NATO i siguron Ukrainës statusin e “shtetit aspirant”
NATO i ka garantuar Ukrainës, statusin e shtetit aspirant për anëtarësim eventual në aleancën Perëndimore të 29 shteteve.
Gjeorgjia, Maqedonia dhe Bosnje-Hercegovina kanë po të njëjtin status.
“Dyert e NATO-s janë të hapura për çdo shtet evropian që merr përsipër përkushtimin dhe obligimet e anëtarësimit dhe kontribuon në sigurinë e zonës euro-atlantike”, ka njoftuar aleanca përmes një deklarate më 9 mars.
“Aktualisht, katër shtete partnere kanë deklaruar aspiratat e tyre për anëtarësim në NATO: Bosnja-Hercegovina, Gjeorgjia, Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë, dhe Ukraina”, thuhet në deklaratën e NATO-s.
Këto shtete kanë treguar edhe zyrtarisht interesin e tyre për anëtarësim në NATO andaj janë ftuar për të bashkëpunuar në përshpejtimin e dialogut me aleancën lidhur me reformat e duhura në mënyrë që të jenë pjesë e NATO-s.
Hapi i ardhshëm për anëtarësim eventual përfshin pjesëmarrjen në Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP), i cili thekson obligimet dhe përkushtimin për anëtarësim në të ardhmen.
Parlamenti ukrainas ka miratuar vitin e kaluar një ligj, përmes së cilit integrimi në NATO konsiderohet prioritet për politikën e jashtme të vendit.
Aktualisht Ukraina është e përfshirë në luftë me separatistët pro-rusë në lindje të shtetit.
Nga luftimet mes forcave të Kievit dhe separatistëve kanë vdekur më shumë se 10,300 persona nga prilli i vitit 2014.