Libër dokumentar për shpëtimin e hebrenjve nga Shqiptarët
Mehmet Prishtina
(Skender Asani – Albert Ramaj, Rrugëtimi – Journey, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve & Acta Non Verba, Shkup 2017)
Kam ndjesinë dhe nderin e veçantë që sot ndodhem në mesin tuaj, për të shënuar 9 nëntorin, famëkeq të historisë hebreje, duke promovuar një projekt përmbajtjesor, për të kaluarën dhe të ardhmen tonë të përbashkët. Për të shënuar këtë ditë, një grup hulumtuesish kryesisht nga Shkupi, vendosën që të prezantojnë këtu në kryeqendrën e Kosovës, ekspozitën dhe librin dokumentar me temë “Rrugëtimi”.
Në historinë e njerëzimit ndodhin ngjarje që lanë gjurmë në mbamendjen e popujve. Lufta e Dytë Botërore është njëra ndër ngjarjet tragjike për njerëzimin. Ana e errët e çdo lufte janë viktimat. Emblemë turpi e asaj lufte dhe civilizimeve botërorë do mbetet Holokausti, që përfundoi me eliminimin fizik të mbi gjashtë milion hebrenjve. Gjatë asaj periudhe, një numër i madh i hebrenjve nga Evropa, braktisën vendbanimet e tyre dhe u arratisën në Shqipëri.
Eksodi dhe shfarosja më e egër e popullit hebre ndodhi pas pushtimit fashist të Ballkanit. Kjo ishte dhe një nga arsyet kryesore që hebrenjtë braktisën Ballkanin, veçanërisht territoret që identifikohen si ish-Jugosllavia, Greqia dhe pjesët e pushtuara nga Bullgaria (pjesa e sotme të Maqedonisë) për shkak të ndjekjes që u bëhej nga vet këta popuj si aleat të fashizmit. Kështu që migrimi i mijëra hebrenjve nga Evropa drejtë Shqipërisë, për t’i shpëtuar gjenocidit fashist, bëri që harta e ngulimeve hebreje të tkurrej gjithandej, ndërsa në Shqipëri kjo prezencë po rritej.
Bartja e hebrenjve nga Kosova, Tetova, Struga, Dibra për në territorin e Shqipërisë së sotme, ishte mundësuar edhe me ndihmën e autoriteteve lokale shqiptare në Kosovë dhe qytetet e lartpërmendura, duke i pajisur me dokumente identifikimi, me të cilat pastaj kanë kaluar kufirin dhe i kanë shpëtuar rrezikut.
Shembuj të tillë si referencë janë zyrtarët e Bashkisë së Ferizajt, të cilët pajisnin me dokumente identiteti shqiptarë, duke ju mundësuar kështu të kalonin në Shqipëri; Prefekti i Elbasanit, Tafil Boletini, i cili sistemoi popullatën hebreje, e cila në rrugë ilegale kishte arritur në këtë prefekturë. Me urdhër të tij u ishte mundësuar që të pajisen me dokumente identifikimi, duke u siguruar edhe nënshtetësinë shqiptare.
Nëpër këto dokumente përshkruhen ngjarjet dramatike të Luftës së Dytë Botërore, me theks të veçantë të territorit të qyteteve të Shkupit, Tetovës dhe Manastirit, prej ku u mblodhën gjithsej 7.144 hebrenj, apo 98% e popullatës së përgjithshme hebreje nga Maqedonia e sotme, dhe gjatë datave 22, 25 dhe 29 mars 1943, u depërtuan në kampet e përqendrimit në Treblinka të Polonisë, për të mos u kthyer kurrë.
“Pas pushtimit gjerman më 1943, popullsia shqiptare, me një akt të jashtëzakonshëm, nuk pranoi të pajtohet me urdhrat për të dorëzuar hebrenjtë, të cilët jetonin brenda kufijve të vendit”, thuhet në faqen zyrtare të Qendrës Përkujtimore të Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem. Por, sipas disa dokumenteve që po i prezantojmë në këtë libër, që datojnë nga viti 1944, institucionet qeveritare shqiptare vazhduan që të vihen në mbrojtje shtetasve shqiptarë me përkatësi hebreje, duke i kundërshtuar kështu vendimet e autoriteteve fashiste.
