Sokol Olldashi: Teatri i hijeve
(Marrë nga vëllimi poetik TEATRI I HIJEVE)
Të DIELËN
Do të shkoj në varreza të dielën,
Pa dalë dielli ende në ndajnatë,
S’do ta zgjoj rojen syfjetur,
Qetësisht do ta mbyll portën prapë.
Do të eci i heshtur ndër varre,
Në mes emrash që të shumtën s’i njoh.
Pak vend bosh do gjej të ngul kryqin,
Në dheun nga shirat bërë llohë.
Do të ndez më pas një qiri,
Një cigare me qiririn të ndez,
E paketën në plis do ta fsheh,
Që ta pi pasi të vdes.
E do të ik…
FUNERAL TRIPTIK
Popujt janë kortezhe të përmortshme,
Grumbuj Dykëmbëshash pas një arkivoli që vrapon.
Ata e vranë,
E përcjellin,
E qajnë.
Në fund të fundit me dhé Ata e mbulojnë.
Prifti bën Meshën e Fundit.
U uron krimbave oreks.
… … … … …
Jeta është një vdekje në marshim,
Një hipokrizi funebre nga pas,
Mbi të cilën
Zotat pshurrin në formë shiu,
Njerëzit në formë lotësh.
… … … … …
Unë jam një funeral i gjatë,
Një qefin i dalë nga një maternitet,
Në emër të Atit, Birit, Shpirtit të Shenjtë,
AMEN… … …
TË PAKTËN TI
Mos më mundo më kot, nënë!
Mos më fol
Për pranverë,
Lule,
Qiej të kaltër,
Zogj,
Mirësi!
Mos më gënje, të lutem,
As për Mujër, Halilër,
Që kasaphanën ta ndërrojnë me kasaphanë,
Për ëngjëj çengelë,
Ku varur rrinë kombet,
Si lopë të rrjepura, me miza ndër zorrë!
Mos më gënje, zemër!
Të paktën ti …
U JAP NJERËZVE SHANSIN E FUNDIT
Larg do të iki.
Larg kohës,
Larg tingullit,
Larg dritës,
Larg jetës.
Në inekzistencën
E çastit,
Qetësisë,
Errësirës,
Në abstraksionin e humbjes,
Për të mos kuptuar asgjë
Nga ligësia juaj naive,
Nga hipokrizia e lindur.
Më pas do të kthehem,
E
Në qofshi
Siç jeni,
Rishtaz do të shkoj
Për të mos u kthyer kurrë më.
TEATRI I HIJEVE
Rolet u ndanë keq në Skenën e Madhe
Që në fillim.
Më pas
Gjithçka kish marrë fund
E s’mund të çbëhej.
Regjisori
Këtë e kuptoi i fundit
Ndaj kur sipari u ngrit
Iku
Duke thënë se do të kthehej
Pas Shfaqjes.