në Itali. Ishte martuar me një italiane. Shkruante muzikë. Këngë të lehta, pjesë simfonike, opera. Punoi në një redaksi që botonte e përhapte krijimtari muzikore të artistëve shqiptarë.
Do të mbahet mend se i pari që themeloi Redaksinë e krijimtarisë muzikore në Radio Tirana.
Themeloi Festivalin e muzikës në Radio Televizion që vazhdon edhe sot. Fitoi çmimin e parë në këtë festival me këngën “Fëmija i parë”, kënduar nga Vaçe Zela. Ky festival ishte shartimi i festivalit të muzikës së lehtë italiane, një sivëlla i Festivalit të San Remos në Shqipëri. Por një festival që edhe sot përcakton këngën konkuruese për në Eurovizion.
Duke jetuar në Tiranë, në qendrën më të madhe të aktiviteteve artistike, por me vetëdashje pa rënë ne sy, ai kishte sjelljet e një fisniku të rënë nga vakti.
Djali i tij mjek ishte po aq i brishtë në sjellje dhe po aq simpatik e i ëmbël në pamje, ashtu si Aldoja, sa të dukej se ishin të ardhur nga një planet a nga një kohë e tjetërt, e panjohur në terrenin e komunizmit të ashpër shqiptar. Të brishtë, të qelqtë, të vetëtërhequr në skaje, ata ngjanin se bënin jetën e atij që i pëlqen të rritet nën hije. Në qejf të vet. Kjo mbase ishte një përshtypje e imja. që i njoha shumë pak dhe vetëm nga larg.
Komuizmi shqiptar që donte njerëz të ashpër u mund nga ëmbëlsia e delikatesa e sjelljeve të buta të njerëzve si Aldo Grimci. Ai kontribuonte për të mirën, por pa asnjë fije protagonizem,
Bota e muzikës duhet të ishte në zi për këtë muzikant që prej kohe është i harruar prej vëmendjes së saj.
U prehsh në paqe dhe në mirësi maestro Abdullah Aldo Grimci.