Diplomat false, ‘arrest shtëpie’ për ish-pronarin e “Kristalit”
Gjykata e Tiranës ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-pronarin e Universitetit “Kristal”, Ahmet Muça. Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, Prokuroria ka kërkuar më herët masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Biznesmeni Muça akuzohet për “korrupsion pasiv në sektorin privat” dhe “falsifikim të dokumenteve”.
Prokuroria ka kërkuar këtë masë më të butë, për shkak të moshës 70-vjeçare të Muçës, pasi për këtë kategori, nuk aplikohet më masa arrest me burg për vepra penale si mashtrimi, apo flasifikimi.
Me anë të këqyrjes së regjistrave, prokuroria ka vërtetuar faktin se tre persona të cilët kanë blerë diploma kundrejt shumave 2500 euro, nuk kanë frekuentuar asnjë ditë procesin mësimor tek Universiteti Kristal.
Sipas prokurorisë, në diplomat që shiste biznesmeni Ahmet Muçaj veç firmës së dekanit dhe kancelarit që janë vendosur me anë të skanimit, edhe numri i amzës është vendosur me bojë të njomë çka nënkupton se shënimi është bërë kohët e fundit edhe pse diplomat lëshoheshin për periudhën 2009-2014.
Muça u arrestuar pak ditë më parë në flagrancë, teksa po i shiste një diplomë false një studenteje të rreme e cila kishte bashkëpunuar me policinë.
Dyshohej se ai shiste akoma diploma të “Kristalit” për 2.500 euro, edhe pse universiteti ishte mbyllur në vitin 2015-të me vendim qeverie.