Albspirit

Media/News/Publishing

Valter Memishaj: Jeta në kaleidoskop e Petro Markos

Për Petro Markon është shkruar dhe do të shkruhet përsëri, mbi veprën e tij janë bërë studime e të tjera do të bëhen, të pjesshme a tërësore qofshin ato. Dhe gjithmonë do të ketë diçka të re për të thënë apo diçka të thënë ndryshe për të. Ky proces nuk do të ketë kufij hapësinorë apo kohorë. Dhe kjo e mundësuar jo vetëm nga pozita e studiuesit, por në radhë të parë e mundësuar nga vepra palimpsestore që ai na la trashëgim. Në këtë punim të shkurtër po ndalem në disa regjistra gjuhësorë te “Retë e gurët” (intervistë me vetveten), një vepër që formalisht i përket prozës. Shkencërisht pranohet se veçoria e përgjithshme e prozës është formësimi i botës artistike me mjete gjuhësore që organizohen stilistikisht në mënyrë të atillë që të mos ndryshojë nga të folurit e zakonshëm.

Kjo vepër, edhe pse shenjohet si intervistë, është një manual kujtimesh, të cilat të shkruara në prozë, gjenden, siç thotë Milivoj Sovar, “midis prozës artistike dhe shkencës” …, dhe “….bashkojnë interesin historiko-shoqëror me formësimin artistik. Në to mund të theksohet nevoja që të shprehen edhe të përshkruhen si veprimtaria shoqërore, politike dhe shkencore e individëve, ashtu dhe meditimet e tyre ose ngjarjet ku marrin pjesë, gjithmonë në mënyra që i përkasin sferës artistike” .   E shkruar në dy kohë, “Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)”, po kështu është konceptuar në dy pjesë: Petro Marko plaku interviston Petro Markon e ri dhe Petro Marko plaku interviston Petro Markon plak. Lehtësisht mund të vërehet se nuk jemi para strukturës së një vepre të mëvetësishme, por para strukturimit të mbamendjeve ose siç thotë vetë autori i tyre, të atyre që kanë rrjedhur nga “rubineti i detit të kujtesës”.

Po, kështu shprehet, nga rubineti i detit. Kjo bëhet me vetëdije dhe jo për asosacion me detin që nuk iu nda shpirtit dhe zemrës së tij, në të përpjetat dhe theqafjet e jetës së trazuar, por për detin metaforik, për atë det, në të cilin, nga vendi ku i ra koka, derdhen rrëke, përrenj e lumenj ujërash, me amën te retë e që çojnë tek ai jo vetëm ujë të kristaltë, por edhe gurë e shkëmbinj, pemë, shkurre e baltë. Dhe kjo shumësi ardhjesh që shpërfaqet në faqet e veprës si laryshi informacioni, kërkon e gjen regjistra gjegjës për t’u formësuar gjuhësisht, duke formuar atë spektër shprehjeje që të magjeps si të jetë prozë e mirëfilltë artistike.

Vështruar gjuhësisht, vertikaliteti i stilit të mbamendjeve, të strukturuara në formë interviste, më e pakta do të kërkonte një horizontalitet gjuhësor, që duhet të ishte gati i sheshtë, madje dhe homogjen. Por në veprën “Retë e gurët” (intervistë me vetveten) kemi thyerje e diversitet, kemi ndërthurje të disa lloje tekstesh, të cilat nga ana e përmbajtjes mund të klasifikohen si kronografi (kohëpërshkrime e moshëpërshkrime për dikë), si topografi (vendpërshkrime) dhe si prozopografi (portretpërshkrime). Kjo trini, që degëzohet në nëntekste të shumta, ka përcaktuar edhe mjetet e shprehjes së tyre. Është e kuptueshme që në pamje të parë mbizotëron teksti dialogues, sepse vepra është konceptuar si një strukturim pyetje / përgjigje për kaleidoskopimin e jetës së autorit në një intervistë me vetveten (dikush tjetër, sidomos ndonjë nga studiuesit e rinj, mund të bëj një përqasje me Autobiografinë e F. Nolit) .

Por, gjuhësisht, në vepër mbizotërojnë tekstet narrative, përshkruese dhe informativo-paraqitëse, të ndërtuara si nga rrallëkush me verbin e qëmtuar e të larë të shqipes. Megjithatë, vepra si një e tërë, jep mesazhe të panumërta: mesazhe politike, ideologjike, filozofike, sociale, ekonomike, familjare, pedagogjike etj., të cilat sjellin formësimin e tyre edhe përmes teketeve të tjera si tekste a pasazhe tekstesh argumentuese , poetike , madje edhe teatrore . Leximi “me një frymë” kujtimeve të P. Markos djalosh, të burrëruar apo të moshuar, ka të bëjë jo pak me një sendërgjim gjuhësor të jashtëzakonshëm. Autori i tyre kalon lirshëm nga regjistrat shënjues në ata estetikë, dhe lexuesi pas leximit të faqes së fundit, nuk mbyll një libër lodhës, drobitës, me ngjarje, njerëz, vende etj. të panumërta, që kërkojnë një kujtesë kompjuterike për t’i risjellë në mendje, por një libër gati si fikshën (trillim, sajim) artistik, të ndërtuar mjeshtërisht edhe nga ana gjuhësore. Informacioni shumështresor, edhe pse me shumë regjistra, vjen me një rrjedhë gjuhësisht të kristaltë, sepse vjen nga dora e një prej mjeshtërve më të spikatur të prozës artistike.

Retë dhe gurët (Intervistë me vetveten është një vepër që mishëron më shumë sesa një metafiksion. Kujtimet zakonisht për nga koherenca, markohen nga një narracion progresiv sidomos në kohë, si dhe me fjalë në kuptimin e tyre parësor, të drejtpërdrejtë, jo të figurshëm. Por te P. Marko ndodh ndryshe, edhe këtu, fjala informon, shpreh, ngulit në kujtesën e të tjerëve përmes kujtesës së autorit, duke u shndërruar shumë shpesh figurshëm. Është pjesa dërrmuese e librit e shenjuar artistikisht. Mjafton të një pasazh i shkurtër i ndërtuar artistikisht përmes antitezave foljore apo emërore për të ilustruar këtë shndërrim:“Unë nuk kam mbajtur kurrë shënime, ku të shkruaja ç’kisha parë e ç’kisha dëgjuar, ç’kisha qarë e kënduar, ç’kisha thënë e ç’më kishin zënë veshët, prandaj këto që tani nisa t’i nxjerrë nga pellgu i paanë i mbresave të jetës sime shumë, shumë të gjatë, po i nxjerrë nga kujtesa që ende nuk më ka lënë.

Nuk po shfletoj as dokumente, as shkresa, as shkrime, por i çel rrugë detit të pafund të mbushur për shtatëdhjetë vjet me radhë.” Intervistat kujtimore në dy kohë tregojnë se liria rebeluese, natyra mosnënshtruese e të riut luftëtar e idealist, pasohet e ndërthuret me talentin rrëfimtar të jashtëzakonshëm të shkrimtarit të pjekur e me përvojë kurse ndërtimi gjuhësor i të dy pjesëve është kaq organik, sa duhet një punë e mirëparacaktuar për të gjetur ndryshorët që vetjakësojnë Petron Markon e Ri nga Petro Marku Plaku. Dhe përmes një narracioni paraqitës por edhe argumentues njëkohësisht, përmes gërshetimit mjeshtëror të fjalëve të ligjërimit të zakonshëm me ato të shndërruara metaforikisht ai pohon: “Edhe milingona ka jetën e vet. Çdo gjë e gjallë ka jetën e vet, lind, jeton vdes. Çdo  njeri ka jetën e vet. Ka gëzimet dhe dhembjet e veta. Këto gëzime dhe këto dhembje kanë përmasat e horizonteve dhe të mjediseve ku ai lind, jeton dhe vdes.

Stinët e moshës, stinët e pasioneve, ëndrrave, dëshirave përcaktojnë krijimin e kushteve të jetës me anën e armëve që përdor njeriu. Cilat janë armët që përdor njeriu për të jetuar? Puna! Puna është jeta! Puna! Krijimi është motori që vë në lëvizje këmbët e jetës, që hap shtigje të reja, burime të reja, kanune të reja që sjell përparimin. Anekset: intriga dhe frika, smira dhe dhuna, tradhtia dhe pabesia, poshtërimi dhe krimi… ngjyrat e zeza (në dëlirësinë e jetës, nën diellin e betejave për të jetuar) kanë qenë dhe do të jen kurdoherë turpi i jetës. Kontradiktat do të jetojnë bashkë me jetën, por duhet të pakësohen dhe të zhduken ato antagoniste dhe të ecet me joantagonistet. Jeta një herë jetohet!” Stili rrëfimtar popullor pulsohet nga vlaga artistike e shkrimtarit, trashëgimia e të cilit gati që i njeh të gjitha gjinitë e zhanret e letërsisë. Janë të shumta pjesët ku mitikja, legjenda, e jashtëzakonshmja jepet me pasion e ndjenjë dhe gjuhësisht thukshëm.

Pasazhit të mëposhtëm, nuk mund t’i shtosh fjalë apo ta perifrazosh: “Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim zemërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhte uji i shiut…” Petro Marko, i kthjellët dhe në çastet më të errëta të jetës, mjeshtërisht e artistikisht kalon nga një stil në një tjetër, nga një regjistër gjuhësor në një tjetër. Diku është lirik e diku epik, diku nostalgjik e diku dramatik, diku komik e diku tragjik. E gjithçka rrjedh në ndërtime sintaksore të admirueshme, ndaj mendoj se sintaksa në veprën “Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)” është rrafshi gjuhësor kryesor ku mund të ndalësh shikimin për të shpërfaqur këtë shumësi e plotëri vlerash.

Ai shkruan, më një truk të bukur artistik, jo në fillim të veprës për të përudhësuar kujtimet, por në fund të saj, se “Megjithëse unë linda i krishterë, në një fshat shumë besimtar, nuk jam rrëfyer kurrë para priftit përpara se të kungohesha… Por tani dëshiroj përpara historisë përpara se të vdes.” . Për të pohuar vlerat e ndërtimeve sintaksore që dalin vevtvetishëm të latuara prej dorës së tij, do të mjaftonte vetëm një thënie ku gjenden dhjetëra (23) gjymtyrë homogjene, që e bëjnë rrëfimin, të segmentuar, por patetik, enumrik, por shumëpërmasor: “Ç’mbetet në kujtesë, ka kaluar nëpër shoshën e viteve, të shqetësimeve dhe të ëndrrave, të realitetit lakuriq dhe të gjurmëve të forta të emocioneve, të imazheve, vizioneve, peizazheve, duarve, syve, zemrave, zërave, kujave, këngëve, valleve, intrigave, pasioneve, shqetësimeve, dashurive, flirteve, gjuhëve, tingujve, shfaqjeve të përditshme në ekranin e pafund të jetës” .

Tekstet që ndërtojnë ngrehinën ditar, përgjithësisht ndërtohen përmes parashtrimit, duke informuar apo paraqitur dhe përcaktohen nga rrëfyesi parësor i kujtimeve përmes konfirmimit vetjak, përcaktohen nga ai që kohëpërshkrimet, moshëpërshkrimet, vendpërshkrimet, portretpërshkrimet etj. i sjell para nesh, por që i përkasin kohës së shkuar nocionore. Kjo kushtëzon ardhjen gjuhësisht të gjithë informacionit përmes kohës së kryer të thjeshtë, krahas kohëve të tjera të së shkuarës (e pakryer, e kryer, më se e kryer, e kryer e tejshkuar apo e ardhme e së shkuarës), që më shumë vijnë si mbështetje të kësaj kohe themelore. E kryera e thjeshtë ka rol të pazëvendësueshëm në kthimin e ditareve, të kujtimeve etj. në art. R. Bart thekson se “e kryera e thjeshtë, guri themeltar i tregimit, sinjalizon gjithnjë art; ajo bën pjesë në ritualin e letërsisë së bukur”.

“… Në saj të saj realiteti nuk është më as misterioz, as absurd; ai është i qartë, gati familjar, krijuesi e mban atë tërësisht në dorë në çdo moment, realiteti pëson shtypjen ingjenioze të lirisë së tij” . Dhe po ky autor phon më tej se “E kryera rrëfimtare… përbën një nga ato faktet e shumta formale të vendosura midis shkrimtarit dhe shoqërisë për justifikimin e njërës dhe qetësinë e palës tjetër. E kryera e thjeshtë shenjëzon një krijim; përkatësisht ajo sinjalizon dhe imponon.” Po japim vetëm një pazash të shkurtër (4-5 rreshta) në të cilin gjejmë 7 folje në të kryerën e thjeshtë: “Dhe ne, të ndërgjegjshëm, për mundimet që do të hiqnim, e lamë Shkollën Tregtare, u ndamë me shokët dhe morëm rrugët e mundimit dhe jo të realizimit të ëndrrave tona që trillonimin aty, në atë vend të bukur, aty, në vatrën tonë ku jetuam shatë vjet, pa asnjë hall, pa asnjë privim. U ndamë me premtimin se do ta nderonim shkollën që na edukoi, do ta nderonim Vlorën që na nanurisi me shpirtin e saj patriotik”.

Lexon faqe pas faqe. Ligjërimi aty ngrihet e aty ulet, aty hovet e aty shtrohet, aty ironizon e aty larton, aty të drithëron e aty të zemëron, aty të mbush me dashuri e aty të bën të përçmosh, aty të bën të respektosh e aty të urresh. Dhe çdo ngjyrë e ngjyresë e tillë vjen me një gjuhë të kërkuar, më një sintaksë të mirëndërtuar e me fjalë të mirëqëmtuara. Dhe çdo gjë del e goditur. Edhe ndonjëherë, kur duket sikur Petro Marko kalon në thjeshtligjërim, që logjikshëm nuk pranohet në krijimtarinë artistike, gjuha më shumë skalit situata e gdhend portrete sesa ngarkohet me rëndomtësi. Po japim një miniskenë e cila është shkëputur nga një ndodhi kur P. Markos, si zakonisht në monizëm, dikush i inskenon ngjarje që ta çonin (si e çuan) në burg.

Autori i kujtimeve“Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)” shkruan se “Me të vërtetë u nxeha shumë, se në jetën time rrallë jam nxehur:  Shoku “X”! ka dy lloj burrërie: një si imja dhe një si jotja. Ti, me burrërinë tënde, që e kam dhjerë, jetoje i lumtur në kohë të Zogut, kurse unë vuaja internimeve dhe burgjeve. Burrërinë tënde e kam dhjerë, se ka dy lloj burrërie: një si jotja e një si imja. Me burrërinë tënde jetoje bukur, si pasha, në kohën e Duçes. Atë burrërinë tënde e kam dhjerë. Kurse unë në atë kohën, me burrërinë time, torturohesha, burgosesha dhe internohesha. Edhe sot, me atë burrërinë tënde, që përsëri e dhjes, ti jeton si pasha në këtë pushtet që ti e urren…”.

Nuk po ndalemi më tej. Ndaj, në përfundim, pohojmë se“Retë e gurët” (intervistë me vetveten) e P. Markos, e vështruar përmes regjistrit a regjistrave gjuhësorë të kujtimeve, të cilat lidhen me përmbajtje që mbartin elemente të theksuara subjektive si proces selektiv për ngjarje a personazhe, që edhe pse janë reale, janë të larguara në kohë, që lidhen me përmbajtje që edhe pse markohen jo nga rrallë nga përjetimet vetjake sentimentale të shkruesit të tyre, ndryshe nga ditaret (që janë më afër jetës), vijnë te lexuesi asnjanës, por edhe te receptuesi me mbresa të pashlyeshme. Dhe këtu rrafshi gjuhësor ka rol të pazëvendësueshëm.

12.01.2014

Please follow and like us: