Albspirit

Media/News/Publishing

Mërgim Korça: Fabrikimi i vdekjes së poetëve martirë, Blloshmi dhe Leka

Image result for bedri blloshmi, fabrikimi i vdekjes

E fillova leximin e librit “Fabrikimi i vdekjes” sapo e solli postieri, pak para drekës. Kisha lexuar materialet e botuara nga studiuesi Uran Butka dhe nga zotërinjtë Sadik Bejko e Nazmi Seiti, e gjithashtu duke lundruar nëpër internet kisha arritur të isha mjaft i informuar rreth atij ferri, përmes të cilit ishin detyruar të çapiteshin dy poetët-shkrimtarë, të mjerët dhe të ndjerët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Mirëpo ballafaqimi i ftohtë me dokumente arkivash sigurimi, dëshmi (neveritëse) njerëzish krejt të rëndomtë e pa pikë personaliteti, që kuptohet qartas se sa servilë dhe të pakarakter që ishin e doemos pastaj dora-dorës aktekspertimet e specialistëve të përzgjedhur nga Sigurimi, që do të përbënin themelin e aktakuzave kundër tyre që do t’i çonin para skuadrës së pushkatimit, kuptohet qartë se ç’gjendje shpirtërore kishin krijuar tek unë. E kështu, si pa e kuptuar akrepi i minutave i orës sime kishte kryer sa e sa rrethrrotullime, ndërsa ai i orëve, mbasi kishte plotësuar një rrethrrotullim, ishte zhvendosur edhe me 1/6 rrotullimi. I hodha sytë te data dhe atëbotë kuptova se ora ishte dy mbas mesnate. Unë kisha plot katërmbëdhjetë orë që lexoja. I lodhur siç isha, por edhe me nënvetëdijen time të bërë njësh me veprimet, që leximi m’i bënte aq të qartë sikur i përjetoja në vetë të parë, m’u duk sikur para meje i shquaja si të dala nga dheu në atë errësirë pylli te Përroi i Firarit, dy fantazmat e Gencit edhe të Vilsonit. Si me xhybe të zeza m’u dukën të veshur e me kapuç mbuluar i kishin kokat. Të dy i kishin ngritur duart dhe diç donin të më thoshin. Lëviznin falangat e gishtave të duarve të tyre dhe mua zhurmë kockash që fërkoheshin më kapnin veshët. Në ato çaste mendja më shkoi te data 11 gusht i vitit 1976, te kreu i faqes, ku ishte shkruar fjala “procesverbal” mbi pyetjen e të pandehurit Vilson Blloshmi si dhe te një shënim në cepin e djathtë lart të atij procesverbali të mallkuar, shënim që mbase as vëmendjen mundet të mos ia tërheqë njeriu: “Hetimi fillon në orën 17:00 dhe mbaron në orën 3:30, dt. 12.8.1976.” E ndërsa unë lexoja dhe rilexoja atë shënim, që në pamje dukej krejt normal, dy fantazmat mundoheshin të më përcillnin një mesazh. E mblodha mendjen. E kuptova mesazhin e tyre. Ata donin të bënin të qartë se dhjetë orë e gjysmë kishte zgjatur ajo seancë hetuesie dhe vetëm një i gjallë, i gjendur në ato rrethana, e ka mundësinë ta çjerrë vellon e zezë që i mbulon ato dhjetë orë e gjysmë hetuesi dhe të shpjegojë. Sipas dokumentit, sipërfaqja duket krejt normale. Ndërsa hetuesi Merdar Hasa me gjithë ndihmësin e tij Nebi Vila i kërkonin Vilsonit ç’kish dashur të thoshte me shprehjet e shkruara në ditarin e tij, i pandehuri u shpjegonte me durim naivitetin e atyre shprehjeve. Të ndjerët Vilson me Genci nuk janë më mes të të gjallëve e të na e shpjegojnë prapaskenën e atyre hetuesive, po për fat të mirë të tijin si dhe tonin, i kaluari mes të njëjtave rrethana, por fatmirësisht sot i gjallë vjen poeti-shkrimtar i madh Visar Zhiti e na tregon se tek e merrnin në hetuesi, njëri nga hetuesit i ulërinte: “Po unë s’të lë të na përmbysësh!”, ndërsa tjetri i çirrej: “Ne nuk do të presim që ti të bësh ndonjë faj, do të të dënojmë pa e bërë, që të mos e bësh!” Kthehej ai i pari dhe i kujtonte: “Po ti do të dënohesh prapë në burg!” E cilët ishin këta specialistë të fushës së hetuesisë dhe të dënimit të keqbërësve?Njëri ishte prokurori Abdi Gashi e tjetri kryehetuesi Nexhat Selimi. Nuk kishte rëndësi në ishe në birucat e degës së punëve të brendshme të Librazhdit apo të Kukësit dhe cilët ishin ata hetues që të mbanin në seanca dhjetorëshe në mesnatë ta shkëpusnin nënshkrimin. Orientimet jepeshin nga vetë diktatori rreth zbatimit përbindshëm të “luftës  kllasave”. Zbatoheshin pastaj nga drejtuesit e komiteteve të partisë e të sigurimit (se organet si prokuroria dhe gjykatat ishin vetëm lepe-peqet e partisë). E varg e vistër shkonte pastaj puna te përzgjedhja e specialistëve akuzues, si Diana Çuli, Myzafer Xhaxhiu, Koçi Petriti e deri poshtë, poshtë te dëshmitarët krejt ordinerë. Dhe trishtim të madh na ngjallin dëshmitë e mbledhura nga autori Bedri Blloshmi, edhe ky vetë i dënuar, fillimisht me vdekje e pastaj i “mëshiruar” me 25 vjet burg, i cili ndër të tjera sjell fakte dhe atë që të vëllait të tij Vilsonit i qé paralizuar krahu i majtë pas një seance hetuesie. Pse? Rastësi apo “përkujdesje” e tepruar nga ana e hetuesve?

