Albspirit

Media/News/Publishing

Ivanov refuzon dekretimin e ligjit për shqipen

Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov e ka quajtur antikushtetues, antishtetëror dhe nxitës të tensioneve ndëretnike, miratimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve nga ana e Kuvendit të Maqedonisë. Ai ka bërë të ditur vendimin e tij për mos dekretimin e këtij ligji, të miratuar nën tensione nga shumica parlamentare.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve, në mënyrën se si është hartuar, por edhe votuar do të shkaktoj bllokadë të plotë në punën e institucioneve. Në kushte të bllokadës së institucioneve, gjasat janë të mëdha që të hapet edhe çështja e ridefinimit të rendit tonë kushtetues.

Ligji për përdorimin e gjuhëve është jo i drejtë, ligj represiv, që favorizon vetëm se një gjuhë. Një ligj i tillë do të shkaktoj tensione dhe paraqet kërcënim për bashkëjetesën ndëretnike. Si Presidenti i shtetit këtë unë nuk do ta lejoj. Andaj, nuk do të nënshkruaj dekretin për shpalljen e këtij ligji të miratuar në këtë formë”, ka deklaruar presidenti Ivanov në një paraqitje drejtuar qytetarëve të Maqedonisë.

Ai ka drejtuar akuza të rënda ndaj kryeministrit, Zoran Zaev dhe shumicës parlamentare. Por, bazuar në nenin 75 të kushtetutës, presidenti i shtetit është i obliguar të dekretojë ligjin, nëse i njëjti miratohet për herë të dytë nga Kuvendi.

Please follow and like us: