Abi Malltezi: Gjithë industria e riciklimit në dorë të Klodian Zotos
Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi ka denoncuar vënien në një dorë të industrisë së riciklimit në vend dhe përfshirjen në këtë akt korruptiv të ministrit të Financave Arben Ahmetaj.
Deklarata e plote
Ministri i Mjedisit Blendi Klosi, që harxhon më shumë kohë në kazino se në zyrë, doli sot në qytet për të mbrojtur inceneratorët, importin dhe djegien e plehrave. Për Partinë Demokratike është e papranueshme që shëndeti i banorëve të Tiranës të trajtohet nga Ministri i Mjedisit si hedhje zarash në kazinotë e tij të preferuara. Afera 178 milionë euroshe e inceneratorëve është një nga aferat më korruptive të qeverisë Rama. Të tre djegësit e plehrave, në Elbasan, Fier dhe Tiranë janë nën administrimin e Klodian Zotos, sekserit të Arben Ahmetajt. Partia Demokratike ka siguruar dokomentacionin e plotë se Klodian Zoto është bërë administrator edhe i kompanisë së riciklimit të mbetjeve në Tiranë. Kjo do të thotë se Edi Rama, duke përdorur kukullën e tij Veliaj, ka përqendruar në një dorë industrinë e riciklimit të mbetjeve. Sipas kontratës Bashkia e Tiranës, pra Erion Veliaj, është e detyruar ta furnizojë Klodian Zoton me 550 tonë plehra në ditë dhe, nëse nuk e arrin këtë objektiv, do ta paguajë kompaninë me lekët e banorëve të Tiranës. Për pasurimin e vet nëpërmjet inceneratorëve, Edi Rama u ka hequr liçensën 100 bizneseve të riciklimit dhe po lë pa punë mijëra familje. Tani është e qartë përse Edi Rama u bë flamurtar i importit të plehrave, duke mashtruar shqiptarët se ricikluesit do të falimentonin pa lëndë të pare importi.