Robert Radoja mbi piano dhe… ca rreshta
Këtë fotografi e kam bërë në qershor 2005 në një ceremoni për kremtimin e 85-vjetorit të lindjes së Profesorit të njohur të muzikës, Ramadan Sokoli. Gjatë veprimtarisë, përveç të tjerash, u ekzekutuan nga artistë të ndryshëm disa pjesë të zgjedhuara vokale dhe instrumentale nga krijimtaria e prof.Sokolit. Të gjitha veprat muzikore të paraqitura u pritën me kënaqësi të madhe nga të pranishmit në sallë. Ishte, në një farë mënyre një Koncert Recital i Kompozitorit.
Midis tyre, i veçantë për mua ishte, sidomos ekzekutimi në piano i një pjese instrumentale nga muzikanti, mësuesi dhe zbuluesi i shumë talenteve muzikor (ndërkohë edhe pianist klasi), mjeshtri Robert Radoja, mik i profesor Ramadanit.
Sokoli dhe Radoja ishin lindur të dy në qytetin e Shkodrës, pra i lidhte sëpari vendlindja. Gjithsesi, lidhja më e madhe midis tyre ishte Magjija e Muzikës. Prandaj Radoja, interpreton i përkulur shumë mbi piano, thellësisht i përqëndruar, madje sikur po bisedon me profesorin për të zbuluar shpirtin e madh muzikor të tij.