Skandali i diplomave të Kristal, të përfshirë edhe zyrtarë nga ministria e Arsimit
Ish-pronari i Universitetit Kristal është vënë në pranga nga policia mëngjesin e sotëm në kryeqytet. Ahmet Muça akuzohet për shitje të diplomave dhe mësohet se është arrestuar pas një hetimi 2 mujor të Prokurorisë.
Sipas prokurorisë, edhe pse Universiteti Kristal kishte mbi tre vjet që ishte mbyllur, Muça shpërndante sërish diploma të rregullta, me data që përkonin me kohën kur universiteti ishte i hapur. Por si ka funksionuar skema e re e mashtrimit me shitjen e diplomave? Informacionet që Klan Plus ka siguruar, hedhin hije skandali edhe ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit. Pas mbylljes së Universitetit Kristal dhe universiteteve të tjera private që u konsideruan nga qeveria jashtë kritereve, dokumentacioni u depozitua i gjithi në Ministrinë e Arsimit.
Ndërkohë, diplomat e shitura nga ish-pronari i Kristalit, ishin të rregullta nga ana ligjore, pasi figuronin edhe në regjistrin e Amzës. Regjistër që ndodhej ndërkohë në arkivin e Ministrisë së Arsimit. Burime të Klan Plus pohojnë se mashtrimet e Muçës janë bërë në bashkëpunim me njerëz në Ministrinë e Arsimit, që kanë ndërhyrë në regjistrat e Amzës, ku në çdo faqe ka patur vende bosh dhe në këtë mënyrë janë shtuar emra në mënyrë fiktive, sikur janë diplomuar në kohën kur universiteti ishte aktiv. Ndryshimi ishte se këta të diplomuar, nuk ishin të regjistruar në regjistrat e frekuentimit të procesit mësimor. Megjithatë deri tani nën hetime janë vënë vetëm Muça dhe një sekser i tij që siguronte klinetët.
Universiteti Kristal ishte në qendër të akuzave të vetë kryeministrit Rama, që e etiketoi atë si etalonin e mashtrimit me arsimin e lartë. Pas një kontrolli nga Ministri e Arsimit, në vitin 2014 u hoqën licencat për 18 universitete private e publike. Mes këtyre të fundit ishte edhe Universiteti “Kristal”. Mes të diplomuarve fiktivë, në atë kohë u zbulua edhe djali i ishdrejtuesit të Lega Nord në Itali, Umberto Bossi. Renzo Bossi ishte diplomuar në këtë universitetet pa qenë asnjëherë në Shqipëri. Diploma mbante datën 8 Tetor 2010 dhe në të ishtë shënuar se Bossi kishte ndjekur sistemin 3-vjeçar për Menaxhim Biznesi, pranë fakultetit të Administrim Biznesit të Universitetit “Kristal”./klanplus/