Ndue Ukaj: Faik Konica, një shkollë kundër zakonit të skllavërisë
Faik Konica (15 mars 1875 – 15 dhjetor 1942), kolosi i kulturës shqiptare, është një mendimtar i rreptë, erudit i jashtëzakonshëm, dhe njëri nga kritikët më të ashpër të veseve dhe të plagëve shqiptare, të cilat i stigmatizoi pa kompromis.
Vepra e tij e pasur në fushën e letërsisë, publicistikës dhe gazetarisë, është testament i përhershëm për shqiptarët, sidomos për ata që nuk i duan zinxhirët e robërisë. Është një vepër e dobishme dhe domethënëse, për ata që aspirojnë të jetojnë me dinjitet në mesin e popujve të emancipuar. Por, edhe për ata që nuk e duan poshtërimin dhe nënshtrimin. Është një vepër që shqiptarin e ndihmon ta mposhtë plogështinë, të heqë pluhurin e robërisë dhe të ecë me dinjitet ka përparimi e liria e njëmend.
Të lirë nga krahët, por truri i tyre është i lidhur me zinxhirë- thoshte Konica, dhe kërkonte që shqiptarët e tij të çorientuar dhe me pranga zinxhirësh në tru, të çliroheshin nga ky sindrom.
Po ashtu, Konica na mësoi që të kemi kujdes me fjalën, me pushtetin që buron nga ajo, prandaj lutja e tij për ata që shkruajnë, tingëllon aktuale edhe sot:
”Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi për të thënë gjë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mbrehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm në paanësi po edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu Qoftë”.
“Lutja e shkrimtarit”
Kjo lutje, që ka bazë te teksti biblik, si ligjërim dhe semantikë, përkatësisht te lutja që Jezusi ua mësoi dishepujve të tij, është dëshmi e kulturalitetit të veprës së tij dhe përkatësisë së saj oksidentale.
Po ashtu, Konica na dha leksione nevojshme për të kuptuar, gjykuar dhe shpjeguar historiografinë shqiptare, sidomos atë që merret për raportet ndërmjet shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane. Duke e analizuar këtë raporte, shprehimisht pati shkruar: “Para se gjithash, prapambeturia kulturore është pasojë e pushtimi turk. Ky pushtim zgjati afër pesëqind vjet”.