Pra, tek lexohet vargu i dokumenteve arkivore që autori Bedri Blloshmi i ka qëmtuar, grumbulluar dhe paraqitur në vëllimin me titullin “Fabrikimi i vdekjes”, mëton të hapet një dritare e madhe që të gjitha dokumentet arkivore jo që nuk duhet të lexohen vetëm në mënyrë sipërfaqësore, por t’u hyhet në thelb e pikërisht të lexohen ato të të pashkruarve.Nuk është rasti të zgjatem, por edhe një dokument i dytë më detyron të ndalem e të hedh dritë jo mbi sa shkruhet, por mbi atë që nuk duket e rri në hije. Në qendër të fletës lexohet: “Vendim nr. 6 i datës 21-5-1982” dhe i mbështetur në dekretin e Presidiumit të Kuvendit Popullor nr. 5912, datë 26-6-1979 vendosi: (vijojnë pesë emra meshkujsh dhe tre emra femrash, nënkuptohet të tetë me të njëjtin mbiemër: Blloshmi dhe pohohet se “të përmendurit janë internuar me vendimin nr.10, datë 14-7-1977 në fshatin Polis-Gostimë të rrethit të Librazhdit. Personave të sipërm t’u zgjatet masa e internimit edhe për pesë vjet kohë … Afati i internimit u fillon më datën 14-7-1982 dhe u mbaron më 14-2-1987.” Radhiten pastaj akuzat ndaj tyre pse t’u shtohet afati i internimit e p.sh. për Sami Blloshmin arsyeja është se ka vuajtur dënimin 8 vjet burg për agjitacion e propagandë si dhe djemtë e tij, Vilsoni dhe Bedriu, janë dënuar i pari me vdekje me pushkatim (dhe është ekzekutuar), kurse i dyti i dënuar me 25 vjet burgim. Pasojnë nënshkrimet e Manush Myftiut, Hekuran Isait, Aranit Çelës dhe Rrapi Minos. Dhe unë shtroj pyetjen aspak retorike: këta të katërt, nënshkrimet e të cilëve kishin fuqi ekzekutuese të çonin familje të tëra në riinternim me akuza aspak bindëse për fajësi, me shkërmoqjen e sistemit diktatorial u burgosën dhe u dënuan fare formalisht dhe për faje qesharake, si shpenzime jashtë mase me kafetë e pira etj., i kanë marrë një më një dëmshpërblimet për kohën e burgosjes tyre, ndërsa familjet e Blloshmëve akoma presin ta marrin këstin e parë (nga tetë gjithsej) duke filluar nga familja e Vilsonit e duke qëndruar tek ajo e Bedri Blloshmit.Do t’i mbyll këto radhë me dy pohime që më vijnë krejt natyrshëm, por edhe po aq trishtues. Këmbëngulet duke u pohuar se me vëllimin me titull “Fabrikimi i vdekjes” autori vë në vend nderin e të ndjerëve Genc Leka dhe Vilson Blloshmi. Jo, zonja edhe zotërinj. Ndershmërinë e tyre unë personalisht kurrë nuk e kam vënë në dyshim dhe e kam bindjen se asnjë i pranishëm nuk e ka një bindje të tillë. Në ka vend për t’u ndalur si dhe të dilet me propozim masash