Izet Shehu, poezi për gruan dhe nënën
LOTËT E GRUAS
Lotët e gruas duke numëruar
Ndjen dridhje shpirti,
Ndjen lagështirë thellësish.
Shenjti, thonë, duke i yjëzuar
Bënte me to paragrafe shenjtërish.
Pa ato rruaza do të zotëronte shterpësia,
Pa ato rruaza do të zotëronte shkretëtira.
Lotët e gruas duke numëruar
Bëhesh më njerëzor, i gjerë sa hapësira.
NËNË
Për ty, o nënë, kanë shkruar shumë
Vargje plot ndjenja, diell e mendime,
Se kënga për ty rrjedh si një lumë
Ngarkuar me ëndrra e vegime.
Ndaj duke thurur për ty një varg
S’është e lehtë e shtrenjta nënë!
Se ti je vetë këngë e mall
Fillesën jet ate ti ka zënë.
Të gjitha ngjyrat i ke në zemër,
Të gjitha lulet te ti kanë mbirë,
Ti më e madhërishmja këngë,
Ti je krijesa më e mirë.
Njerëzimi shekujve me radhë
Ka pikturuar portretin tënd.
Ti ngrihesh lart si mal i bardhë
Me zemrën e madhe sa një shkëmb.
Për të shkruar për ty poezi,
Shpesh në mendime kam rënë.
Pa ty s’do të kishte melodi,
Fjalë e parë dhe e fundit: nënë!