Në pjesën e dytë të librit, nëpërmjet disa intervistave të protagonistëve të atyre ngjarjeve, paraqiten dëshmitë e tyre të gjalla, se si kaluan gjatë rrugëtimit drejtë “Tokës së premtuar” dhe të mbijetesës e të shpëtimit, në Shqipëri, dhe përkujdesjen ndaj tyre sipas kodit tradicional që janë institute në vetë të popullit shqiptar “Besa e dhënë”, “Sofra e shtruar” dhe “shtëpia është e mikut” të cilat nuk ishin vetëm akte tradicionale popullore por mbështeteshin institucionalisht dhe me ligjet e vendit dhe Kanun, apo kodin e së drejtës zakonore, që sanksiononte këto vlera nacionale, për t’iu dalë në mbrojtjen mikut dhe njerëzve në nevojë e në kohë e situata të vështira. Kështu, edhe pas shtatë dekadave, ngjarjet e tmerrshme të Luftës së Dytë Botërore mbeten ende të freskëta, nëpërmjet të mbijetuarve të shumtë, të cilët na i kanë përcjell historitë e tyre që dëshmojnë për rolin që luajtëm si popull shqiptarët në mbrojtjen e popullit hebre.
Madje, sikurse edhe shumë rrëfime, është edhe ai i zonjës Johanna Neumann, që botohet për herë të parë. Ajo ndërroi jetë disa muaj më parë në SHBA, duke lënë pas kujtime të paharruara që i shërbejnë jo vetëm se të kaluarës, por edhe të ardhmes dhe ruajtjes së urave të miqësisë dhe vëllazërimit të popujve tanë.
Për realizimin e këtij projekti, nga bashkautorët janë bërë hulumtime në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë, në Arkivin e Qytetit të Shkupit; në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë, në Arkivin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë në Tiranë, si dhe janë hulumtuar kronikat e Kuvendit – Kishës së Letnicës në Viti të Kosovës. Po ashtu është shfrytëzuar një intervistë me të mbijetuarin e Holokaustit, Shaul Gattenyo.
Nëpërmjet kësaj ekspozite dhe këtij libri dokumentar, janë pasqyruar ngjarjet, dëshmitë, fotografitë, dokumentet dhe materialet arkivore të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, të rikujtojmë se sa e rëndësishme është paqja dhe sa e rëndësishme është jeta e njeriut. Fatkeqësia që e goditi njerëzimin me theks popullin hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore, përveç plagëve që ende shërohen, ajo shërben edhe si mësim secili është rreziku nga ideologjitë që me kohë eskalojnë në politika të dhunës gjenocidiale dhe për më keq në doktrina terroriste veprimi dhe në fund kthehen në viktima të vet mekanizmave që kanë ndërtuar.
Pakujdesia është armiku më i madh i historisë. Duke mos qenë të kujdesshëm, ne me indiferencën tonë i ndihmojmë dhunës, terrorit dhe vrasjeve me një fjalë së keqes për njerëzimin dhe paqen në botë.
Para se ta mbyll dua të bëjë dy citime të dy ambasadorëve të nderuar të Shteteve të Bashkuar të Amerikës. Sipas dokumenteve të Yedi Vashem, Ambasadori amerikan në Shqipëri në vitin 1934, z. Herman Bernstain kishte deklaruar: “Nuk ka gjurmë të diskriminimit të hebrenjve në Shqipëri. Shqipëria del të jetë një ndër trevat e rralla në Evropë ku diskriminimi fetar nuk ekziston edhe pse vetë shqiptarët u takojnë tri konfesioneve të ndryshme fetare.” Kurse Ambasadori tjetër i SHBA-ve i cili shërbeu në Shqipëri gjatë viteve 2007-2010 John L. Withers, pati deklaruar: “Si do të ishte sot bota nëse të gjithë ish sjell me hebrenjtë sikur shqiptarët?”
Kjo thënie e Ambasadorit Withers, do i shkonte shumë edhe situatave, krimeve kundër njerëzimit dhe tentimit të shfarosjes së popujve ne Ballkan.
Si do të ishte rajoni i Ballkanit nëse një lider i Serbisë do vijë në Prishtinë dhe do të përsërite aktin madhor e human që e pati bërë Lideri gjerman Willi Brandt me rastin e vizitës së tij të parë në Izrael, kur u ul në gjunjë dhe kërkoi falje për Holokaustin.
Politikat e këqija, urrejtëse ndaj popujve tjerë, gjithmonë kanë sjell vrasje dhe shkatërrim masiv, prandaj njerëzit vullnetmirë e paqedashës nuk duhet të pushojnë asnjëherë, të punojnë pa u ndalur në ruajtjen e paqes dhe pajtimit mes popujve.
Duke uruar që paqja të mbizotëroj mbi luftërat, dashuria mbi urrejtjen, ju përshdes dhe ju falënderoj për durimin për të më dëgjuar! Zoti i bekoftë popujt paqësorë kudo në botë.
Fjala në promovimin i librit dhe të ekspozitës së hapur me këtë rast. Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, 9 nëntor 2017.