për t’u marrë, është (pa)ndershmëria dhe mungesa e karakterit të ekspertëve letrarë të sigurimit, të cilave u hedh dritë autori Bedri Blloshmi. Familjet e poetëve fatkeq u internuan sepse ua pushkatuan pa faj bijtë (prindërve) e njëkohësisht baballarët e tyre (fëmijëve të ndërsjellë). Do të qe e drejtë dhe e arsyeshme të internohej Diana Çuli me familjen e saj, sepse i ati, Jorgoja, ka qenë dhjetë vjet me radhë shef i hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme? Jo, në asnjë mënyrë. Por ama teksa kjo eksperte ka firmosur të zezë mbi të bardhë se “Genc Leka në vargjet e tij shpreh dëshpërim, kujton me nostalgjí të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme dhe shkruan me alegorí… tregojnë se ai ka një çoroditje të theksuar ideologjike… dhe kërkon rrugë për të dalë nga ambienti ku jeton” na bën ta ngremë zërin të revoltuar, ndërsa ajo jo që nuk vihet para përgjegjësisë për veprimin e saj kriminal dhe të gjykohet për përgjegjësinë që mban, por vazhdojnë dhe e ftojnë në intervista televizive, tashmë jo si ekspertë të Sigurimit, por të japë gjykime mbi demokracinë në vendin tonë (!). E njëjta gjë me ekspertët Myzafer Xhaxhiu e Koçi Petriti.Kurse pohimi i dytë me të cilin do ta mbyll fjalën për sot më mbush edhe ky me të njëjtin trishtim si i pari. Zoti Bedri Blloshmi, dëshmitar i dorës së parë i tmerreve dhe torturave që u janë nënshtruar të ndjerët Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, sepse vetë aktor i shpëtuar gjallë dhe i dënuar me 25 vjet burg, sot autor i vëllimit me dokumente rrëqethëse rreth praktikave të ushtruara duke filluar nga udhëheqësit partiakë të rrethit të Librazhdit e në vazhdim te vartësit e tyre, shpreh një trishtim që ia merr frymën edhe sot. Ai ka nevojë për mbështetje ekonomike se që ta mbajë gjallë familjen, vetëm kthimi i ish-pronave të familjes së tij mund t’ia sigurojnë një gjë të tillë. Po ku të vejë e të kërkojë ndihmë? Patjetër logjika do ta çonte te zyra e Avokatit të Popullit. Por sapo gjendet para portës së asaj zyre, sërish dalin nga dheu dy fantazmat e poetëve të pushkatuar dhe nuk e lënë t’i afrohet asaj porte. Ai as nuk e di dhe as e merr dot me mend pse, kurse dy fantazmat e dinë, sepse Petrit Azemaj, njëri nga hetuesit e tyre më të zellshëm, ka qenë zëvendës i avokatit të popullit, dhe e gjithë kjo kategori mbajtësish postesh të tilla tashti në demokraci, gjatë diktaturës nuk kanë qenë asgjë tjetër veçse hetues e prokurorë.

Please follow and like us: