Albspirit

Media/News/Publishing

Scotland Yard nis hetimet për sëmurjen e ish-spiunit rus

Policia për kundërterrorizëm në Britani të Madhe ka nisur hetimet lidhur me sëmurjen e papritur të ish-spiunit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, derisa mediat kanë raportuar se djali i ish-spiunit ka vdekur vitin e kaluar nga shkaqe të panjohura në një vizitë në Rusi. Scotland Yard, ka njoftuar se njësiti kundërterrorizëm do të marrë përsipër hetimet për rastin me “shkaqe të pazakonshme”. Sekretari i Jashtëm britanik, Boris Johnson ka paralajmëruar se do të “ndëshkohet” çdo përfshirje e ndonjë qeverie të huaj në incident. Një reagim i tillë i Britanisë ka ardhur pasi BBC ka cituar disa të afërm të Skripalit të kenë thënë se disa anëtarë të familjes së tij kanë vdekur në vitet e fundit nën rrethana të mistershme. Ata i kanë thënë shërbimit rus të BBC-së se ish-spiuni ka besuar se “shërbimet speciale ruse e kanë ndjekur atë në çdo kohë”. Sripal, 66-vjeçar dhe vajza e tij Yulia 33-vjeçare janë vendosur nën kujdes intensive në spital, pas gjendjes së tyre shëndetësore, ndonëse shkaqet ende nuk janë bërë të ditura. Djali i Skripalit, Sergei, 44-vjeçar ka vdekur nga një sëmundje e panjohur vitin e kaluar në një vizitë në Rusi, ka raportuar Times, derisa The Guradian ka thënë se gruaja e tij ka vdekur nga kanceri pak kohë pasi ka arritur në Britani më 2012. The Times ka raportuar se Yulia ka jetuar në Britani më 2010, pasi babai i saj ishte liruar në një këmbim të spiunëve me Rusinë, mirëpo më vonë ajo është kthyer në Moskë dhe ka punuar për PepsiCo Russia. Ajo është kthyer në Britani javën e kaluar për të vizituar të atin, ka raportuar Times. Për ditën e sotme është caktuar një takim i Komitetit të Londrës për Emergjenca, për të diskutuar se çfarë i ka ndodhur Skripalit. Duke folur para Parlamentit më 6 mars, Johnson ka thënë se Britania mund të rrisë sanksionet kundër Rusisë, nëse vërteton se Moska ka qenë e përfshirë në incidentine qytetin jugor britanik, Salisbury. “Ne nuk e dimë saktësisht se çfarë ka ndodhur në Salisbury, mirëpo nëse është kaq keq sa duket, atëherë ky është një tjetër krim në listën e krimeve të cilat mund t’i vendosim në derën e Rusisë”, ka thënë Johnson. Skripal dhe vajza e tij janë gjetur pa vetëdije në një stol jashtë një qendreje tregtare në Salisbury. Policia dyshon se ekspozimi i ndonjë substance ende të paidentifikuar ka shkaktuar sëmundjen e tyre. Johnson ka thënë se të dhënat për përfshirje të qeverisë ruse mund të rezultojnë me masa të reja ndëshkuese kundër Moskës. Rusia është nën sanksione të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara për shkak të agresionit të saj dhe Ukrainë dhe veprime të tjera. “Është e qartë se Rusia tani është një forcë malinje dhe përçarëse dhe Mbretëria e Bashkuar është në krye të listës në botë, duke tentuar të luftojë këtë aktivitet”, ka thënë ai. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka kritikuar komentet e Johnsonit, duke i cilësuar ato si “të egra”. Incidenti i pasqaruar ende në Salisbury ka ngritur krahasimet me vdekjen e Aleksandr Litvinenkos, ish-agjent rus për siguri, i cili ka vdekur në Londër në nëntor të vitit 2016, pasi ka gëlltitur substancën radioaktive polonium 210. Sipas një hetimi britanik është ardhur në përfundim se qeveria ruse ka qenë mbrapa vdekjes së Litvinenkos dhe se presidenti rus, Vladimir Putin “mund ta ketë miratuar” vrasjen. Rusia ka kundërshtuar çdo përfshirje. Zëdhënësi i Putinit ka thënë se Rusia, “nuk ka informata” se çfarë mund të ketë ndikuar në gjendjen e Skripal dhe vajzës së tij dhe incidentin e ka cilësuar “situatë tragjike”. Ambasada ruse në Londër, ka thënë se incidenti është përdorur për të demonizuar Rusinë. Zyrtarët kanë thënë se shkencëtarët e Porton Down, janë duke studiuar “substancën e panjohur” që besohet se ka shkaktuar sëmundjen e Skripalit. Mediat lokale kanë raportuar se shërbimet e emergjencës dyshojnë se opioidi sintetik fentanil mund të ketë qenë i përfshirë. Skripal është ish-kolonel i agjencisë ushtarake të inteligjencës në Rusi, i cili është dënuar për kalimin e sekreteve shtetërore në Britani në vitin 2006. Ai është liruar nga burgu në kuadër të një shkëmbimi të spiunëve në vitin 2010. Ai është shpallur i fajshëm për identifikimin e agjentëve të inteligjencës ruse, të cilët kanë punuar në fshehtësi në Shërbimin Sekret të Inteligjencës në Britani të Madhe (MI6) në këmbim të 100,000 dollarëve. Shërbimi i Sigurisë Federale të Rusisë, supozon se Skripal ka filluar të punojë për MI6, derisa ishte duke shërbyer në ushtri gjatë viteve 1990.

Please follow and like us: