Ademi: Shpallni emergjencën, Shkodra përmbytet nga hidrocentralet
Shkodra përmbytet sërish duke alarmuar banorët dhe autoritetet. Situata paraqitet e vështirë për shkak se lumenjtë e Drinit dhe të Bunës kanë pasur rritje të nivelit të ujit. E fundit që ka reaguar mbi situatën alarmante ka qenë kryebashkiakja Voltana Ademi, e cila ka kërkuar shpalljen e emergjencave për Bashkinë Shkodër. Ademi deklaroi se:
“Në Anën e Malit janë 900 ha tokë të përmbytura dhe ka rritje të ujit në toka e rrugë nga 30 deri në 50 cm. E njëjta situatë edhe më e përkeqësuar vërehet edhe në njësinë Dajç. Nga lumenjtë ka një rritje prej 25-30 cm. Në Dajç s`ka furnizim me energji elektrike. Situata varet vetëm nga shkarkimet në kaskadën e Drinit. Në zonën e Nën-Shkodrës pritet që rreziku i përmbytjeve të jetë më i madh. Më 8 mars pritet që te jetë situata më e vështirë. I kërkoj prefektit të mbledhë komisionin e emergjencave në mënyrë urgjente dhe të analizohet situata e rëndë e krijuar, kjo bazuar nga situata reale nga terreni dhe jo raportime fiktive siç ka ndodhur deri tani. Kërkoj shpalljen e emergjencave për bashkinë Shkodër aty ku ka përmbytje”.