Si u censurua “Dimri i vetmisë së madhe” të Kadaresë?
Dhurata Hamzai
Në Arkivin e Shtetit gjenden dokumentet e vitit 1974 ku tregohet sesi një grup specialistësh të letërsisë vlerësojnë nivelin e përmirësimeve që i janë bërë dorëshkrimit “Dimri i vetmisë së madhe”. Romani u ndalua se paraqiste një jetë të zymtë në Shqipëri gjatë kohës së diktaturës; ‘populli kishte shqetësime të mëdha” dhe “pasiguri” pas ndarjes me partinë komuniste të Bashkimit Sovjetik. Interesi i Ismail Kadaresë për kërkimin e dorëshkrimeve origjinale dhe pasurisë arkivore ka nisur që në vitin 1990, kur ai iku nga Shqipëria. Ish-drejtori i Arkivave Shaban Sinani pohon se ai “të vetmen gjë që i kërkoi Presidentit të Republikës të asaj kohe,Ramiz Alisë, ishte kujdesi ndaj arkivit të tij personal. Dhe vërtet, arkivi i shkrimtarit tonë të madh u mor në ruajtje”, shkruan Shaban Sinani. Ai nuk u hap asnjëherë. Më tej ish-drejtori i AQSH-së tregon sesi kanë vijuar ngjarjet që kanë çuar në kërkimin e origjinalit dhe në vijimin e replikave me të venë e diktatorit zonjën Nexhmije Hoxha. “Në vitin 1992, në prezencë të një ekipi televiziv francez, shkrimtari ynë e tërhoqi arkivin e tij, ashtu të paprekur.”, pohon Sh. Sinani, duke shtuar se megjithatë në Arkivin Qendror Shtetëror ruhen edhe fotokopjet dokumenteve të porositura nga Kadare në kohën e përgatitjes së romanit “Dimri i vetmisë së madhe”, si dhe shënimet mbi to. Sipas Sinanit, shërbimi arkivor në Shqipëri u ndërtua dhe trashëgoi një edukatë të rreptë pune. “Gjithë pasuria dokumentare është ruajtur me përgjegjësi, deri tek mbi tekstet në formë këshillash, porosish apo urdhrash”. Ai nuk i jep shpjegime pyetjes së gazetës “Pse zonja Nexhmije Hoxha e ka dorëshkrimin në shtëpi?”. Megjithatë ish-drejtori i AQSh-së ka publikuar vetë herë pas here në media dhe në librin e tij “Dosja K”, fakte që dorëshkrimi i romanit “Dimri i vetmisë së madhe” është gjykuar ashpër në një Letër të komitetit të Partisë të Tiranës dërguar Komitetit Qendror të PPSH, nënshkruar Tiranë 8.5.1973. Në këtë letër është bërë një analizë e hollësishme e të gjithë konceptit të romanit të Kadaresë. Në të shkruhet se “Në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” autori shtrembëron të vërteten historike kur si fillim të divergjencave të PPSH me revizionistët hrushovianë, vendos vitin 1960 dhe kur këto divergjenca i redukton vetëm për problemin e grurit dhe për çështjet nacionale në përgjithësi. Atmosfera është dhënë e zymtë dhe romanin e përshkon një lloj ankthi ekzistencialist. Por dihet se kjo situatë, që kërkoi sakrifica të mëdha nga populli ynë, nuk krijoi tek ne një ankth të tille”. (Libri “Dosja H”, Shaban Sinani).
Procesverbalet, shënimet si bëhej redaktimi
Analiza e “Dimrit të madh” është bërë sipas modelit të veprave ideologjike të Partisë në atë kohë, ku ndër gjykimet mbi veprën të shfaqet qesharake një një pjesë e letrës dërguar KQPSH-së të cilën shkruhet se “Lëvizjen revolucionare për kursimin autori pa të drejte e ironizon. Ndërsa patriotizmin e masave, gatishmërinë për mbrojtjen e atdheut, autori i jep si patriotizëm të traditës e jo si patriotizëm socialist. Lufta e klasave pasqyrohet pa vërtetësi dhe nga pozitat e humanizmit abstrakt”. Pastaj më tej citohet se “Autori pa të drejtë dhe në kundërshtim me mësimet e marksizëm- leninizmit” e quan si luftën me te egër se lufta e klasave, luftën midis te aftëve dhe te paaftëve në socializëm dhe aq me keq kur shpreh idenë se “konsekuente dhe triumfatore janë te paaftët.” Kjo letër e të tjera si këto ku gjykohet vepra origjinale e Ismail Kadaresë e mbajtur me fanatizëm në sirtarët e zonjës Nexhmije Hoxha, të vesë së diktatorit, tregojnë se gjykimi ka nisur të jetë shumë i ashpër dhe me karakter denigrues për shkrimtarin në atë kohë. “Në vepër propagandohet lufta midis brezave. Komunistet e rinj u kundërvihen te vjetërve sepse këta janë deklasuar sipas autorit. Për sa u përket heronjve, ndihet fryma e deheroizimit. Personazhet negative janë më të shumtë dhe paraqitja e tyre zë vendin kryesor”. Pastaj Kadare akuzohet se përfaqësuesit e brezit të luftës janë dhënë në përgjithësi në dekadencë shpirtërore. Ndërsa ata qe do te marrin stafetën te lëkundur apo te degjeneruar. “Veçanërisht ndihet ne roman influencimi i autorit nga teoria e sotme borgjeze e “revolucionit seksual” dhe nga filozofia ekzistencialiste. Propagandohet ideologjizimi, për të cilin flitet në Perëndim”. Për Kadarenë ka pasur rezerva edhe për stilin e tij krijues, ku shkruhet “veçanërisht tek përshkrimet, ndihet influenca e surrealisteve dhe dekadenteve të tjerë. Do te ishte mirë që ky roman të hiqet nga qarkullimi”. Prandaj nga dëshmitë arkivore dhe libri “Dosja H” (Sh,Sinani) del se për Ismail Kadarenë është krijuar një situatë e ngjashme me atë të gjykimit të veprave të Vilson Blloshmit, poetit të vrarë nga diktatura. Por duket se për shkak të boshtit të veprës “Dimri i madh” është synuar të qëndrojë në këmbë për shkak të personazhit qendror, udhëheqësit komunist Enver Hoxhës. Kjo gjë duhet t’i ketë pëlqyer zonjës Hoxha dhe vetë Enverit, gjë që e shpëtoi në një farë mënyre shkrimtarin nga dënimi fatal. Faksimilet e procesverbaleve me të cilat u bë ekspertiza e veprës në ndryshimin për një variant të ri tregojnë se vepra “Dimri i madh” është larguar jo pak nga origjinali “Dimri i vetmisë së madhe” që mban në shtëpinë e saj zonja Hoxha. Dy prej detajeve te procesverbaleve që janë në foto, shpjegojnë shumë mirë ndryshimet e mundshme. Duket se në mbi testet e veprës origjinale “Dimri i vetmisë së madhe” është parë me lupë gjithçka. Anash çdo paragrafi ka shënime të tilla si “paraqitet një jete e zymtë, shqetësim i madh”, “pasiguri“ etj. Romani që parapriu “dimrin e madh”, vperën që mbijetoi në diktaturë është gjykuar edhe “për shthurje morale te rinise”, “tendenca feministe”, etj. Këtu bëhet fjalë për marrëdhëniet midis Besnikut dhe Zanës, që për çudi e ruajtën linjën moderne të prezantimit të tyre si çift edhe pas censurës. “Pse shkatërrohet kjo familje, mos ndoshta behet aluzion se Dimri i Vetmisë së madhe ka arritur edhe në familjet tona?”, gjykon “ushtria politike” e redaktorëve. “Akoma me keq, shkrimtari, ketë vajzë me prejardhje dhe me qëndrim të mirë politik, e katandis në marrëdhënie me një familje të deklasuar dhe për Besnikun jepet ideja se shkon pas fustaneve”, shkruhet në një nga letrat e AQSH, dërguar nga komiteti I Partisë së Elbasanit. Hap pas hapi në procesverbalet e censurës është nxjerrë përfundimi se vepra e Ismail Kadaresë “nuk e ka vlerën e duhur edukative dhe nuk i përgjigjet realitetit në shumë drejtime”. Ndaj u dha ultimatumi “Te hiqet nga qarkullimi ky roman.” Pra romani “Dimri i madh”, variant i redaktuar i romanit “Dimri i vetmisë së madhe” i shkrimtarit Ismail Kadare, pas shumë ndryshimeve e rregullimeve që i janë bërë nga autori, del në qarkullim në vitin 1975 si bashkëpunim i redaktorëve dhe u shtyp i tëri në 25 mijë kopje.
20.07. 2012, shqiptarja.com