Daut Dauti: Tragjedia e dokumentuar e Çamërisë në Britani
Libri “The Cham Albanians of Greece – A Documantary Story” (Shqiptarët Çamë të Greqisë – Një Tregim i Dokumentuar), është përmbledhje e dokumenteve të nxjerra nga arkivat e Ministrisë së Jashtme Britanike dhe arkiva të tjera. Material dokumentues janë korrespodencat e diplomatëve shqiptarë, britanikë dhe të tjerë në lidhje me këtë çështje.
Po ashtu, janë përmbledhur memorandume, raporte, shkrime nga shtypi, vlerësime apo kujtime të personaliteteve të ndryshëm dhe dokumente të tjera relevante që vijnë nga anë të ndryshme të botës. Libri ndahet në tre kapituj kryesorë që përfshijnë periudhën e kohës së sundimit otoman, periudhën pas Marrëveshjes së Lozanës dhe periudhën e pas Luftës së Dytë Botërore.
Libri ilustrohet me harta të ndryshme, ndërsa për të dokumentuar në mënyrë vizuale një pjesë të tragjedisë çame, janë dhënë edhe disa fotografi të nxjerra nga arkivi i UNRRA-s. Rrëfimi i tragjedisë fillon me kalimin e Çamërisë në anën greke të kufirit, veprim ky që u realizua sipas vendimit të Komisionit të Kufijve dhe Protokollit të Firences të vitit 1913.
Territori i Çamërisë, me madhësi përafërsisht të ngjashme me territorin që ka sot Kosova, u bë poligon i ushtrimit të dhunës së egër greke kundër shqiptarëve të Çamërisë. Kjo dhunë e shfrenuar, mori përmasa të genocidit për të cilin bota nuk tregoi ndonjë ndjeshmëri.
Plani grek ishte që shqiptarët ortodoksë të asimiloheshin ndërsa ata myslimanë të dëboheshin jashtë Greqisë ose të shfaroseshin në çfarëdo forme. Në këto rrethana të vështira, shteti i sapo krijuar shqiptar, i cili pothuaj nuk funksiononte, nuk qe në gjendje t’i ofronte popullsisë shqiptare të Çamërisë asnjë lloj ndihme.
Ishin pikërisht këto momente kur filloi persekutimi dhe dëbimi i shqiptarëve çamë që u nis nga regjimi i Metaksës. Masa e parë e persekutimit që zbatoi ky regjim ishte, ndalimi që iu bë shqiptarëve të trevës së Çamërisë për të folur gjuhën e tyre amtare, në ambjentet publike dhe private.
Regjimi i Athinës, lejoi bandat e kriminelëve grekë të vepronin sipas dëshirës në rajonet shqiptare. Banda paramilitare, që u dallua më së shumti kundër shqiptarëve të pambrojtur, ishte ajo e Deli Janakisit, e cila plaçkiti, dhunoi dhe vrau një numër të madh të banorëve, të më shumë se 100 fshatrave shqiptare.
Persekutimi vazhdoi dhe arriti kulmin me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Regjimi i atëhershëm grek filloi vrasjen masive të shqiptarëve çamë dhe dëbimin e tyre duke përdorur si pretekst akuzën e bashkëpunimit të çamëve me Fuqitë e Boshtit.
Pas tërheqjes së forcave gjermane në vjeshtën e vitit 1944, britanikët duke dashur të krijojnë siguri për rrugët detare në pjesën e detit Jon, inkurajuan, deri në një masë, gjeneralin fashist grek Napoleon Zervasin, që të okuponte rajonin në fjalë. Zervasi, i cili ishte një anti-shqiptar i tërbuar, filloi menjëherë dëbimin e çamëve nga vatrat e tyre.
Brenda një viti forcat e tij, vranë mbi 3000 çamë. Vetëm brenda një nate, më 27 qershor 1944, këto forca kriminele vranë, në Paramithi, 600 çamë të paarmatosur në mesin e të cilëve shumë fëmijë dhe gra. Më 23 shtator 1944, në fshatin Spatër, këto forca vranë 157 veta.
Lista e grave të dhunuara, pasurive të plaçkitura, shtëpive të djegura etj, ishte e pafund. Në fund të vitit 1946 në tërë Çamërinë nuk kishin mbetur më shumë se 100 shqiptarë. Në vitin 1946, fashisti Napoleon Zervas u emërua ministër i punëve të brendshme, pavarësisht faktit që ishte bashkëpunëtor i forcave okupuese naziste gjermane dhe ekzekutues i masakrave në Çamëri.
Çamët e përzënë me dhumë nga vatrat e tyre, u detyruan të largohen në vende të ndryshme të botës por, shumica dërmuese u vendosën në Shqipëri. Tragjedia e rëndë e çamëve nuk përfundoi me vendosjen e tyre brenda territorit Shqiptar. Edhe regjimi i sapo vendosur komunist i Enver Hoxhës nuk i shihte me sy të mirë shqiptarët e Çamërisë pasi, i konsideronte si kolaboracionistë të italianëve dhe gjermanëve.
Meqenëse kjo popullsi konsiderohej “refugjate” për të u kujdes UNRRA, nga shtatori i vitit 1946 deri në pranverën e vitit 1947. Në kampet e ngritura në Delvinë, Durrës, Kavajë, Fier, Vlorë dhe Tiranë, ku u vendosën dhjetëra mijëra çamë, UNRRA shpërndau ushqime, ilaçe, tenda dhe sende të tjera të nevojshme për këta njerëz të pafat, që përjetuan tmerret më të mëdha që mund të imagjinohen.
Athina asnjëherë nuk është pajtuar që të hapë çështjen çame dhe të përgjigjet pse e privuan nga shtetësia greke këtë popullsi vendase, me kombësi shqiptare? Asnjëherë grekët nuk dhanë përgjigje pse ua konfiskuan pasuritë këtyre njerëzve të cilët ishin pronarë të shtëpive dhe tokave të mëdha, në njërën nga pjesët më të pasura dhe më të bukura të Greqisë.
Megjithëse përzënia e çamëve, ishte as më pak e as më shumë, spastrim etnik, Greqia asnjëherë nuk u ballafaqua me ndonjë kritikë apo sanksion serioz ndërkombëtare. Greqia nuk do të duhej t’a injoronte këtë tragjedi që e ka shkaktuar vetë dhe që, është dokumentuar me profesionalizëm, në këtë libër. Libri “The Cham Albanians of Greece” nuk është vetëm libër i karakterit historik.
Ky libër-dokument do të duhej të shërbente jo vetëm për t’a kujtuar Greqinë për të keqen që ka bërë por edhe për t’i dhënë rast që të fillojë të mendojë për të përmirësuar gabimin dhe të bëjë të mundur lejimin e kthimit të çamëve në shtëpitë e tyre dhe kompensimin e tyre, për dëmet e shkaktuara. Në anën tjetër, pas botimit të këtij libri, as shqiptarët dhe qeveritë e tyre nuk do të duhej të vazhdonin me të vjetrën, duke vajtuar impotencën që kanë treguar deri tani ndaj Greqisë.