Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Beppe Grillo, ky hall i madh i shqiptarëve

Ajo që është e trishtueshme me këtë historinë e zgjedhjeve në Itali, është mendësia jonë. Një opinion i tërë që bjerret pas komedianit Beppe Grillo dhe lëvizjes së tij 5 yjet, e cila sapo fitoi zgjedhjet aty. Ta kenë shqetësimin në lidhje me komunitetin shqiptar që jeton në Itali, politikat e fituesit etj., do u hiqja kapelen. Por jo! E kanë me paqartësinë e Grillos. Një fitues kot, pa program, me një fjalë vetëm llomotit. Kështu e quajnë ata. Kësisoj Italinë nuk dihet se çfarë e pret.
Dhe mbledhin supet duke konstatuar si të paditur votuesit, italianët. U qajmë hallin. I quajmë të çuditshëm pasi prishën ritin. Me një fjalë e nxorrën Ps-në a Pd-në e traditës jashtë qeverisjes duke e futur vendin në qorrsokak.
Në fakt duhet thënë, që, mjerë ne për këtë mendësi, jo italianët. Por kjo kurrë nuk nuk ndodh, ndaj mjerë ne, dyfish, a trefish më shumë. Mjerë ne që, kujtojmë se i mbaruam hallet tona dhe tani kemi zënë me këto të rajonit.
Që merremi me Italinë mirë bëjmë, sepse e thashë aty jeton gati gjysma e Shqipërisë. Ta kthejmë nga të duam, jemi kaq të lidhur sa gjynahet, sakrificat dhe të mirat i dinë ujrat e detit. I dinë rrugët e atij vendi, stacionet, metrotë, sipërmarrësit por edhe qeveritë. E aq më tepër, aty po rritet një aradhe e tërë shqiptarësh, madje konkurent në politikë, në art dhe shkencë.
Të cilët kur fitojnë, ne, vrapojmë të rrahim gjoksin duke i përmendur si shqiptarë. Nga ana tjetër harrojmë që i kemi dëbuar me lopatë nga vendi.
Pa harruar faktin se është Italia, audicioni i saj televiziv, kultura e saj, gjithçka e saj, dritarja që na shpuri në pluralizëm dhe demokraci. Mirëpo ka ardhur dita ta qortojmë për shkak të një komediani. I cili krejt ndryshe nga aferat tradicionale të formimit të një partie…, iu dedikua internetit, komunikimit të lirë, pa fushatat standarte dhe fondeve të padeklaruara asnjëherë. Dhe përmes tij për vite me radhë demaskoi padrejtësitë dhe krizat që sillte sistemi i korruptuar i partive tradicionale. Ofroi lëvizjen e tij, të njerëzve që e përkrahnin, të shoqërisë civile. Pasi e tillë është demokracia, e shoqërisë, jo e oligarkëve. U deshën plot 10 vite që lëvizja e tij të fitonte. Kjo në aradhen e ndryshimeve në vendet e rajonit. Përshembull si Franca, Austria, Hungaria, Greqia etj.
Sot plot opinionistë pyesin dhe presin. Cili vend e ka radhën? Cili vend do prishi ritin tashmë të dështuar të partive tradicionale? Pra, ka domethënien e një lëvizje që po ndodh organikisht. Sepse Europa është një, në kuptimin e ndjeshmërisë dhe ndryshimeve. Të thuash që Bepe Grillo është kot. Nuk e dimë se si e votuan italianët. Eshtë kot se nuk ka asgjë. Se për çfarë gjëje bëhet fjalë. Sepse në lëvizjet e mëdha me zhurmë dhe pa zhurmë, janë idetë dhe platformat, grinta denoncuese, ato që përbëjnë shtysat. Nëse eshtë fjala për pasuri, a ku dreqin e di se çfarë. Këto janë paradokse shqiptare. E aq më tepër, kur harrojmë se, nuk kishte asgjë edhe një peshkop me emrin Fan Noli dikur në Shqipërinë e vitit 1924, por u bë kryeministër. Ose kishte plot Hasan Prishtina, por e vramë në mes të rrugës.
Por mos t’i largohemi punëve tona. Kjo do të ishte më efikase. Se italianët dinë se çfarë bëjnë. Kanë menjanë dhe dinë se si ta tresin. Kanë zotëruar gjysmën e botës, janë shpërbërë e ringritur vetë. Po na ushqejnë edhe ne, Afrikën e plot vende nga bota në konflikt të vazhdueshëm e vende të lindjes së mesme.
Puna është halli jonë. A e ka të domosdoshme Shqipëria një lëvizje të re politike si vendet fqinjë? Si vendet promotorë të orentimit të shoqërisës së saj? Apo do vazhdoj me këto programet e dala boje të oligarkëve aktualë, njëri më i pasur se tjetri. Italianët e lanë brenda llojit manekin një 82 vjeçar si Berlusconi. I thanë rri aty. Kurse ne, vendi pa rini, u themi etërve kthehuni. Do vazhdojmë me këto politikat vullnetare si kjo e mbjelljes së pemëve. Në vazhdën e aksioneve si dikur, kur ndërtuam brezaret, hekurudhat, metalurgjitë, azotikët etj. Apo do fusim vendin në shinat e demokracive perëndimore.?
Se i bie, që, lopatën e ka shoqëria, paratë agai…
Shqipëria e ka më se të domosdoshme një lëvizje të tipit 5 yjet. E ka të domosdoshme t’i bashkangjitet lëvizjes së shembjes së partive tradicionale. Nuk duhet të rrijë e fundit, si atëherë kur shembej muri i Berlinit dhe ne bënim sehir.
Shikoni vetëm duart tuaja. Shikoni vetëm ditën tuaj. Kohën me shumicë aq sa u duket dita vit. Duke iu kthyer në humbamen pas ERTV, lali Erit, një bolshevik klasik i aksionit dhe punëve vullnetare. Shikoni marazin që po u mbyt nga frika për të folur. Çfarë keni. Dhe si i arritët. Nëse keni shumë, i keni vënë padrejtësisht. Dhe nëse nuk keni asgjë, po padrejtësisht jeni bërë pronarë të asgjësë. Kaq. Jo më shumë…

Please follow and like us: