Isuf Vrioni, i njohur edhe si Jusuf Vrioni lindi në Korfuz më 16 Mars 1916, i biri i Iljaz bej Vrionit dhe Xhemile hanëm Dinos. Vitet e tij të para i kaloi në Korfuz e më pas në Berat. Pas emërimit të babait të tij, Ilias Bej Vrioni, si Ministër i Jashtëm dhe Ministër i Plotfuqishëm në Paris, familja e tij u shpërngul në Paris më 1925. Ciklin e ulët dhe të mesëm arsimor Jusuf Vrioni e kreu pranë Liceut Janson de Sailly, Paris dhe atë të lartë në Grande École des Hautes Études Commerciales dhe në Institut d’Études Politiques të Parisit.
Më 1939 rikthehet në Shqipëri por shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore e detyron të shpërngulet po atë vit në Romë për të vazhuar studimet e tij të mëtejshme. Rikthehet në Tiranë më 1943, datë kjo që shënon dhe përmbysjen e fatit të tij. Më 13 shtator 1947 arrestohet nga regjimi diktatorial dhe akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë. Prej shkurtit 1949 e deri më prill 1950 torturohet barbarisht një njërën prej shtatëmbëdhjetë qelive famëkeqe të Koçi Xoxes. Në korrik 1950 denohet me pesëmbëdhjetë vite heqje lirie dhe punë të detyruar. Lirohet në fund të vitit 1958 dhe internohet ne Fier për një periudhë disamujore. Më 1960, për nevojat propagandës ndërkombëtare të regjimit diktatorial, emërohet në Tiranë si përkthyes.
Ndër përkthimet e tij të para numërohet Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur i Ismail Kadaresë, i cili më vonë u botua në Paris. Ndërkaq, emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Edhe pse pjesën më të madhe të kohës e shpenzonte duke përthyer dhe redaktuar tekstet propagandistike të Enver Hoxhës, Jusuf Vrioni gjente kohë për të përkthyer romanet e tjera të Ismail Kadaresë. Falë elegacës së frengjishtes së tij, romanet e Ismail Kadaresë nisën të tërheqin vëmendje të jashtëzakonshme në publikun frankofon. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes si pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.
Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë posturës së tij multidimensionale si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqerisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza famëkeqe e vitit 1997 do ta detyronte tashmë burrin e moshuar që ai ish, të largohej sërish nga atdheu i tij dhe të rikthehej në Parisin e tij të dashur. Më 1998 emërohet Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhërin Chevalier de la Légion d’Honneur, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhërin Grand Officier de la Légion d’Honneur nga Republika Franceze.
Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në maj 2001 ndërsa shërbente si Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO.
Berati, vendlindja e Vrionasve, nëpërmjet bashkisë së qytetit do ta nderonte Jusuf Vrionin pas vdekjes së tij, më 18 qershor 2001, me titullin Qytetar Nderi.
Për mirënjohjen dhe vlerësimin e përkthyesve me kontribut të çmuar në njohjen dhe promovimin e letërsisë shqipe në gjuhë dhe kultura të huaja, Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve e Republikës së Shqipërisë më 2006 krijoi çmimin Jusuf Vrioni.
Përkthimet më të përmendura
- Le Général de l’Armée Morte, Ismail Kadare
- Le Pont aux Trois Arches, Ismail Kadare
- Le Grand Hiver, Ismail Kadare
- Chronique de la Ville de Pierre, Ismail Kadare